Lajme

Vrasja e 23-vjeçarit në Mitrovicë, dorëzohet në Polici njëri nga të dyshuarit

Një person i dyshuar për një vrasje të rëndë që kishte ndodhur më 12 shkurt në Mitrovicë, është vetëdorëzuar në Polici, raporton Express

I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Rr. Bislim Bajgora, Mitrovicë 12.02.2021 – 22:19. Me datën 20.02.2021 i dyshuari mashkull kosovar është vetë dorëzuar në polici. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili për të dyshuarin ka vendosur masën e ndalimit për 48 orë”, ka bërë të ditur Policia në raportin 24 orësh.

Ndërkohë, rasti kishte ndodhur mbrëmjen e 12 shkurtit në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë.

Dy të dyshuar kishin shtënë me armë zjarri ndaj tre të tjerëve. Dy nga viktimat ishin dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor, ndërkaq personi tjetër kishte vdekur.

“Rr. Bislim Bajgora, Mitrovicë 12.02.2021-22:19. Është raportuar se dy të dyshuar meshkuj kosovarë i kanë qëlluar me armë zjarri tre viktimat meshkuj kosovarë. Dy prej tyre janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor ndërsa personi tjetër ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor i Spitalit Rajonal Mitrovicë. Njësit relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është vërejtur se dy vetura janë të dëmtuara nga predhat e shkrepjes së armës”, kishte bërë të ditur Policia.

Si kishte ndodhur rasti

Mehmet Kurti 23-vjeçar ka mbetur i vrarë në një piceri në Mitrovicë. Nga të shtënat me armë zjarri janë plagosur edhe dy persona. Ndonëse kanë kaluar pesë ditë nga tragjedia e ndodhur, autori i vrasjes ndodhet akoma në arrati.

Për vrasjen e 23-vjeçarit janë dhënë versione të ndryshme, por asnjëra nga to nuk është konfirmuar nga prokurori i rastit.

Prokurori i rastit, Njazi Rexha, në një prononcim për Gazetën Express, kishte deklaruar se natën kur ka ndodhur tragjedia janë intervistuar të gjithë të pranishmit në piceri, ndërsa hetimet janë duke vazhduar akoma.

“Krejt çka mund të themi, një është i vdekur e dy të plagosur, janë në trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë. Për momentin nuk kemi të dhëna nuk e dimë çka ka ndodh, kemi intervistuar njerëz, atë natë kush ka qenë në piceri i kemi intervistuar, hetimet po vazhdojnë, kaq mund të themi”, tha Rexha për Gazetën Express.

Ndërsa, zyra për media e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kishte deklaruar se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

“Trupi i personit të vrarë me urdhër të prokurorit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, teksa shtuan se për momentin “nuk dihen motivet e këtij rasti. “Prokuroria Themelore e Mitrovicës në koordinim me policinë janë duke e hetuar këtë ngjarje”, kishte deklaruar ai.

23-vjeçarit iu dha lamtumira e fundit ditën e shtunë në varrezat e fshatit Vllahi të Mitrovicës, ndërsa familja e tij e ngushtë nuk është deklaruar akoma për rastin.

Gazeta Express kishte tentuar të bisedojë me dikë nga familja e viktimës, por kontakti me ta ka qenë i pamundur./Express/

Postime të ngjajshme
Lajme

NISMA nuk e kaloi pragun, por sa vota mori Fatmir Limaj

Lajme

Këta janë pesë milionerët që u zgjodhën deputetë të Kuvendit të Kosovës

Lajme

Albin Kurtit i ndryshon ‘matematika’, ja sa deputetë i duhen për formimin e qeverisë

LajmeZgjedhjet 2021

Ku u votua më shumë Vjosa Osmani?