
Klubi Futbollistik “Trepça ’89” e ka dërguar në FIFA çështjen e transferimit të futbollistit Lassine Traore drejt skuadrës suedeze Österlen FF.
Futbollisti nga Mali i’u bashkua ekipit që drejtohet nga shqiptari Agim Sopi, madje ky i fundit ishte i përfshirë direkt në transferimin e tij.
Presidenti i KF Trepça ’89, Abedin Zeka, ka konfirmuar për Gazetën “Sheshi” se lënda tashmë ndodhet në trajtim e sipër dhe se klubi kërkon t’i kompensohet trainingu sipas rregullave të FIFA-s, me ç’rast negociatori nuk i është përmbajtur marrëveshjes.
“Po mund të ju konfirmoj që ndodhemi në procedurë gjyqësore në FIFA për futbollistin Lassine Traore. Jemi të zhgënjyer nga sjellja dhe veprimet e Agim Sopit, prandaj kemi angazhuar gjithë mekanizmat që të përgatisim lëndën për në FIFA duke kërkuar kështu kompensimin e trainingut në klubin tonë. Besoj që do ta fitojmë këtë rast, pasi që kemi të gjithë të drejtën e plotë”, deklaroi Zeka.
Traore u bashkua me klubin suedez të Österlen FF në dhjetor të vitit të kaluar me insistimin e Agim Sopit, dikur ish-trajner i Feronikelit.
20 vjeçari nga Mali kishte kontratë me Trepçën ’89 para se të largohej nga Kosova, por me ndërmjetësimin e Agim Sopit ai kishte vendosur të bënte një hap tjetër në karrierën e tij, për të cilin tashmë i është shfaqur një problem jo pak i vogël.
Traore ishte transferuar te Trepça ’89 në janarin e vitit 2019 nga Black Stars, ekip ky nga vendlindja e tij.