
Kastriot Imeri ka vendosur një rekord të enjten mbrëma. Por jo një që i bën nder 20-vjeçarit, që llogaritet prej më të talentuarve në futbollin e Zvicrës. Imeri, që luan për Servetten, është përjashtuar pas vetëm 123 sekondave në fushën e lojës.
“Rekord: Xhokeri i Servettes, Imeri, është përjashtuar pas 123 sekondave”, ka shkruar sajti “bluewin.ch”.
Sipas këtij sajti, prej vitit 2007, kur mbahen statistikat për Superligën e Zvicrës, asnjë lojtar nuk është përjashtuar më shpejtë.
“Është një rekord prej të cilit Imeri do të hiqte dorë me shumë kënaqësi”, ka shkruar tutje sajti i njohur zviceran.
Servette të enjten mbrëma ishte mysafire e Luzernit në ndeshjen e xhiros së 18-të të Superligës helvetike. Luzerni fitoi 3:0. Ky rezultat ishte edhe në minutën e 75-të kur Kastriot Imeri u aktivizua në vend të Miroslav Stevanoviqit. Menjëherë në minutën e 77-të Imeri bëri faul taktik ndaj Christian Schweglerit. U ndëshkua me të verdhë. Ai duartrokiti në afërsi të arbitrit që po i tregonte kartonin e verdhë, por dukej se nuk ishte i kthyer në drejtim të tij. Por arbitri e ngriti edhe njëherë lart kartonin e verdhë e më pas edhe të kuqin. Kështu Imeri u detyrua të lëshoj fushën ende pa u ngrohur për ndeshje.
Sipas mediave zvicerane, Imeri ka duartrokitur në drejtim të arbitrit, që nuk e ka pranuar një sjellje të tillë. Dhe për këtë ai qëndroi në lojë vetëm dy minuta e tre sekonda.
“Blick” ka shkruar se vendimi i arbitrit ishte i drejtë. Sipas “Blick”, Imeri është larguar pas 134 sekondave në fushë.
Mesfushori Imeri ishte i nominuar si lojtari më i mirë i Superligës së Zvicrës për vitin e kaluar. Ai vlerësohet lart në futbollin zviceran. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës dhe pritet të luaj tashmë për U-21. Te Servette është prej vitit 2013. Për të është kartoni i parë i kuq në karrierën si profesionist.
Imeri këtë edicion i ka 13 paraqitje. Është shqiptari i vetëm te Servette. Ndërkohë te Luzerni si rezervist luajti Lorik Emini. Servette është e shtata me 20 pikë, por ka dy ndeshje më pak të luajtura. Luzerni është i nënti me 16 pikë dhe ka tri ndeshje më pak të luajtura.