Lajme

U helmuan rreth 900 qytetarë: Dalin analizat fiziko-kimike të ujit në Deçan, deklarohet Ramadani

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka deklaruar pas dyshimeve se mbi 800 persona janë infektuar në Deçan nga uji i pijes, se mostrat e marra të ujit dhe rezultatet e nxjerra konstatojnë se nuk ka tejkalim të vlerave normale të përcaktuara me standardet evropiane.

Që nga e shtuna në Komunën e Deçanit mbi 800 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, e të cilët janë dyshuar se janë helmuar nga uji i pijes.

“Janë marrë menjëherë 6 mostra të ujit në Prilep, Irzniq, Gramaqel, Gllogjan, Baballoq, Rastavicë dhe nga secili fshat mostrat janë dërguar në laboratorët e higjienës, mikrobiologjisë të Institutit Rajonal të Pejës. Mostrat janë dërguar për rezultate për analiza fiziko-kimike dhe menjëherë mbrëmjen e djeshme janë bërë gati dhe mostrat kanë rezultuar në kufij të lejuar në përputhje me parametrat e përcaktuara sipas udhëzimit administrativ 16/2012 i cili është udhëzim i njëjtë me standardet e Bashkësisë Evropiane. Nga analizat bakteriologjike të marra dje brenda 24 orëve të para duke qenë se këto duhet të ruhen dhe të kultivohen në laborator në dy mostra që janë marrë në Gramaqel dhe Gllogjan shfaqen disa koloni të dyshimta në baktere koliforne për të cilat nevojitet pastaj një hulumtim laboratorik për të parë mos ka ndonjë infeksion gastointerstinal eventual”, tha ai.

Për përfitimin e këtyre rezultateve përfundimtare, Ramadani tha se duhet të vazhdojë hulumtimi laboratorik edhe 24 deri në 48 orët e ardhshme.

Gjatë punës në terren në anketimin e personave me shqetësime shëndetësore, Ramadani tha se kanë vërejtur se ka anëtarë të familjes që edhe pse e kanë konsumuar ujin e njëjtë nuk kanë pasur simptoma, derisa tha se ka edhe qytetarë të tjerë me simptoma të ngjashme ani pse nuk jetojnë në asnjë nga këto fshatra që furnizohen me ujësjellësin e komunës.

“Shumica e këtyre familjeve kanë puse familjare prej të cilave e shfrytëzojnë ujin në raste kur ka reduktime të ujit nga rrjeti i ujësjellësit dhe këto reduktime kanë pasur ditëve të fundit në mënyrë të kohë pas kohshme. Në anën tjetër, kemi marrë informata se banorët e Komunës së Deçanit që kanë qëndruar në bjeshkë ditëve të fundit pa asnjë kontakt ose shfrytëzim të ujit të këtij rrjeti kanë shfaqur disa shqetësime shëndetësore të ngjashme. Për këtë ne kemi vazhduar gjurmimin e shkaqeve edhe sot gjatë tërë ditës dhe deri në momentet e fundit kemi nxjerrë edhe rezultatet e dyta të analizave fiziko-kimike duke marrë mostrat fiziko-kimike në Beleg, në hyrje të qytetit të Deçanit, në qendër të qytetit, te shkolla fillore në rrjetin e ujësjellësit Deçan. Analiza fiziko-kimike të cilat kanë rezultuar pa tejkalim të vlerave normale të përcaktuara me standarde sipas udhëzimit administrativ 16/2012”, tha ai.

Ramadani tha se duke marrë parasysh që qytetarët janë ankuar me disa simptoma kryesore, që janë të lidhura me zorrët dhe barkun, IKSHP ka marrë edhe rezultatet laboratorike dhe në bazë të tyre do të konkludohet se a ka pasur ndonjë infeksion që ndërlidhet me simptomatologjinë e shfaqura tek qytetarët.

Ndërsa, zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha -Bunjaku, tha se lajmi i mirë është se të gjithë qytetarët që kanë kërkuar ndihmë në QKMD në Deçan nuk kanë pasur nevojë për hospitalizim dhe gjendja shëndetësore e tyre është e mirë.

“IKSHPK po punon vazhdimisht në evidentimin e shkakut të kontaminimit të ujit të pijes për ato fshatra. Në të njëjtën kohë QKMF e Deçanit dhe spitali i përgjithshëm i Pejës janë vënë në dispozicion të plotë të shërbimit të qytetarëve dhe janë siguruar të gjithë parametrat mjekësore në mbështetje të autoriteteve lokale dhe unë jam këtu për të siguruar se MSH do të jetë afër jush në çdo moment deri në përmirësimin e gjendjes dhe eliminimin e burimit të infeksionit. Ne si MSH jemi duke përcjell me vëmendje situatën dhe bashkë me IKSHPK dhe me institucionet tjera relevante do të vazhdojë monitorimin dhe hulumtimin e rastit”, tha ajo.

Edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj gjatë ditës ka mbajtur një konferencë për media ku ka hedhur dyshime që një helmim i ujit ka mundur të bëhet qëllimshëm, pasi që tha se është hera e dytë brenda një muaji që përsëritët e njëjta gjë

Postime të ngjajshme
Lajme

Arrijnë në Kosovë 38 mijë e 400 doza tjera të vaksinës AstraZeneca

Lajme

Me kaq vite burgim mund të dënoheni për zjarrvënie të qëllimshme

Lajme

KEDS njofton për zonat që do të kenë mungesë të energjisë elektrike

Lajme

Valon Syla i lidh përgjimet me Xhelal Sveçlën e Haki Abazin