
Lutfi Bilali është edhe zyrtarisht futbollist i skuadrës sllovake Partizan Bardejov.
28 vjeçari ndodhet prej ditësh në Bardejovë, derisa tashmë ka ‘firmosur’ kontratë deri në fund të sezonit me ekipin sllovak.
Bilali i cili së fundmi ishte pjesë e Arbërisë nga Dobraja në Superligën e Kosovës, por që u largua me t’u mbyllur stinori vjeshtor i kampionatit ka qenë i ofertuar nga shumë skuadra brenda dhe jashtë vendit, por që vendosi për një tjetër aventurë evropiane.
I lumtur me hedhjen e firmës është shprehur edhe vetë futbollisti, i cili ka deklaruar se do të mundohet t’i ndihmojë ekipit të Partizan Bardejos t’i realizoj objektivat e sezonit.
“Ndjehem mjaft mirë këtu edhe pse është pak ftohtë tani. Unë do të përpiqem të bëj më të mirën e mundshme për t’i ndihmuar ekipit t’i realizojë objektivat që ka pranë vetës. Kam zhvilluar dy seanca stërvitore dhe tashmë po e pres ndeshjen e parë me ekipin”, ka deklaruar Bilali për faqen zyrtare të klubit.
Lutfi Bilali ka lindur më 14 prill 1992 në Maqedoninë e Veriut, derisa ka qenë pjesë e disa klubeve në vendlindje. Karrierë ai ka bërë edhe në Slloveni, Finlandë, Greqi dhe së fundmi në Kosovë.
Ai gjithashtu ishte pjesë e ekipit U21 të Maqedonisë së Veriut.
Me Arbërinë ai realizoi tre gola dhe shërbeu dy herë për bashkëlojtarët në 13 ndeshje sa ishte paraqitur.