Lajme

Zbulohen detaje për vendndodhjen e ambasadës së Kosovës në Izrael

Kosova dhe Izraeli, respektivisht ministrat e Jashtëm të këtyre dy vendeve, do të mbajnë gjatë ditës së sotme një ceremoni virtuale për të zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

Si pasojë e masave anti-koronavirus dhe kufizimeve në udhëtime – Izraeli ka mbyllur aeroportin “Ben Gurion ”— ceremonia nuk do të mund të realizohet fizikisht.

Kjo do të jetë hera e parë që Izraeli ndërton marrëdhënie diplomatike me një vend virtualisht, shkruan “Times of Israel”.

Pasi ministrja e Jashtme në detyrë e Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe homologu i saj izraelit, Gabi Ashkenazi, nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi – njëra për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe tjera në lidhje me aktivitetet e agjencisë izraelite për zhvillim ndërkombëtar ‘Mashav’ — ata do t’i dërgojnë njëri-tjetrit kopje tjera përmes emailit, e secili nga ta do të nënshkruhet nga homologët e tyre, sipas Ministrisë së Jashtme izraelite, transmeton Zeri.info.

Ceremonia do të përfundojë me zbulimin e një pllake që do të vendoset në hyrje të ambasadës së ardhshme të Kosovës në Jerusalem.

SHBA-ja do të jetë e përfaqësuar nga përfaqësuesi i saj i Departamentit të Shtetit për rajonin e Ballkanit, Matthew Palmer, i cili do të flasë në ceremoni.

Ceremonia virtuale do të transmetohet direkt në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme izraelite në Facebook.

Kosova do ta hapë ambasadën e saj në Jerusalem në të ardhmen, duke u bërë kështu vendi i tretë pas SHBA-së dhe Guatemalës që hap ambasadë në kryeqytetin izraelit. Edhe vende tjera, si Hondurasi, janë zotuar se do t’i zhvendosin ambasadat e tyre nga Tel Avivi në Jerusalem.

Kosova ka një pronë në qendër të Jerusalemit e cila po kalon nëpër proceset e rregullta aprovuese për t’u shndërruar në ambasadë.

Shumica e vendeve Perëndimore e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por Serbia dhe aleatët e saj, Rusia dhe Kina, jo. Bllokada e vazhdueshme dhe mosdëshira e Serbisë për ta njohur Kosovën i ka mbajtur vendet nën tension dhe ka parandaluar stabilizimin e plotë të rajonit të Ballkanit pas luftërave të përgjakshme të viteve të ’90-ta.

Kosova, sipas “Times of Israel”, nuk e ka njohur ende Izraelin jo për shkak se shumica e saj myslimane e kundërshtonte, por sepse Izraeli nuk e kishte njohur Kosovën ende. Si për ironi, Izraeli refuzoi ta njihte Kosovën për shkak se nuk dëshironte të mbështeste një shpallje të njëanshme të shtetësisë, për çka Jerusalemi frikësohej se do të krijonte precedent të rrezikshëm të ndjekur nga palestinezët.

Vendimi për njohje reciproke mes Kosovës dhe Izraelit u arrit shtatorin e kaluar në një samit mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në prezencë të presidentit të atëhershëm, Donald Trump.

Në atë takim, edhe Beogradi u pajtua që ta zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem, diçka që deri më tani nuk e ka bërë.

Administrata Trump njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në fund të shtatorit dhe e zhvendosi ambasadën e saj atje në maj të vitit 2018.

Washingtoni ka inkurajuar edhe vendet tjera të bëjnë këtë hap, por është kritikuar shumë nga palestinezët dhe shumë të tjerë në Evropë për shkak se konflikti Izrael-Palestinë mbetet i pazgjidhur.

Ndërkaq, në një shkrim të gazetës tjetër izraelite, “The Jerusalem Post”, dje u zbuluan disa prapaskena të politikës serbe karshi njohjes së Kosovës nga Izraeli.

Një burim i afërt i gazetës me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se “nëse Beogradi e hapë një ambasadë në Jerusalem, Serbia do të priste që Izraeli të mos e njihte Kosovën si shtet”.

“Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, dhe një burim diplomatik izraelit ka konfirmuar se Beogradi ishte i zhgënjyer me zhvillimet e fundit. Në shtator, një burim i afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, bëri të qartë se nëse Beogradi e hapë ambasadën në Jerusalem, Serbia do të priste që Izraeli të mos e njihte Kosovën si shtet – edhe pse do të mund të mbante marrëdhënie të nivelit të ulët. Serbia sërish mund të hapë një ambasadë në Jerusalem, siç parasheh marrëveshje e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, por marrëdhëniet me Izraelin do të ulen, kishte thënë burimi në atë kohë”, shkruan JP. /Zëri

Postime të ngjajshme
EkonomiLajme

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës do të mbajnë sot protestë para ndërtesës së Qeverisë

Lajme

IKSHPK, bën të ditur numrin total të rasteve pozitive në vend

Lajme

QIKA, organizon aksion simbolik në Sheshin “Skënderbeu”

Lajme

Avdullah Hoti nënshkruan marrëveshje me përfitueset e bizneseve të vogla