
Klubet kosovare në futboll gjatë vitit 2020 janë përballur me shumë probleme për shkak të pandemisë me COVID0-19 që ka “pushtuar” botën, shkruan “Zeri.info”.
Kriza financiare ka goditur financiarisht jo pak klube në vendin tonë. Por, ky vit ka qenë vit i suksesshëm për klubin gjilanas, Dritën e cila është shpallur kampione e Kosovës për edicionin 2019/2020.
Presidenti i klubit të Dritës, Valon Murseli në një prononcim për “Zeri.info”, ka treguar shumën e cila është shpenzuar për të arritur këtë sukses. Murseli ka thënë se shpenzimet e klubit “kaltërebardhë” kanë kapur shifrën e rreth 1 milion eurove.
“Ne tash e pesë vite kemi bërë investime, ku normalisht çdo vit kemi rritur investimet karshi tregut. Viti që lamë pas dhe ky vit thuajse janë të përafërt dhe mendoj që ky është maksimumi për tregun tonë. Vlerat kapin shifrat e rreth 1 milion eurove të cilat nuk i di në detaje sepse kryesia i vendos prioritetet. Ne i mbështesim me ato që kanë nevojë”, ka thënë Murseli të premten për “Zeri.info”.
Krahas Murselit, aksionar tjetër të Drita është edhe Flamur Bunjaku.
Drita e Gjilanit edhe këtë edicion është në rrugë të mirë për të mbrojtur titullin e kampionit në elitën e futbollit kosovar.
“Intelektualët” janë shpallur kampion vjeshtor me 41 pikë, tri më shumë se Ballkani që gjendet në vendin e dytë dhe nëntë më shumë se FC Prishtina që zë vendin e tretë. /