Auto/Tech

Tri vajza të arta nderojnë Shqipërinë në SHBA

-ADVERTISEMENT-
-Advertisement-

Aplikacioni “GjejZâ”, i krijuar nga Dea, Arla dhe Jonada, fiton vendin e parë në konkursin ndërkombëtar të teknologjisë. Si lindi ideja për programin që mbron dhe u jep zë femrave të dhunuara. Vajzat ndajnë emocionet për “Shekulli”-n

Enida Vërça

“GjejZâ” ose gjej zërin, është aplikacioni i grupit “D3c0ders”, i cili fitoi çmimin e parë ditën e djeshme në konkursin ndërkombëtarë teknologjik, Technovation Challenge, në Silicon Valley, të San Franciscos. Dea Rrozhani, Arla Hoxha dhe Jonada Shukarasi do të arrinin të merrnin vendin e parë, duke lënë pas konkurrente nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Spanja dhe India, Kazakistani e Brazili.

Pas fitores, vajzat e grupit “D3c0ders”, shprehin për “Shekulli”-n emocionet dhe se si u lindi ideja e krijimit të një aplikacioni të tillë. Dea Rrozhani thotë se emocionet nuk mund të përshkruhen, e po ashtu bën me dije se kjo është hera e parë që Shqipëria kualifikohet në fazën finale.

“Fitorja na erdhi e papritur dhe për disa momente nuk patëm asnjë reagim. Sytë na u mbushën me lot gëzimi. Për ne kjo fitore do të thotë shumë më shumë se një medalje. Kjo ishte hera e parë që Shqipëria kualifikohej në fazën finale dhe hera parë që një vend nga Ballkani fiton çmimin e parë. Ne tashmë u kemi provuar vajzave shqiptare se edhe pse Shqipëria është një vend i vogël dhe ende në zhvillim, mund të gjesh zgjidhje për probleme të mëdha.

Tashmë ne u kemi hapur rrugën shumë vajzave të tjera dhe u kemi treguar se me pasion dhe punë mund të arrish gjithçka”, u shpreh Dea. Më tej, ajo shton se misioni i grupit të tyre është për të edukuar brezin e ri, duke e çuar sa më para shoqërinë shqiptare. “Ne jemi entuziaste që së shpejti të lançojmë aplikacionin tonë, “GjejZâ”,dhe ta shohim atë duke përmbushur misionin e saj dhe për të edukuar një brez të ri që do të çojë përpara shoqërinë tonë”.

Ideja

Por si lindi ideja e aplikacionit “GjejZâ”? Arla Hoxha, thotë për “Shekulli”-n se frymëzimi për këtë aplikacion ka qenë kudo, duke qenë se gratë shqiptare janë përballur gjithmonë me probleme të dhunës fizike dhe psikologjike. Trajtimi i gruas si pronë e burrit, i ka bërë vajzat të mendojnë për krijimin e një aplikacioni të tillë, ku gratë mund të kenë mundësi për të ngritur zërin e tyre dhe nëpërmjet kësaj platforme të ndihen të sigurta.”

Frymëzimi për app-in ishte gjithandej. Të gjithë mund të njohin një person që ka vuajtur nga dhuna me bazë gjinore apo të kenë dëgjuar ndonjë histori në lajme.

Rrënja e problemit është kultura që i trajton gratë si prona të burrave dhe i mëson që në rini që dhuna është diçka normale e për të cilën nuk duhet ngritur zëri. Ne donim ta zgjidhnim këtë problem me GjejZâ-n. Të krijonim një platformë ku gratë të ndihen të sigurta, të gjejnë suportin që meritojnë dhe “të gjejnë zërin” për të ndryshuar situatën ku ndodhen”-, u shpreh ajo.

Përmbajtja

Në fjalën e tyre, vajzat shpjegojnë edhe se si funksionon kjo platformë teknologjike dhe shërbimet që mund të gjendet te ky aplikacion. Jonada Shukarasi, thotë se në “GjejZâ”, një grua mund të gjejë çdo gjë që i nevojitet.

“E veçanta e GjejZa-s është që mund të gjesh çdo shërbim që i nevojitet një gruaje të dhunuar brenda një aplikacioni të vetëm. Menuja SOS përfshin gjithë kontaktet e emergjencës që mund t’u vijnë atyre në ndihme dhe mund t’i telefonosh direkt nga aplikacioni.

Ka një menu shërbimesh që bën mundur lidhjen me psikologë, avokatë, mjekë etj, dhe menunë e informacionit që përmban kontakte të koordinatorëve të bashkive dhe organizatave jofitimprurëse që angazhohen në çështjet e grave të dhunuara.

“GjejZâ” ofron edhe një program 30-ditor ku çdo ditë thyhet një besim i gabuar që gratë kanë për dhunën, jepen ushtrime frymëmarrjeje dhe histori suksesi nga gra në situata të ngjashme si dhe menunë e mundësive që synon t’i fuqizojë gratë ekonomikisht, ku ato mund të gjejnë oferta pune, trajnime dhe kupona”, deklaroi ajo për “Shekulli”-n. Vajzat e grupit D3c0ders, u shprehen gjithashtu se një kontribut të madh në këtë aplikacion ka dhënë drejtuesja e tyre Matilda Vangjeli dhe Ambasada Amerikane në Tiranë.

“Pas një prezantimi dinjitoz dhe shumë korrekt të vajzave shqiptare, të cilat konkurruan me grupe nga Shtetet e Bashkuara, India, Kazakistani, Spanja dhe Brazili, D3c0ders sollën kupën në Shqipëri.” -tha Matilda Vangjeli, drejtore e Zyrës së Burimit të Informacionit në Ambasadën Amerikane në Tiranë, duke u shprehur se D3c0ders, është tashmë një shembull për vajzat që angazhohen në fushat STEM.”/Shekulli/

-Advertisement-
Postime të ngjajshme
Auto/Tech

Të gjitha modalet që do të prezantohen në shkurt nga Volkswagen

Auto/Tech

U hoq nga qarkullimi në Gjermani, por në Kosovë kjo BMW po shitet me çmim marramendës

Auto/Tech

Sony lanson logon zyrtare të PlayStation 5

Auto/Tech

Apple planifikon iPhone me një dizajn krejtësisht të ri