Sport

Zyrtare: FIFA dënon me një shumë të madhe të parave skuadrën e madhe kosovare

Trepça ’89 është gjobitur nga FIFA me 29 mijë e 300 euro.

Kjo ka ndodhur për shkak të padisë që ia kishte bërë klubi nga Greqia, PAS Gianina, për futbollisti francez me prejardhje nga Bregu i Fildishtë, Franck Betra.

Sulmuesi 24-vjeçar i ishte bashkuar ekipit kosovar në verën e vitit 2019, por ai kalim doli të jetë i komplikuar.

Pos gjobës financiare, FIFA kishte bllokuar edhe afatin kalimtar të janarit për “xehetarët”, të cilët kanë rrezikuar që të mos mund ta regjistrojnë asnjë lojtar në janar.

Të gjitha këto i ka bërë të ditur për KOHËN, presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka. Ai ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni për gjobën dhe se në momentet e fundit e kanë kuptuar.

“Neve askush nuk na ka njoftuar se jemi të dënuar nga FIFA. 3-4 ditë para se të mbyllet afati kalimtar na kanë thirrur dhe mezi ia kemi dalë që ta rregullojmë këtë çështje në aspektet procedurale. I kemi paguar 29 mijë e 300 euro dhe gjithçka është rregulluar. Lojtarët që i kemi marrë në afatin kalimtar të janarit i kemi regjistruar dhe ata do të kenë të drejtë të paraqiten me ekipin në stinorin pranveror. Për këtë e kemi marrë edhe konfirmimin përmes sistemit TMS”, tha Zeka të hënën.

Ai sqaron se për çka ishte paditur klubi që drejton nga klubi grek. I pari i klubit mitrovicas madje dyshon edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila sipas Zekës nuk e ka njoftuar me kohë.

“Dënimi ka të bëjë me kompensimin e trainingut, edhe pse ne e kemi marrë si lojtar të lirë. Padia ka ardhur nga një klub në Greqi për futbollistin Betra. Ishte e vështirë edhe kontakti me drejtuesit e klubit grek, por në fund ia arritëm që ta mbyllim me sukses.

Nuk e di pse nuk jemi njoftuar më herët. As Federata e Futbollit nuk na ka njoftuar. Si duket dikujt po i pengojnë këto sukseset e Trepçës ’89 që po transferon lojtarë jashtë vendit”, deklaroi Zeka.

Probleme të tilla me bllokim të afatit kalimtar kanë pasur edhe Prishtina dhe Ballkani. Të dyja është dashur të shlyejnë borxhet ndaj lojtarëve për të pasur mundësi të regjistrojnë lojtarë të rinj. Prishtinës i kishte ndodhur në afatin kalimtar të verës së vitit 2020, kurse Ballkanit në këtë afat kalimtar.

Postime të ngjajshme
Sport

Dhjetë transferimet më të shtrenjta ta dala nga Shqipëria: Skënderbeu ‘mbret’, Tirana ka mbetur prapa

Sport

Dy ndeshje interesante në Superligë, vëmendja në Drenicë

Sport

Shpëtim Idrizi tregon si e mposhti Llapin

Sport

Batatina tregon si e humbën ndeshjen ndaj Trepçës ’89