
Barcelona vazhdon të ndiqet nga fati i keq i dëmtimeve në këtë fillimsezoni. Pas problemeve të Messit dhe Luis Suarez, Ousmane Dembélé është ylli i radhës, që bie. Lojtari është paraqitur në stërvitje dje pasdite, pasi shijoi dy ditë pushim dhe, në përfundim të seancës, klubi Blaugrana raportoi një dëmtim të ri.
Mjekët e skuadrës katalanase thanë se francezi “ka një thyerje në bicepsin femoral të këmbës së majtë. Koha e përafërt e rikuperimit është pesë javë”.
Dembélé e kishte thyer tashmë tendinën e bicepsit femoral të së njëjtës këmbë dy sezone më parë, para ndeshjes kundër Getafe. Lojtari duhej të kalonte nëpër sallën e operacionit dhe qëndroi katër muaj pushim. Tani e ka lënduar veten përsëri, në të njëjtën zone të këmbës së majtë. Lëndimi do të thotë një pengesë serioze për Valverde, i cili shpreson të rikuperojë të paktën Messin për ndeshjen kundër Betis.
22-vjeçari ka injoruar stafin mjekësor të Barcelonës, që i kishte lënë takim të shtunën për ekzaminimin e radhës të këmbës së majtë, por ai ka fluturuar drejt Senegalit për qëllime private, pa lajmëruar drejtuesit e skuadrës. Ai është paraqitur vetëm të hënën në stërvitje, kur u konfirmua dhe dëmtimi i tij nga stafi mjekësor.