Sport

Trepça ’89 një ‘minierë’ futbollistësh, presidenti Zeka zbulon të gjitha marrëveshjet për futbollistët e transferuar në Evropë

Bismark Charles Sie është futbollisti i fundit i transferuar nga Trepça ’89 drejt Evropës.

Klubi mitrovicas ka qenë një ‘minierë’ e vërtetë futbollistësh, teksa ka mbyllur me shumë sukses shumë transferimeve gjatë këtyre viteve të fundit.

Vetëm brenda dy edicioneve të fundit ‘minatorët’ kanë transferuar pesë futbollistë drejt Evropës. Në një prononcim për Gazetën “Sheshi”, presidenti i këtij klubi Abedin Zeka ka folur për marrëveshjet që ka nënshkruar klubi dhe negociatat e mbyllura me shumë sukses për secilin prej tyre.

“Është e vërtetë që brenda këtyre dy edicioneve të fundit kemi mbyllur transferimin e pesë futbollistëve. Klubi nuk ka përfituar ndonjë shumë të madhe parash, përveçse në rastin e Arb Manajt, me ç’rast kemi inkasuar 70 mijë euro dhe kemi ruajtur 25% të kartonit të tij. Jemi munduar që të bëjmë zgjidhje edhe për futbollistët, por edhe për klubin, pasi që nuk kemi dashur t’u pengojmë atyre në vazhdimin e karrierës“, theksoi Zeka fillimisht.

I pari i klubit mitrovicas zbuloi edhe marrëveshjen e fundit që ka arritur me klubin bullgar CSKA Sofia për transferimin e futbollistit ganez Bismark Charles Sie.

“Nuk ka qenë ndonjë shifër e madhe, por duhet theksuar se gjithashtu kemi arritur ta ruajmë 20% të kartonit të tij. Transferimi është kompletuar me shumë sukses, ashtu siç kemi mbyllur edhe transferimet e tjera. Ne kemi gjithashtu edhe 50% të kartonit të futbollistit Milot Avdyli dhe 30% të Arlind Shabanit. Jemi në procedurë gjyqësore gjithashtu edhe për rastin e futbollistit Lassine Traore për të cilin shumë shpejtë do të mësoni më shumë gjëra, sepse jam i bindur që do ta fitojmë atë gjyq”, shtoi ndër të tjerash Zeka.

Ai gjithashtu foli edhe për skuadrën aktuale që ka, derisa pret që gjatë javës së ardhshme ekipit t’i bashkohen edhe dy futbollistë.

“Ne kemi qenë të dëmtuar në këtë afat kalimtar, pasi që merkato na është mbyllur dy ditë para se të përfundonte dhe atë pa asnjë paralajmërim. Ne kemi mbyllur marrëveshjet me dy futbollistë shumë cilësorë, të cilët do të vijnë gjatë javës së ardhshme”, përfundoi Zeka.

Kujtojmë që Zeka është njëri ndër investitorët më të mëdhenj në futbollin kosovar për dekada të tëra.

Postime të ngjajshme
Sport

Zekirija Ramadani e ndez “puron” dhe reagon në rrjetet sociale pas fitores së radhës ndaj Dritës

Sport

UEFA ia uron ditëlindjen Zenelit me një video nga het-triku ndaj Azerbejxhanit

Sport

Dhjetë transferimet më të shtrenjta ta dala nga Shqipëria: Skënderbeu ‘mbret’, Tirana ka mbetur prapa

Sport

Dy ndeshje interesante në Superligë, vëmendja në Drenicë