Sport

Ylli i Kosovës e krahason golin e tij me të Inzaghit: Ishte gol në stilin e Pippos

Astrit Selmanit iu deshën 35 minuta lojë në fushë për ta shënuar golin e tij të parë me fanellën e klubit të ri, Hammarbyt, që barazoi të mërkurën në ndeshjen miqësore kundër ekipit tjetër nga Suedia, Akropolis (3:3). Selmani shënoi golin e dytë në minutën e 79-të, derisa asistoi për golin e tretë në minutën e 86-të. Ai ndoqi aksionin, fitoi duelin e shpejtësisë dhe shënoi përtokë për ta barazuar rezultatin në 2:2.

Shtatë minuta më vonë, Selmani asistoi për golin e epërsisë 3:2, por një minutë më vonë kundërshtarët barazuan rezultatin me të cilin edhe përfundoi ndeshja që ishte e para për Hammarbyn këtë vit. Gjithashtu, kjo ishte edhe ndeshja debutuese për Selamanin, në klubin ku 23,5% të aksioneve i takojnë yllit suedez të Milanit, Zlatan Ibrahimoviq. E golin e tij të shënuar me fanellën e Hammabyt, Selmani e krahason pikërisht me një yll tjetër të Milanit, ish-sulmuesin Filippo Inzaghi. Inzaghi aktualisht është trajner te Benevento, ekip që garon në Serie A të Italisë.

“Ishte gol në stilin e ‘Pippo’ Inzaghit. E pashë që topi po shkonte thellë, kështu që më duhej të bëja një vrapim maksimal. Duhej ta fitoja pozicionin që mbrojtësi të mbetej prapa meje dhe atë gjë bëra, dola i pari në top dhe shënova gol”, ka thënë Selmani, që pritet të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në të ardhmen. “Do të thotë shumë të jesh në gjendje ta ndihmosh ekipin. Unë jam një sulmues dhe është pozicioni për të cilin të gjithë duhet të kujdesen. Por, është e qartë që secili dëshiron të shënojë dhe të fitojë. Sot kam marrë pikë dhe gjithashtu jam në rregull”.

 

Selmani, 23-vjeçar, te Hammarby u transferua në janar të këtij viti nga Varbergsi, ndërsa me ekipin e ri ka nënshkruar kontratë deri në fund të vitit 2024. Ai shkëlqeu sezonin e kaluar, duke shënuar 17 gola dhe tetë asistime në 28 ndeshje në të gjitha garat. Ishte golashënuesi i dytë më i miri në kampionatin elitar “Allsvenskan” të Suedisë. Tani, Selmani me Hammarbyn synon triumfin në Kupë.

“Për të gjithë lojtarët ishte një ndeshje për t’u treguar. Ne kemi thënë se ndeshjet e mira do të vijnë pak më vonë. Ne do të jemi të mirë në Kupën e Suedisë, kjo është ajo që ka rëndësi. Nëse thjesht mund të ecim pak para, mendoj se do të mund të triumfojmë”, u shpreh Selmani.

Pas ndeshjes, trajneri i Hammarbyt, Stefan Billborn, lavdëroi Selmanin duke thënë se angazhimi i tij është maksimal, si në stërvitje, ashtu edhe në dhomat e zhveshjes dhe kjo po e bën Selmanin lider të ekipit.

“Ka potencial për të qenë i preferuari i shikuesve. Astrit Selmani është një golashënues, sulmues dhe në të njëjtën kohë një lojtar besnik i ekipit që punon shumë. Ai këtë e tregoi te Varbergsi vitin e kaluar dhe gjithashtu në ndeshjen e tij të parë me Hammarbyn e tregoi shpirtin e liderit. Selmani është angazhuar maksimalisht që nga dita e parë, kur na u bashkua si në stërvitje, ashtu edhe në zhveshtore. Ai mundohet të flasë dhe t’u ndihmojë të gjithëve”, ka thënë trajneri Billborn.

 

Postime të ngjajshme
Sport

Nga porta në sulm, të paktën 51 emra të gatshëm për Kombëtaren – ja pse Reja ka një super skuadër

Sport

Emir Sahiti shënon gol në Kroaci

Sport

Nesër takimi i 30-të mes Prishtinës dhe Llapit: Forma momentale e skuadrave dhe rezultatet nga 29-të ndeshjet e kaluara

Sport

Hoxha rrëfen tmerrin me policin rus: Më nxori nga shtëpia dhe gjuajti dy herë me armë