Lajme

Vuçiqit e Bërnabiqit s’ju pëlqeu fjalimi i Kamberit në Kuvend, por ky ka disa porosi për ta

Deputeti i listës “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, Shaip Kamberi, në Kuvendin e Serbisë, dje, pas fjalimit të mandateres për qeverinë e re serbe, Ana Bërnabiq, tha se ai “nuk përfaqëson as të verdhët as blutë, as të kuqtë as të zinjtë, por shqiptarët e diskriminuar në Serbi” dhe se është “trishtim për demokracinë” që midis 250 deputetëve, opozita përfaqësohet nga vetëm gjashtë anëtarë të partive të pakicave.

“Një parlament i këtillë nuk ka mundur ta prodhojë as (ish-presidenti i Serbisë, Slobodan) Milosheviq, por Vuçiqi e Daçiqi ia dolën. Koalicioni i përbërë nga qendra e pretenduar e majtë dhe e djathtë prodhoi si kurrë më parë një qeveri totalitare në Serbi, natyrisht përmes procesit zgjedhor. E vetmja e vërtetë në parullën ‘Serbia është Evropë’ është ‘Serbia është Bjellorusi’, megjithëse atje ka kundërshtim, të paktën në rrugë”, tha Kamberi në Kuvend, transmeton Zeri.info.

Kjo deklaratë e tij nxiti reagimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe të kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, por edhe të disa ministrave.

Vuçiqi, mes tjerash, vlerësoi se Kamberi “nuk ka shumë arsye për të fajësuar autoritetet në Serbi për totalitarizmin dhe mosrespektimin e të drejtave të pakicave”, sepse, siç tha ai, në Bujanoc jetojnë 42% serbë ndërsa përfaqësuesit e tyre janë dëbuar plotësisht nga pushteti.

Ndërkaq, në një deklaratë për televizionin serb “N1”, Kamberi tha se nuk ka pritur reagim kaq të ashpër për deklaratat e tij, por shtoi se nuk ka folur kundër serbëve, por për “totalitarizmin që po imponohet”.

“Gjykuar nga klima ekzistuese në Serbi, ka qenë e pritshme se një pjesë e opinionit do të reagonte kështu”.

“Nuk jam zgjedhur për të heshtur, por për t’i ngritur problemet e komunitetit shqiptar… Unë prezantova të dhëna për politikanët, por edhe pika të ndritshme të historisë serbe. Fjalimi im nuk ishte kundër serbëve, por kundër totalitarizmit që po imponohet, ku pakicat konsiderohen armiq dhe se shqiptarët në këtë vend, për shkak të marrëdhënieve me Kosovën, trajtohen si armiku numër një”, tha Kamberi në “N1”.

Ai thotë se vetë Vuçiqi ka thënë se është i lumtur që Kamberi “mund të flasë”, por pyeti se “përse atëherë po i pengon dikujt”.

“Ai tha se fjalimi im ishte për shkak se nuk kemi marrë ndonjë post ministror. Më 3 gusht, kur ne, tre përfaqësuesit shqiptarë, erdhëm për konsultime me Vuçiqin, i kemi paraqitur në letër kërkesat që i ka komuniteti shqiptar, dhe ato lidhen me zhvillimin rajonal, me arsimin, me ndërprerjen e politikës nxitëse kundër shqiptarëve dhe vetëm në fund, nëse do të merrnim një përgjigje pozitive për shtatë pikat e para, do të mund të konsideronim pjesëmarrjen në vetë Qeverinë e Serbisë”, tha Kamberi.

Ai tha se “nuk pati asnjë ofertë personale”.

“Dhe më vjen keq që presidenti i shtetit përdor disa insinuata në lidhje me faktet që absolutisht nuk ishin pjesë e atij takimi”, tha deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë.

Sipas tij, Vuçiqi u kishte thënë gjatë konsultave se për dy javë do të marrin përgjigje, e cila, siç citoi ai, “do t’ju befasojë”.

“Nuk pati as përgjigje, e as nuk u befasuam”, tha Kamberi për “N1”.

Ai kujtoi se partia e tij asnjëherë nuk ka qenë pjesë e shumicës qeverisëse.

“Edhe më 2014 edhe më 2016, bisedimet tona me Aleksandar Vuçiqin kanë qenë të njëjta. Asnjëherë s’kemi qenë pjesë e shumicës qeverisëse, as na është kërkuar, as do të kërkojmë e të kushtëzojmë me poste ministrore. Ajo që ne kërkuam është barazia për pakicat, zhvillimi i barabartë rajonal dhe që të hapet ndonjë fabrikë në Sjenicë, Tutin dhe Medvegjë”, theksoi Kamberi, duke shtuar se ato komuna “për shtetin nuk ekzistojnë”.

Në pyetjen se a pret që raporti ndaj tyre të ndryshojë dhe se a do t’ia dalë që të ndryshojë diçka në parlament, Kamberi thotë se nuk pret diçka të këtillë, por shton se ata duhet t’i flasin këto gjëra.

“Daçiqi dhe të tjerët dje thanë se ne i kemi dëbuar serbët nga Komuna. Parimi i multietnicitetit është shkelur para dy vjetësh në Medvegjë, kur SNS-ja nuk ishte tolerante as ndaj tre nga tetë këshilltarët, që t’ju ofrojë ndonjë pozitë. Ky parim është shkelur në Medvegjë dhe ishte pikërisht SNS-ja ajo që e shkeli”, tha Kamberi, transmeton Zeri.info.

Shton se nuk pret asgjë.

“Në pjesë e qeverisë është një ministër që shqiptarët i quan ‘shiptari’ dhe krenohet me këtë, e i cili tani do të jetë ministër i Policisë, nuk mund të presim asgjë ndryshe”, vlerësoi ai.

Dikush, Kamberin po e sheh si lider të ri të opozitës, sikurse Dritan Abazoviqi në Mal të Zi.

“Para së gjithash, unë jam presidenti i një grupi të vogël përfaqësuesish nga tre shqiptarë dhe tre boshnjakë, dhe as është e mundshme, e as është ambicia ime politike për t’u bërë lider i opozitës. Pakicat nuk mund të mbajnë barrën e demokratizimit në Serbi. Kjo përgjegjësi bie mbi shumicën e njerëzve”, beson Kamberi.

Thotë se në parlament do të jenë konstruktivë.

“Do të jemi konstruktivë. Gjashtë nga 250 përfaqësues nuk mund të bëjnë asgjë, s’ka qenë e mundur as kur opozita ka pasur më shumë përfaqësues… Është detyrim yni që t’i ngrisim problemet që ekzistojnë në komunat tona, dhe në shoqëri në përgjithësi”, përfundoi deputeti shqiptar i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi. /Zëri

Postime të ngjajshme
Lajme

Befason Ramush Haradinaj: Nëse bëhem President, ky do të jetë kryetar i AAK-së

Lajme

Molliqaj tregon për raportet e tij me Kurtin

Lajme

A do të jetë Uran Ismaili kandidat i PDK’së për Prishtinë?

Lajme

Selmanaj i dërgon “selam” Osmanit