Lajme

Trump dhe Melania, pozitivë në testin për koronavirus

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ai dhe Zonja e Parë, Melania, kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus. “Sonte, unë dhe Zonja e Parë kemi dalë pozitivë me COVID-19 [v.j. sëmundjen që e shkakton koronavirusi]. Do të nisim karantinën dhe procesin e shërimit menjëherë. Do t’ia dalim bashkë”, shkroi Trump në Twitter.

Disa orë më herët, Trump tha se do të nisë “procesin e karantinës”, pasi një ndihmëse e afërt e tij rezultoi pozitive në testin për koronavirus.

Hope Hicks, këshilltare e presidentit, u diagnostikua më 1 tetor, pas disa udhëtimeve me presidentin këtë javë.

Trump shkroi në një tjetër postim në Twitter se ai dhe Zonja e Parë janë duke pritur rezultatet e tyre të testit dhe se do të hyjnë në karantinë.

“Hope Hicks, e cila ka punuar shumë, pa bërë asnjë pushim të vogël, sapo ka dalë pozitive me COVID-19. E tmerrshme! Zonja e Parë dhe unë jemi duke pritur rezultatet e testit tonë. Ndërkohë, ne do të nisim procesin e karantinës”, shkroi Trump.

Hicks udhëtoi me presidentin në avionin Air Force One për debatin e parë presidencial, në Kllivllend, më 29 shtator, dhe me helikopterin e presidentit Marine One, për një tubim në Minesota, më 30 shtator.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, tha përmes një deklarate se presidenti “e merr shumë seriozisht shëndetin dhe sigurinë e vetes dhe të të gjithëve që punojnë në mbështetje të tij dhe të popullit amerikan”.

“Operacionet e Shtëpisë së Bardhë bashkëpunojnë me Mjekun e Presidentit dhe Zyrën Ushtarake të Shtëpisë së Bardhë, për të siguruar se të gjitha planet dhe procedurat përfshijnë udhëzimet aktuale të CDC-së [v.j. Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve] dhe praktikat më të mira për kufizimin e ekspozimit ndaj COVID-19, në masën më të madhe të mundshme, si në kompleks, ashtu edhe kur presidenti udhëton”, tha Deere.

Hicks, më herët, ka shërbyer si drejtore e komunikimeve e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa është ribashkuar me administratën këtë vit, përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Në muajt e fundit, disa punonjës të Shtëpisë së Bardhë kanë dalë pozitivë me koronavirus, përfshirë Katie Millerin, sekretaren e shtypit të nënpresidentit Mike Pence, dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien.

Shtëpia e Bardhë teston çdo ditë ndihmësit dhe këdo tjetër që bie në kontakt me presidentin.

Koronavirusi ka prekur mbi 7.2 milionë amerikanë. Prej tyre, mbi 200,000 kanë vdekur dhe mbi 2.8 milionë janë shëruar.

Postime të ngjajshme
Lajme

AccuWeather publikon parashikimin: Ky dimër, krejtësisht ndryshe nga ai i mëparshmi

Lajme

Vdes edhe një kosovar nga koronavirus, drejtoresha e QKMF-së jep detaje

Lajme

Problemet që mund të shkaktojë përdorimi i një maske të papastër

Lajme

Rastet e reja me COVID-19, janë nga këto qytete