Sport

Zbulohen prapaskenat, ja si ndodhi krisja mes Armando Brojës dhe Edy Rejas

Yjet e futbollit është e vështirë t’i menaxhosh. Kur janë në moshë të vogël, kjo bëhet edhe më e ndërlikuar. Shqipëria i ka me pikatore ata që e meritojnë vlerësimin ‘yll’, por Broja e meriton të thuhet se është një yll në lindje.

Të paktën me atë që ka treguar deri tani… Por, a është menaxhuar si duhet sulmuesi i Sauthemptonit, i cili është në pronësi të Çelsit? Pse nuk luan titullar kur ai shënon sa herë hyn në fushë?

A i ka bërë gjërat si duhet Edi Reja në raport me këtë lojtar? Ka shumë pikëpyetje, por ‘Panorama Sport’ nëpërmjet një hulumtimi ka mundur të zbardhë një pjesë të prapaskenave rreth raportit të vështirë të sulmuesit të talentuar me trajnerin.

TENSIONI PAS POLONISË…

Edi Reja vendosi ta dërgonte në tribunë sulmuesin në ndeshjen kundër Polonisë, të cilën Shqipëria e humbi me rezultatin 4-1. Broja nuk e kapërdiu dot këtë, por më keq akoma e përjetuan prindërit e tij.

Burime pranë Kombëtares bëjnë me dije për gazetën se menjëherë pasi skuadra ka mbërritur në Shqipëri një ditë më pas, prindërit e Brojës kanë shkuar në kompleksin ku ishte akomoduar ekipi dhe i kanë kërkuar të largohet nga grumbullimi.

Të revoltuar dhe me tone të larta ata më pas kanë pasur një bisedë edhe me trajnerin Reja. Ky i fundit i ka ftuar të ulen në tavolinë me të dhe ta dëgjojnë njëherë.

‘Armando Broja është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ka potencial të madh dhe është edhe një djalë i mirë. Me cilësitë që ka, ai është i destinuar të bëjë një udhëtim të gjatë e të suksesshëm në karrierë.

Më besoni, unë i njoh lojtarët me të ardhme. Por, po ju them gjithashtu se nëse nuk e bën këtë udhëtim, atëherë do të jetë faji juaj. Po, po, faji juaj. Duhet të hiqni dorë nga kjo mënyrë të sjelli se po e dëmtoni atë’, mësohet t’u ketë thënë Reja familjarëve të Brojës. Pas kësaj, situata është qetësuar dhe Broja ka vazhduar të qëndrojë në Kombëtare.

GOLI NDAJ HUNGARISË…

Përtej bisedës mes trajnerit dhe familjarëve të Brojës, ky i fundit ishte i bindur se do të luante titullar në ndeshjen ndaj Hungarisë. U mërzit shumë kur nuk e pa veten në formacion. Burime pranë Kombëtares bëjnë me dije se kur Reja i kërkoi në pjesën e dytë që të dilte në nxehmje, sepse do të futej si zëvendësues, ai fillimisht ka refuzuar. ‘Dakord’, i ka thënë Reja dhe më pas i ka kërkuar një tjetër futbollisti të bëhej gati për ta futur në fushë.

Roshi, që ishte futur gjithashtu si zëvendësues, është afruar te pankina dhe i ka bërë me shenjë Brojës: ‘Eja futu. Mos bëj numra. Eja se do shënosh. Merr vesh apo jo…?! Hajde, mos bëj numra’. Broja është ‘zbutur’ dhe Reja e ka futur në fushë. Më pas e dimë si përfundoi: Broja shënoi me asist të Roshit…

KRISJA TOTALE ME ANGLINË…

Armando Broja nuk iu bashkua skuadrës në Tiranë para ndeshjes me Anglinë. Stafi i kërkoi të paraqitej në grumbullim, por Broja tha se ishte duke ndjekur një terapi me fizioterapistin e Sauthemptonit. ‘Eja në Tiranë se ne kemi mjekun e Juventusit këtu. Ki pak besim…’, ishte ngacmimi nga stafi për lojtarin, por gjithsesi ai vendosi t’i bashkohej skuadrës vetëm në Angli. Aty u pyet nëse ishte mirë dhe ai kishte thënë se ishte OK, madje dëshironte të luante titullar. Reja ndërkohë i kishte bërë me dije se nuk mund të luante titullar, sepse gjatë seancës së fundit ai vetë ishte ankuar pas 20 minutave se ndiente dhimbje në kavilje. Kjo e ka zemëruar sërish Brojën dhe pas një situate aspak të këndshme të krijuar edhe ditën tjetër, Reja vendosi ta dërgonte në tribunë.

‘Kam 24 lojtarë dhe duhet të kemi respekt për njëri-tjetrin. Nuk shkon kjo punë kështu…’, mësohet t’u ketë thënë Reja bashkëpunëtorëve më të afërt. Duket se kjo ishte krisja fatale. Në fund të ndeshjes ai ka shkuar në dhomën e hotelit dhe ka kërkuar të marrë sendet e tij. Disa nga ‘senatorët’, mes tyre Cikalleshi dhe Roshi, i kanë tërhequr vëmendjen dhe janë përpjekur ta bindin se po gabonte dhe se vendimet e tij ishin të gjitha të nxituara. ‘Ki pak respekt edhe për shokët. Nuk bën të ikësh kështu sa herë mërzitesh. Ti e ke të ardhmen përpara, të jesh i bindur që do të luash shumë dhe do të shënosh shumë, por mos u nxito…’. Broja nuk i ka marrë parasysh dhe është larguar. Mandej, ai nuk udhëtoi as drejt Shqipërisë për ndeshjen me Andorrën. Arsyeja zyrtare ishte ‘problemet fizike’, por në fakt ka një krisje totale mes tij dhe trajnerit Reja.

BABAI ‘DRIBLON’

Në kuadër të zbardhjes së gjithçkaje që ndodh mes Brojës dhe trajnerit, gazeta ‘Panorama Sport’ u përpoq të fliste edhe me babanë e Brojës, Xhevahirin, për të mësuar diçka më shumë rreth kësaj çështjeje. Por, ai u mjaftua vetëm me fjali të dykuptimta, duke mos dashur të japë shpjegime. ‘Investigoni dhe do ta merrni vesh të vërtetën. Broja është rritur në Londër, në një vend të lirë dhe pa presione…’, deklaroi babai i sulmuesit për gazetën.

Related posts
Sport

Dhjetë klubet me vlerën më të madhe

Sport

Faza e grupeve në Ligën e Evropës përmbyllet sonte: Këto janë 16 ndeshjet, vëmendja në Napoli

Sport

Këto janë skuadrat e kualifikuara në raundin eliminues në Ligën e Kampionëve

Sport

Barcelona nuk ia del në “Allianz Arena”, mposhtet nga Barcelona

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *