Sport

Sokoli: Kosova ishte e hendikepuar nga mungesat – këto dy ndeshje ishin vendimtare

Përfaqësuesja e Kosovës e mbylli ciklin e sivjetmë në Ligën e Kombeve në mënyrën më të keqe të mundshme, duke arkëtuar vetëm pesë pikë nga gjashtë ndeshje të zhvilluara.

“Dardanët” bënin pjesë në grupin C3 të Ligës së Kombeve, duke e mbyllur kampanjën në vendin e tretë, mbrapa Kombëtareve me përvojë si Sllovenia dhe Greqia.

Gjatë gjithë këtij cikli, Kosova u përballë me shumë lëndime por edhe me mungesa shkaku i situatës së rënduar epidemiologjike me COVID-19 në kontinentin e vjetër.

E rëndë për djelmoshat e Bernard Challandesit ishte edhe humbja nga Maqedonia e Veriut 2:1 në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, rrugë e cila dërgonte në Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

“Zeri.info” e ka kontaktuar trajnerin e mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli për ta vlerësuar ciklin e sivjetmë të Kosovës në Ligën e Kombeve.

“Profa”, i cili më parë ka qenë trajner i Kosovës, mendon se skuadra u hendikepua shumë nga mungesat e shumta.

“Fatkeqësisht në këtë cikël, Kosova është ballafaquar me shumë probleme, për shkak të COVID-19 dhe gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë lëndime dhe nuk u paraqit me përbërjen e njejtë”, ka thënë fillimisht Bylbyl Sokoli, duke vazhduar:

“Më e rënda ishte humbja nga Maqedonia e Veriut. Shkaktar ishte mungesa e shumë futbollisëve titullarë dhe mund të themi se nuk patëm fat dhe nuk ishim të kompletuar. Me këto rezultate nuk duhet të jemi të kënaqur. Disa futbollistë shfrytëzuan rastin si Ibrahim Dreshaj, Bernard Berisha, Edon Zhegrova dhe Lirim Kastrati”.

Tutje, ish-trajneri i FC Prishtinës thotë se formë të tillë e kanë të gjitha përfaqësueset e reja.

“Është periudhë që të gjitha përfaqësueset e reja e kalojnë. Mendojnë se skuadra ishte e hendikepuar dhe me shumë probleme në këtë cikël. Si pasojë e kësaj, skuadra e humbi ngadalë homogenitetin dhe lojën kolektive. Në shumë ndeshje patën pasiguri dhe disa reagime të dobëta, sidomos në ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Greqisë në Prishtinë, të cilat ishin ndeshje vendimtare ku skuadra e humbi homogjenitetin”, vlerëson Sokoli.

Trajneri kosovar shpreson se me rikthimin e futbollistëve titullar, të rikthehet forca e grupit.

“Prandaj, unë shpresoj se me rikthimin e të gjithë futbollistëve, shpresoj të kthehet forca e grupit dhe njëkohësisht të rikthehen rezultatet”, tregon më tej “Profa”.

Për fund, Sokoli dha edhe mendimin e tij në lidhje me të ardhmen e trajnerit Bernard Challandes.

“Mendoj se trajneri Challandes e mendon qëndrimin, se a do të ketë ndryshime, këtë duhet ta vlerësojnë organet pranë FFK-ë”, përfundoi të premten Bylbyl Sokoli.

Postime të ngjajshme
Sport

Edukatë shembullore e skuadrës së Istogut

Sport

Flitej për Milanin, Liverpoolin e Dortmundin, por Rashica ....

Sport

PSG arrin fitore të madhe ndaj Man United – Barça, Juventusi dhe Chelsea kryejnë detyrën

Sport

Barcelona e kalon lehtësisht Ferencvarosin