Sport

Tovërlani: Edhe Capello apo Ferguson me qenë trajnerë të Kosovës, kur nuk ke rezultate duhet t’i pranosh kritikat

Trajneri i mirënjohur, Afrim Tovërlani ka analizuar në hollësi situatën aktuale në kombëtaren e Kosovës.

Në një intervistë për Indeksonline, ai është koncentruar në rezultatet e trajnerit Bernard Challandes si dhe pakënaqësitë që janë shfaqur haptas brenda ekipit të Kosovës, ku në qendër të vëmendjes ka qenë Edon Zhegrova.

“Unë mendoj që barrën dhe përgjegjësin për sjelljen e çdo futbollisti në fushë e ka selektori dhe nëse ato përsëriten atëherë selektori ka përgjegjësi dyfish më të madhe. Ka rregullore brenda çdo federate të futbollit për gjeste dhe sjellje të futbollistëve si brenda dhe jashtë fushës kur janë në tubime. Edoni e ka moshën për mu tregu i pjekur, unë mendoj që në dy ndeshjet e fundit ka pasur një përmirësim të vogël. Iu kanë tek Edonit krejt, edhe portalet edhe mediumet, ndoshta edhe futbollistët e kanë hetuar që ju kanë gju krejt opinioni Edonit dhe ndoshta e bëjnë më lehtë ndonjë gjest kundër Edonit. Përndryshe, një futbollist profesionist, pavarësisht cili është ai, nuk është nevoja me bërë gjeste të tilla. Ne shohim edhe futbollistë më të mëdhenjë, kulminant shpeshherë edhe kur nuk iu pasohet topi, nuk bëjnë reagime sepse ai është profesional. Ndërsa lojtari që nuk e pason topin kur duhet, amatorizmi i tij shihet ose egoizmi. Edoni e ka moshën mu tregu i pjekun nëse don me kon pjesë e kësaj kombëtareje. Nëse nuk dëshiron me qenë bashkëpunues me secilin edhe brenda fushës edhe jashtë fushës, më mirë është mu deklaru që nuk jam në gjendje psikologjikisht me ardh me lujt për Kosovën. Kjo pjesë i takon edhe selektorit, që duhet me definu a janë të gjithë unik, dhe ai që shihet se nuk është atëherë të mos ftohet në kombëtare” deklaroi Tovërlani.

Sa i përket ecurisë negative, trajneri nga Prishtina thekson se Federata duhet të analizojë mirë këtë kampanjë.

Ai thotë që jo vetëm Challandes por edhe nëse Capello apo Ferguson do të ishin trajnerë të Kosovës, kur nuk kanë rezultate duhet të pranojnë kritikat që vijnë nga publiku e analistët.

“E para, e kemi parë të gjithë që ka qenë një ecuri shumë e dobët. Kur opinioni edhe tifozët i kritikojnë futbollistët, këta duhet me ditë që e kanë mësu opinionin me rezultate të mira. Tjetra, unë mendoj që Liga C dhe Liga D janë shumë të përafërta. Mendoj që nuk ka ndonjë dallim të madh. Por paraqitjet tona të dobëta, pastaj ka ndikuar edhe pandemia, mungesa e disa futbollistëve në ndeshje të caktuara, që kemi ardh deri këtu. Përndryshe, çdo federatë serioze në botë, pas përfundimit të një cikli kualifikues, bëhet një analizë e hollësishme dhe shikohet pse nuk kemi pas rezultate më të mira. S’po them që me qenë të parët në grup por pse nuk kemi pas ecuri më të mirë.

Ka trajnerë dhe selektorë që deri në një pikë mund ta shtyejnë me një skuadër. Nuk është faji krejt te Challandes, është faji edhe tek futbollistët tanë, për gjeste dhe sjellje jo të mira, ose për mos angazhim në disa ndeshje të caktuara. Shpeshherë e kemi livdu Challandesin, mirëpo tani nuk ka pas një ecuri të mirë. Challandes apo kushdo tjetër të jetë, edhe Capello në qoftë apo Fergusoni, kur nuk ka rezultate të mira duhet t’i bartë edhe konsekuencat edhe kritikat të cilat i bëhen nga opinioni, analistë, gazetarë dhe kushdo tjetër” theksoi Tovërlani për Indeksonline.

Postime të ngjajshme
Sport

Këto janë ekipet dhe lojtarët me vlerën më të madhe në Superligën e Kosovës

Sport

Drenica në krizë pas tri humbjeve radhazi

Sport

Holanda vs Kosova, kuotat e bastoreve për këtë ndeshje

Sport

Studimi gjerman tregon se si koronavirusi e prek trurin e pacientëve