
Kombëtarja e Kosovës të dielën do të luajë me Suedinë në Doha të Katarit, me fillim nga ora 15:45 [sipas kohës tonë lokale].
Për Anel Rashkajn kjo mund të jetë një sfidë pak me e veçantë pasi do të luajë kundër shtetit në të cilën e ka zhvilluar karrierën futbollistike, raporton Reporteri.net
Janne Andersson, trajneri i Suedisë në një intervistë ekskluzive për Reporterin ka folur për Rashkajn, të cilin e ka vlerësuar si futbollist të mirë dhe person të shkëlqyer.
“E njoh Anel Rashkajn. Unë isha trajner i tij te Halmstad në fillimet e karrierës së tij. Një futbollist shumë i mirë dhe një person i shkëlqyeshëm,” ka thënë Andersson.
Tani, Reporteri ka kontaktuar edhe Rashkajn, i cili poashtu ka fjalë të mira për trajnerin e Suedisë, Janne Anderssonin, me të cilin ka punuar në kohën kur prizrenasi ishte pjesë e Halmstad.
“Ka qenë trajneri im i parë në nivelin profesional dhe kemi pasur raporte shumë të mira. Kam mësuar shumë nga Janne Andersson dhe tani ai është duke arritur rezultate të shkëlqyeshme me Suedinë dhe më vjen mirë që ka arritur në këtë nivel,” ka thënë Rashkaj.
“Ai është një trajner shumë i mirë, i cili e komponon mjaftë mirë skuadrën dhe kjo mund të vërehet edhe në fushë,”.
Sa i përket ndeshjes së nesërme Aneli thotë se pret një paraqitje të mira sidomos nga lotjarët e rinj të cilët do të fitojnë përvojë.
“Presim të paraqitemi sa më mirë, ky është qëllimi që lojtarët e rinj të marrin përvojë shumë të mirë, e cila do t’i nevojiten më pas për të ardhmen e tyre,”.