Lajme

Vaksinimi askund, si po bien rastet me Covid në Kosovë?

Ndonëse varianti i ri anglez i COVID-19 i cili është shumë më shpejt i transmetueshëm është i pranishëm në vend, Kosova tashmë gati një muaj po regjistron më pak raste të infektuara me COVID-19. Ndërsa, edhe numri i viktimave është më i ulët se që ka qenë më parë.

Mirëpo, Kosova deri sot nuk ka blerë asnjë vaksinë, përveç një numri të vogël që iu kanë dhënë falas. Si po e arrin këtë rezultat shteti që, krahasuar me vendet e rajonit dhe Evropës, ka stagnuar dukshëm në vaksinim?

Nga 506 raste të reja me COVID-19 të raportuara një muaj më parë në Kosovë, saktësisht më 21 prill, sot Kosova ka regjistruar 14 raste të reja të infektuara me koronavirus, si dhe 1 viktimë.

Në këtë rënie të rasteve të reja të infektuara me COVID-19, thuhet të ketë ndikuar numri i madh i të infektuarve me koronavirus deri tani, e masat mbrojtëse të marra kundër COVID-19.

Infektologë në vend thonë se vendi edhe më tej do të vazhdojë të regjistroj numër më të ulët të rasteve të reja me COVID-19, e në këtë drejtim pastaj thuhet se do të ndikojë edhe vaksinimi i qytetarëve. Zyrtarisht deri tash, Kosova ka pasur 107 mijë e 258 raste nga 593 mijë e 728 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

Zyrtarë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik kanë thënë për Express se ata po i testojnë të gjithë ata që po kërkojnë të testohen, ndonëse thonë se interesimi për t’u testuar ka rënë.

Ndërsa, infektologu Hamdi Ramadani, ka thënë për Express se masat që janë ndërmarrë qysh nga fillimi i pandemisë, e infektimi i një numri të madh të qytetarëve kanë ndikuar në rënien e këtij numri të rasteve të reja.

Ndonëse në vend është i pranishëm edhe varianti anglez i COVID-19, ai ka deklaruar se edhe më tej vendi do të regjistrojë numër më të ulët të rasteve të reja të infektuara.

“Masat që janë ndërmarrë qysh në vitin e kaluar, maska, dorëzat, e distanca, e kanë dhënë efektin e vet dhe po shihet tani. Ndërsa ne vazhdimisht kemi folur për imunitet kolektiv. Duke marrë parasysh që mbi 100 mijë persona kanë qenë të infektuar, mbi 500 mijë të dyshuar, e kur i shtojmë mbi 44 mijë të vaksinuar, të gjithë këta janë faktorë që tregojnë që qytetarët tanë kanë fituar imunitetin kolektiv”, ka theksuar ai.

Ramadani ka thënë se situata me pandeminë në Kosovë është në kontroll dhe e menaxhueshme.

Megjithatë, ai është shprehur se vendi duhet të vazhdojë me vaksinim masiv, në mënyrë që situata me pandeminë të jetë më ndryshe gjatë muajve korrik e gusht.

“Vaksinimi dhe imunizimi i mbi 44 mijë qytetarëve është i ulët, megjithatë këta persona nuk mund të bartin infeksionin edhe bartja nëse bëhet mund të jetë bartje shumë minimale. Duhet të vazhdohet masivisht me vaksinim. Unë mendoj që duhet të jenë mbi 300 mijë të vaksinuar. Kosova ka pak banorë dhe situata mund të kontrollohet shumë lehtë. Në fund të korrikut e në fillim të gushtit situata mund të jetë më ndryshe me pandeminë”, ka shtuar ai.

Ndërsa, edhe drejtorë të Shëndetësisë në komuna kanë thënë se gjendja me pandeminë është shumë më e mirë së fundmi.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur dje se nga 980 raste aktive me COVID-19 sa ishin javë më parë në këtë komunë, numri i rasteve aktive ka rënë në 41.

Ndërsa, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili, ka thënë për Express se në këtë rënie ka ndikuar edhe respektimi i masave nga ana e qytetarëve.

“Ka rënie edhe të rasteve aktive edhe të shtrirëve në spital e edhe të atyre që kërkojnë dhënien e terapisë në shtëpi. Është një rënie reale e rasteve ndoshta edhe për shkak të respektimit të masave. Ne po i lusim qytetarët për respektim të masave, por fokusi ynë mbetet edhe angazhimi në vaksinim”, ka deklaruar ai.

Derisa vendi po regjistron numër më të vogël të rasteve të infektuara me COVID-19 e viktimave nga ky virus, deputetë të opozitës sot kanë ngritur dyshime se nuk po paraqitet numri i saktë i viktimave nga ky virus.

Deputeti nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu, ka thënë sot gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Shëndetësi se po fshihen shifrat reale të viktimave nga COVID-19 dhe se numri i viktimave është shumë më i madh. Por një gjë të tillë e kanë kundërshtuar deputetë të pozitës.

Kujtojmë që sipas të dhënave të Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, numri total i rasteve pozitive me COVID-19 është 107 mijë e 258 raste nga 593 mijë e 728 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

Ky numër vlerësohet të jetë shumë më i madh, për shkak që shumë qytetarë kanë kaluar virusin edhe pa simptoma.

Ndërsa, deri tani 2 mijë e 240 persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me këtë virus.

Postime të ngjajshme
Lajme

Vdes 38-vjeçarja nga Peja, humbet betejën me kancerin

Lajme

Ia merr 750 euro duke e mashtruar për një vizë

Lajme

Detaje për vrasjen e mbrëmshme në Rahovec, dyshohet se vëllau vrau vëllanë

Lajme

Parashikimi i motit për nesër