Sport

Kosova nuk dorëzohet edhe përkundër mungesave të mëdha

-ADVERTISEMENT-
-Advertisement-

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do t’i zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme në fillim të muajit shtator, në kuadër të eliminatoreve për kampionatin evropian “Euro 2020”.

Fillimisht më 7 shtator “Dardanët” e presin Republikën e Çekisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e pas tri ditësh udhëtojnë drejt Southamptonit, për t’u përballur me Anglinë.

Edhe në këto dy ndeshje përzgjedhësi Bernard Challandes do të përballet me lëndime të shumta të futbollistëve.

Herolind Shala, Hekuran Kryeziu, Milot Rashica dhe Arbër Zeneli janë katër futbollistët të cilët edhe zyrtarisht do t’i mungojnë Kosovës në dy ndeshjet e muajit të ardhshëm.

Sikur të mjaftonte vetëm kjo, Kosova përballet edhe me një problem tjetër.

Bëhet fjalë për situatën e palakmueshme të tre portierëve, që së fundmi kanë mbrojtur ngjyrat e Përfaqësueses së Kosovës.

Arijanet Muriçi ka pësuar rënie në formë që prej kalimit në huazim te Nottingham Foresti, derisa e ka humbur edhe vendin e titullarit, ndërkaq Samir Ujkani është pa ekip, kurse Visar Bekaj nuk ka luajtur tash e disa muaj për Prishtinën, pasi pritet të transferohet jashtë vendit.

Ndihmëstrajneri Muhamet Sahiti në një bisedë me gazetën “Zëri” tregon se te Kosova ka pritje të mëdha, për shkak të fondit të jashtëzakonshëm të lojtarëve që posedon trajneri Challandes, derisa grupit do t’i bashkohet edhe mesfushori i Hannoverit Florent Muslija, kurse Ibrahim Dreshevic është i gatshëm, pasi që e ka marrë lejen nga FIFA dhe është pajisur me pasaportë të Kosovës.

“Kosova nuk dorëzohet”

Muharrem Sahiti thotë se nuk është hera e parë që skuadra përballet me lëndime, derisa shton se ata do të punojnë shumë për të arritur rezultate pozitive.

“Gjithmonë është vështirë pa këta futbollistë, të cilët kanë pasur paraqitje të mira në nivel kampional. Nuk është hera e parë që kemi lëndime, edhe në ndeshjet e muajit qershor jemi përballur me probleme të njëjta. Në Bullgari kemi pasur katër lëndime të rëndësishme, katër futbollistët e lartcekur, si dhe Valon Berisha. Por ne do të punojmë edhe më shumë, grupi është jashtëzakonisht i mirë. Pavarësisht mungesave nuk do të dorëzohemi deri në arritjen e rezultateve”, u shpreh fillimisht Muharrem Sahiti.

Dreshevic është i gatshëm

Në ndeshjet e muajit qershor kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë trajneri Bernard Challandes ftoi për herë të parë dy futbollistët Ibrahim Dresheviç dhe Ylldren Ibrahimaj.

Të dy futbollistët në fjalë nuk debutuan për Kosovën shkaku i dokumentacionit.

Përveç Ibrahimajt, edhe futbollisti i Heereveenit, Dreshevic tashmë do të jetë i gatshëm 100 për qind për Kosovën për ndeshjet e radhës. “Ibrahim Dresheviç është i pajisur me dokumentacion. Dresheviç ka treguar paraqitje të mira në kampionatin holandez dhe ai do të jetë në rregull për ndeshjet e radhës”, konfirmoi Muharrem Sahiti.

Situata e portierëve të Kosovës

Një çështje tjetër që ka preokupuar Përfaqësuesen e Kosovës kohëve të fundit është situata e portierëve.

Arijanet Muriç nuk është duke kaluar nëpër një formë të mirë te Nottingham Foresti, pas largimit nga Manchester City, derisa Samir Ujkani dhe Visar Bekaj janë pa klube. “Aro Muriç është dëshmuar vazhdimisht, por kohëve të fundit nuk është në nivelin më të mirë”, vlerësoi Muharrem Sahiti.

Kurse sa i përket situatës së Samir Ujkanit, Sahiti tha: “Kemi edhe Samir Ujkanin, i cili po vazhdon të stërvitet vazhdimisht. Ai gjithashtu ka edhe oferta të shumta. Mund të na ndihmojë me përvojën e tij”.

Kohëve të fundit Federata e Futbollit e Kosovës ka konfirmuar se është në bisedime me portierin e Schaffhausen, Amir Saipi.

Por Sahiti ka konfirmuar se Saipi ende nuk do të jetë i gatshëm për skuadrën A të Kosovës. “Sa i përket Amir Saipit, ne kemi biseduar me të, por ai nuk është ende i gatshëm për skuadrën e parë”, shtoi Muharrem Sahiti.

“Muslija, ardhja më e mirë e Kosovës”

Mesfushori i Hannoverit, Florent Muslija, tashmë është kompletuar me dokumentacion dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Bernard Challandes për ndeshjet e radhës.

Ai pritet të debutojë kundër Republikës së Çekisë në ndeshjen e 7 shtatorit, derisa ndihmëstrajneri Sahiti ka vetëm fjalë të mira për futbollistin e talentuar, që po shkëlqen në futbollin gjerman. “Florent Muslija do të jetë ardhja më e mirë për këto ndeshje. Ai ka treguar paraqitje të mira në Gjermani. Në vazhdim nëse do të gjejmë ndonjë futbollist që ka pasur paraqitje të mira dhe që pranon të luajë për Kosovën do ta marrim”, potencoi Muharrem Sahiti.

Pritjet e Muharrem Sahitit për ndeshjet e shtatorit

Momentalisht në Grupin A të eliminatoreve për kampionatin evropian “Euro 2020” Kosova renditet në vendin e tretë, me pesë pikë të grumbulluara.

Kosovës i duhen rezultate pozitive në ndeshjet e radhës, në rast se dëshiron kualifikimin në Kampionatin Evropian.

Duke e ditur rëndësinë e këtyre ndeshjeve, Muharrem Sahiti thotë se Kosova nuk do të dorëzohet asnjëherë deri në arritjen e qëllimit.

“Do të bëjmë gjithçka të arrijmë rezultat. Nuk dorëzohemi asnjëherë, qëllimi është i njëjtë dhe deri më tani e kemi dëshmuar veten. Me Anglinë është një ndeshje krejtësisht tjetër, nuk mund të themi se do të shkojmë atje të fitojmë, por futbolli është i paparashikueshëm. Tani jemi në një situatë ku çdo ndeshje konsiderohet si finale, për shkak se e duam kualifikimin. Çdo rezultat tjetër përpos humbjes në vazhdim vlerësohet i suksesshëm”, përfundoi bisedën për gazetën “Zëri” ndihmësi i Bernard Challandesit, Muharrem Sahiti.

-Advertisement-
Postime të ngjajshme
Sport

I mbajtur një vit në burgun serb pasi e ngatërruan me dikë tjetër, Petrit Dula pas lirimit rrëfen për periudhën e vështirë që kaloi

Sport

Gjilani kalon në epërsi ndaj Llapit

Sport

Shënon Llapi, e ngushton rezultatin

Sport

Duka më i votuari në UEFA, rizgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv