Sport

Ymeri tregon se a i jep pagat me kohë Drenica

Stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll ka përfunduar javën që lamë pas.

KF Drenica e cila asnjëherë nuk ka rënë nga kampionati elitar i Kosovës gjendet në pozitën e parafundit në tabelë, vend ky ku e dërgon në Ligën e Parë të Kosovës.

Numri një i portës së skuadrës nga Skenderaj, Arion Ymeri në një bisedë me “Zeri.info” ka folur rreth gjendjes në klubin ku ai bënë pjesë.

Ymeri ka thënë me bindje të plotë se sipas tij, Drenica pavarësisht pozitës në tabelë, në stinorin pranveror do të jetë në pesë apo gjashtë ekipet e para duke marrë parasysh organizimin që kanë “kuqezinjtë”.

“Drenica edhe pse është në pozitën e parafundit në këtë gjysmë-sezon, unë mendojë që në fund do të jetë minimumi në vendin e pestë ose gjashtë. Këtë e them me bindje të plotë, sepse Drenica ka një super organizim duke u nisur nga kryetari i klubit, Ilir Veliqi, që na qëndron afër çdo herë si në rezultate të mira, ashtu edhe kur skemi pasur rezultate. Me pagat është shumë korrekt gjë që është më e rëndësishmja në këto kohë dhe për këtë dua ta falënderojë kryetarin”, është shprehur Arion Ymeri.

Tutje, “gardiani” i “Shqiponjave të Zeza” ka potencuar se stinorin vjeshtor atyre nuk u ka munguar kriza e lojës, por e rezultateve. Ymeri ka shtuar se “asnjë ekip nuk na ka dominuar” dhe se ata kanë pasur mungesë të fatit.

“Ndeshjet e fundit them që jemi futur në një krizë të rezultateve dhe jo krizë të lojës, pasi që në të gjitha ndeshjet kemi hyrë për fitore dhe asnjë ekip nuk na ka dominuar. Na ka munguar edhe fati sepse kemi humbur takime në minutat e fundit dhe ishin zhgënjyese për ne”, shtoi më tutje Ymeri.

Për fund, portieri i Drenicës, Ymeri ka paralajmëruar skuadrat e tjera të Superligës së Kosovës duke thënë se Drenica e vërtetë do të jetë në stinorin pranveror, teksa ka thurur lavde për kryetrajnerin e skuadrës, Bledar Devollin.

“Në pranverë besojë që do të jemi krejtësisht ndryshe, pasi që dihet se edhe profesor Devolli ka ardhur në gjysmë-sezon tek ne. Tani edhe koha na konvenon që të stërvitemi në atë çfarë kërkon trajneri. Është një punëtor shumë i madh. E keni parë të gjithë se si e udhëheq lojën me një pasion shumë të madh. Ju e shihni vetëm në ndeshje, kurse ne e kemi ashtu çdo ditë në stërvitje. Për fund, organizimi i mirë i klubit, puna shumë e mirë e trajnerit dhe angazhimi i lojtarëve në fushën e lojës, rezultatet e Drenicës do t’i shihni në pranverë”, përfundoi Arion Ymeri.

Në 18 ndeshje të zhvilluara, Drenica ka grumbulluar 19 pikë, derisa ka pasur sulmin më të dobët në Superligë me 11 gola të shënuar dhe 25 të tjerë të pranuar.

Postime të ngjajshme
Sport

Premierliga me lider të ri, Man City po shijon formën e jetës

Sport

Arsenali vazhdon me formën e mirë

Sport

Dramë e vertëtë, përfundon derbi mes Interit dhe Milanit ky është rezultati

Sport

Çfarë ndodhi në kacafytjen mes Lukakut dhe Ibrahimovic?