Sport

Statistikat e tri skuadrave të cilat u përshëndetën nga Superliga

Besa dhe Arbëria e humbën direkt vendin e tyre në Superligë, duke u radhitur në dy pozitat e fundit, ndërsa Trepça ’89, si e teta në tabelë, u mposht nga Dukagjini në ndeshjen e barazhit.

Këto ishin tri skuadrat që nuk arritën të mbijetonin në elitën e futbollit kosovar për edicionin 2020/21.

Po e fillojmë me atë të fundit, Besën e Pejës. Skuadra e cila shumë javë para përfundimit të sezonit, veçse ishte përshëndetur nga Superliga.

Kjo për shkak se klubi luajti kryesisht me futbollistë të rinj, nën moshën 20 vjeçare.

 

Besa e mbylli sezonin 2020/21 me 15 pikë, ku mori tri fitore (1-0 Gjilanin, 2-1 Feronikelin dhe 2-1 Trepën ’89), derisa barazoi në gjashtë sfida (2-2 me Llapin, 1-1 me Feronikelin, 0-0 me Drenicën, 0-0 me Drenicën, 1-1 me Dritën dhe 1-1 me Trepçën ’89).

Arbëria nga Lipjani për herë të parë u fut në Superligë dhe ishte padyshim hijeshia e këtij kampionati.

Skuadra nga fshati Dobrajë në Lipjan ishte mjaft korrekte dhe shumë mirë e organizuar.

Kuqezinjtë luftuan deri në xhiron e fundit për t’i shmangur rënies dhe ishin shumë afër për ta arritur mrekullinë.

Në 36 ndeshje të zhvilluara këtë edicion, Arbëria grumbulloi 40 pikë dhe arriti të shfaqte ndeshje fantastike.

Arbëria arriti t’i nxjerrte pikë kampionit të vitit të kaluar Dritës në Gjilan, e mposhti Trepçën ’89, Gjilanin, Feronikelin, Llapin e Ballkanin duke treguar një futboll mjaft kualitativ.

Dobrajasit ishin ndër skuadrat më fer në Superligë të inkuadruara nga Liga e Parë në vitet e fundit dhe me gjithë forcat e tyre luftuan shumë, por që fatkeqësisht në fund nuk ia dolën të mbesin pjesë e elitës së futbollit kosovar.

Krejt në fund, dy skuadrave paraprake i bashkohet Trepça ’89. Skuadra mitrovicase e humbi ndeshjen e barazhit ndaj Dukagjinit, pas ekzekutimit të penalltive, pikërisht në katër vjetorin e shpalljes kampionë të Superligës.

Skuadra e Shpëtim Idrizit e mbylli sezonin e rregullt në pozitën e tetë, me 42 pikë të tubuara. Prej tyre 12 fitore, gjashtë barazime dhe 18 humbje.

 

Mitrovicasit lëshuan disa pikë në momente kur u është dashur më së shumti fitorja, e në disa raste kur skuadrat kundërshtare kanë qenë në formë të dobët.

Megjithatë, ata kanë mposhtur kampionin e këtij edicioni, Prishtinën, pastaj tri pikë i kanë arkëtuar edhe ndaj Dritës dhe Ballkanit. Dy herë triumfuan ndaj Gjilanit, por as këto nuk mjaftuan për t’i ikur barazhit.

Superliga mbetet pa dy skuadra me traditë të madhe, dhe një tjetër skuadër e re, me perspektivë për të ardhmen. Andaj, do të jetë çështje kohe, kur këto klube do ti shohim përsëri në Superligë.

Postime të ngjajshme
Sport

Mici flet nga Tirana

Sport

Shkëndija nënshkruan kontratë profesionale me mesfushorin 17-vjeçar

Sport

Zyrtare: Trepça ’89 ndahet me futbollistin e njohur

Sport

Tjetër futbollist konfirmon largimin nga Trepça ’89