Sport

Sulmuesi kosovar tregohet i sinqertë: Vitin e kaluar nuk e kam merituar ftesë, tani po

Sulmuesi Shkëlqim Demhasaj pranon se vitin e kaluar nuk e ka merituar të jetë pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Por ai thotë se ka ardhur koha që të përfshihet për ndeshjet e muajit mars. Kosova muajin tjetër i luan tri ndeshje. Më 24 mars luan miqësoren në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kundër Lituanisë, kurse katër ditë më vonë e pret Suedinë, në ndeshjen e parë të ciklit të dytë të saj kualifikues për botërorin “Katari 2022”. Më 31 mars luan në Sevilla kundër gjigantes, Spanjës, po ashtu në kuadër të kualifikimeve për botërorin e vitit të ardhshëm.

 

“E di që nuk e kam merituar vitin e kaluar të marr ftesë nga Kosova, sepse nuk kam luajtur shumë, por për momentin jam duke luajtur rregullisht dhe duke shënuar gola për ekipin tim. Do të isha shumë i lumtur nëse më thërret trajneri i përfaqësueses, Bernard Challandes. Jam në formë të mirë fizike dhe në fund vendos trajneri se a do të jem apo jo pjesë e ekipit për ndeshjet e radhës. Por nëse më fton, do të isha shumë i lumtur dhe krenar të jem pjesë e ekipit”, ka thënë Demhasaj të mërkurën për KOHËN.

Pjesë e Kosovës, Demhasaj është që prej nëntorit të vitit 2018, ndërsa ka luajtur vetëm shtatë minuta në ndeshjen kundër Maltës, ndeshje të cilën “Dardanët” e patën fituar me rezultat të thellë, 5:0, në kuadër të Grupit 3 të Ligës D të edicionit të parë të Ligës së Kombeve. Ai u ftua edhe për dy ndeshjet kualifikuese që Kosova i ka luajtur në qershor të vitit 2019, në kuadër të eliminatoreve për kampionatin evropian “Euro 2020”. Por në asnjë prej dy ndeshjeve, atë kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë, nuk luajti. Mirëpo, ai është optimist dhe pret që në të ardhmen të ftohet më shumë te Kosova.

 

Demhasaj arsyeton pritjen për një ftesë, meqë thotë se është duke kaluar formë të mirë te Grasshoppersi, që garon në Kategorinë e Dytë të Zvicrës. Sulmuesi 24-vjeçar të martën shënoi golin e parë për vitin 2021 për klubin nga qyteti i Zuerichut, ndërsa ishte goli i gjashtë këtë edicion në 15 paraqitje në “Challenge League”. Është edhe golashënuesi më i mirë tek ekipi i tij. Në kampionatin zviceran Demhasaj ka edhe një asistim, kurse një gol në një ndeshje të shënuar e ka edhe në kuadër të garave të Kupës. Grasshoppersi është në garë për t’u kthyer në Superligën zvicerane. Është në vendin e dytë në tabelë me 36 pikë pas 18 ndeshjeve të zhvilluara. Larg liderit Thunit, që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar, ka vetëm një pikë më pak.

“Deri tash më ka ecur shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur me formën që po e tregoj këtë sezon. Dua të jap edhe më shumë gola për ta ndihmuar të kthehet në Superligë pasi ky edhe është synimi”, ka thënë Demhasaj.

 

Demhasaj iu bashkua Grasshoppersit në verën e vitit të kaluar nga Luzerni. Ai thotë se i ka dalë vendim i mirë të bëjë një hap prapa duke u larguar nga Luzerni i Superligës në drejtim të Grasshoppersit që garon në Kategorinë e Dytë zvicerane.

“E kam menduar edhe atëherë se çfarë po bëj. Jam shumë i lumtur që po luaj rregullisht dhe po shënoj gola. Kemi gjasa të mira që të ngjitemi në Superligë për sezonin e ardhshëm”, ka thënë Demhasaj. “Jam i kënaqur me këtë lëvizje që e kam bërë, sepse te ky ekip kam rikthyer formën që është shumë e rëndësishme për mua”.

 

Sulmuesi Demhasaj është zhvilluar si futbollist te Schaffauseni, ndërsa nga viti 2017 e deri në vitin e kaluar ishte pjesë e skuadrës së Luzernit. Me Grasshoppersin ka kontratë deri në vitin 2023.

Postime të ngjajshme
Sport

Atmosferë fantastike te Drita, drejtori i klubit befasohet për datën e tij të lindjes!

Sport

Liga e Parë, këto janë delegimet e plota të xhiros së 17-të

Sport

Zyrtarët e ndeshjeve të Superligës për xhiron e 23-të

Sport

Klubi anglez nuk heq dorë, të vendosur për transferimin e Milot Rashicës