
Largimi në ditën kur skuadra do të niste stërvitjen i ka rënë si rrufe në qiell të hapur Artim Pollozhanit. I emëruar drejtor sportiv nga administratori Sinan Idrizi, 37-vjeçari që luajti në dy sezonet e fundit me fanellën kuqezi, nuk e mendonte asnjëherë që brenda një dite do të prishej projekti që kishte në kokë prej dy muajsh.
Shqiptari nga Maqedonia bëri të ditur se ishte në unison me trajnerin Haxhiu për çdo vendimmarrje, prandaj dhe u larguan të dy.
Pollozhani, pse u larguat nga Flamurtari, çfarë ndodhi?
Së pari, unë dua t’i falënderoj për këto dy vjet që kam qenë te Flamurtari të gjithë ata që më kanë mbështetur. Të jem i sinqertë, nuk e mendoja se do mbyllej kështu. Nuk ia vlen të merremi me këtë çështje, pasi kështu është futbolli. Kisha idetë e mia që presidentit Idrizi i pëlqenin, por doli në fund që nuk i pëlqyen ato ide.
Së fundmi, Idrizi ka dashur që t’ju japë një mesazh teksa është shprehur se ju i jeni futur një profesioni që i ka nervat e tendosura. Si e “lexoni” këtë?
Nuk e di ku e ka pasur Idrizi me çështjen e nervave. Unë po e bëra një punë, do bëj si di unë. Nuk i kanë pëlqyer, apo me nerva para apo pas, pak rëndësi ka. Nuk është çështje nervash, por është çështje principi dhe karakteri në punë. Por të hedhësh poshtë gjithë atë sakrificë brenda 5 minutash, pasi dikush thotë që nuk bën, unë këtë gjë nuk e di. Kam qejf që të flas me fakte dhe të më thotë dikush në sy, diçka që unë gaboj.transmeton panorama.al