Lajme

Zëvendësministrat e qeverisë “Hoti” i kushtojnë Kosovës 764 mijë euro për një vit

Në 16 ministri, sa janë aktualisht në Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti, janë të punësuar plot 49 zëvendësministra.

Sa ishte pjesë e opozitës Hoti kishte qenë mjaft kritik ndaj qeverisjes së Ramush Haradinajt për numrin e madh të zëvendësministrave. Megjithatë, tashmë kur i njëjti po udhëheq me ekzekutivin numri i zëvendësministrave është përsëri i lartë.

Express ka kërkuar sërish sot sqarime nga Qeveria e Kosovës për këtë shifër si dhe për pagat dhe mëditjet që marrin ata, mirëpo të njëjtit nuk u përgjigjen në pyetjet e gazetës.

Në një përllogaritje që ka bërë Express, paga e një zëvendësministri është 1300 euro. Bazuar në këtë një pagë vjetore e një zëvendësministri sillet rreth 15 mijë e 600 euro.

49 zëvendësministrat vetëm paga vjetore nga thesari i shtetit do të marrin 764 mijë e 400 euro.

Për njohësit e ekonomisë, kjo gjë do të thotë abuzim i Qeverisë me buxhetin. Mustafë Kadrijaj, profesor i ekonomisë, ka thënë ai.

“Për fat jo të mirë ne si shoqëri jemi bërë imun ndaj abuzimeve të qeveritarëve duke ngarkuar buxhetin me pozita që si arsyetim kanë mirëqeverisjen por në praktikë nuk është parë deri më tani. Pra edhe qeveria Hoti po vazhdon me të njëjtin avaz duke rehatuar njerëzit e subjektit nga vjen me pozita të zëvendësministrave. Të vetmin përfitim kanë zëvendësministrat e tij me pagat e majme por arsyetim në mirëqeverisje nuk kemi parë deri më tani”, ka thënë ai.

Zgjidhja e vetme, sipas tij, do të ishte ndërrimi i konceptit dhe mentalitetet për bërjen e politikës.

“E vetmja shpresë është të kemi ndërrim të konceptit dhe mentalitetit që politikën ditore, aktivitetin politik ta shohim me sy të avancimit në karrierë e jo si burim të të hyrave politikën për faktin që ky është degradim i demokracisë”, ka thënë ai.

Në ndërkohë Express ka siguruar listën e zëvendësministrave në Qeverinë Hoti.

Katër ministri me nga pesë zëvendësministra

Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Arban Abrashi është njëra ndër ministritë që ka 5 zëvendësministra. Bëhet fjalë për Artan Berishën, Hamza Balje, Xhavit Zariqin, Muhamet Gashin dhe Arton Retkocerin.

Po aq zëvendësministra ka edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Enver Hoti, Erxhan Galushi, Bajram Kastrati, Behram Shabani dhe Nehat Ramadani janë 5 zëvendësministrat e këtij dikasteri qeveritar.

Edhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Halil Matoshi, Arbër Grabovci, Valdete Bajrami, Qazim Rrahmani e Engelbert Zefaj përbëjnë pesëshen e zëvendësministrave.

Ndërsa Muharrem Sfarqa, Ergin Bunjaku, Rexhep Kadriu, Muharrem Nitaj e Burbuqe Bakia-Deva janë pesë zëvendësministrat e Ekonomisë dhe Ambientit.

Dy ministri me katër zëvendësministra

Përderisa ministritë e lartcekura i kanë nga 5 zëvendësministra, në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe në atë të Punëve të Brendshme janë nga katër zëvendësministra.

Bekim Brestovci, Teuta Sahatqija, Muhamet Brajshori dhe Gani Dreshaj janë katër zëvendësministrat e MPJD-së.

Në anën tjetër në atë të Brendshmen, punën e zëvendësministrit e ushtrojnë: Milan Radojevic, Agron Bacaj, Zafir Berisha dhe Yildiray Bayram.

Tri ministri me nga tre zëvendësministra

Me nga tre zëvendësministra janë ministria e Financave, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe ajo e Shëndetësisë.

Në dikasterin e Financave janë Agim Krasniqi, Kushtrim Brahimaj e Jasmina Jovanocic që janë duke punuar si zëvendësministra.

Adnan Redzeplar, Bashkim Krasniqi dhe Besart Dreshaj janë tre zëvendësministrat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Teksa Luan Gola, Pjetër Ndou dhe Resul Makreshi janë tre zëvendësministrat e Shëndetësisë.

Pesë ministri me vetëm dy zëvendësministra

Në plan-programin e Qeverisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, prej nga vjen edhe kryeministri Avdullah Hoti është theksuar se çdo ministri do t’i ketë vetëm nga dy zëvendësministra.

Nga dy zëvendësministra kanë: Ministria për Kthim dhe Komunitete (Enes Sulejmanoviç dhe Selim Kryeziu), Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (Nexhat Ramadani dhe Qerim Bajrami), Ministria e Arsimit dhe Shkencës (Xhavit Rexhaj dhe Driton Bardheci), Ministria e Pushtetit Lokal (Fatbardha Emini dhe Magbule Shkodra), si dhe Ministria e Mbrojtjes (Sadika Kofrc dhe Muhamedali Mergjollari.

Me nga një zëvendësministër funksionojnë Ministria e Drejtësisë (Florian Dushi) dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal (Eldis Abazi).

Postime të ngjajshme
Lajme

Befason Ramush Haradinaj: Nëse bëhem President, ky do të jetë kryetar i AAK-së

Lajme

Molliqaj tregon për raportet e tij me Kurtin

Lajme

A do të jetë Uran Ismaili kandidat i PDK’së për Prishtinë?

Lajme

Selmanaj i dërgon “selam” Osmanit