Lajme

Sqarohet kabineti i Osmanit për çështjen e ushtrimit të dy funksioneve nga ana e saj

Kabineti i ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, përmes një komunikate për medie ka reaguar ndaj debateve të fundit në lidhje me aspektet kushtetuese të këtij posti.

Sipas kabinetit të Osmanit, këto debate kanë marrë konotacion fushate.

“Është bërë trend që për aspekte kushtetuese, të dominojë qëndrimi i një ish-ligjëruesi të së drejtës afariste, fushë kjo që nuk ka asgjë të përbashkët me njohuri të cështjeve kushtetuese. Kjo qasje juridike, përveç se është e gabuar, është edhe tendencioze sepse po injorohen edhe vet Kushtetuta e vendimet e gjykatës kushtetuese”, thuhet në komunikatë.

Kabineti rikujton se për këtë çështje, kishte vendosur Gjykata Kushtetuese qysh në vitin 2010.

“Gjykata Kushtetuese ka vendosur në vitin 2010, në kërkesën e parashtruar në atë kohë nga U.D. Presidenti Jakup Krasniqi, për të sqaruar nëse i lejohet të mbajë pozicione partiake e politike përderisa është UD President. Pra, në aspektin juridik kjo është një çështje krejtësisht e qartë dhe pa asnjë dilemë të vetme juridike. Ndër të tjera, në këtë aktgjykim është konstatuar se mbajtja dhe ushtrimi i përkohshëm i funksioneve të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht ushtrimi i postit politik nuk është në papajtueshmëri me Kushtetutën e vendit. Njëkohësisht është sqaruar se u.d. i Presidentit mund të ushtrojë edhe pozita partiake, meqë në atë pozicion, pra si U.D. i Presidentit është vetëm përkohësisht”, theksohet në këtë komunikatë.

Ritheksohet se ligjërisht, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, mund të ushtrojë mandatin e saj në Kuvend dhe njëkohësisht edhe pozitën e presidentes së vendit me kompetenca të plota.

“Për më tepër, sipas aktgjykimit të gjykatës kushtetuese asaj i lejohet të mbajë edhe pozita partiake. Duke u bazuar ne këtë interpretim U.D. Presidenti i atëhershëm, z. Krasniqi, pat garuar në zgjedhje duke mbajtur njëkohësisht edhe pozita politike edhe partiake. Pra, aktgjykimi ka sqaruar se kufizimet që vlejnë për një President të zgjedhur, sa i përket aktivitetit politik e partiak, nuk vlejnë për U.D. të Presidentit. Siç shihet nga faktet e sipërme, çështja në aspektin kushtetues është krejtësisht e qartë, ndaj fushatat e tilla vetëm sa krijojnë konfuzion dhe nxisin polarizim në jetën politike të vendit. U.d. Presidentja Osmani në këtë detyrë është përkohësisht dhe do të kryej detyrat e saj në përputhje të plotë me kushtetutën dhe vendimet e gjykatës kushtetuese”, shkruan në komunikatë./Zëri

Postime të ngjajshme
Lajme

Lajm i mirë: Mblidhen 100 mijë euro për shërimin e të riut nga Suhareka

Lajme

Kushdo që e shihni këtë person, lajmërojeni menjëherë policinë

Lajme

Humb betejën me COVID-19, mjeku i njohur kosovar

Lajme

Kjo është procedura për tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti