Sport

Si e kishte refuzuar Prishtina në prova Amir Rrahmanin

Amir Rrahmani është shembulli më i mirë se si mund të arrijë që një futbollist nga lloçi i Kosovës të depërtojë në arenën ndërkombëtare, raporton FrontOnline.

Futbollisti nga Prishtina e kishte nisur karrierën në klubin prishtinas, Ramiz Sadiku, ndërkaq sot është titullar i padiskutueshëm nën urdhrat e trajnerit Luciano Spalleti te Napoli.

Fillimi i 27-vjeçarit në futbollin kosovar nuk ishte sikurse i të tjerëve.

Falë paraqitjeve të mira te Ramiz Sadiku, Rrahmani, sot kapiten i Përfaqësueses së Kosovës, ishte përzgjedhur për prova te klubi më i madh në vend Prishtina, në kohën kur skuadra drejtohej nga gjermani Wolfgang Jerat.

Licencohet nga UEFA stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë – Albinfo

Megjithatë, Rrahmani ndonëse i talentuar, nuk kishte fituar besimin e trajnerit gjerman për t’ju bashkuar Prishtinës më tutje.

Por, në këtë drejtim nuk ngurroi Drenica, klub i cili në krye me trajnerin Bylbyl Sokoli aso kohe, vendosi që ta transferojë Rrahmanin në “Bajram Aliu” në fundin e vitit 2011.

Në një bisedë me FrontOnline, Sokoli tregon prapaskenat e gjithë kësaj ngjarjeje.

“Rrahmani nuk u përzgjodh nga Prishtina, ne e pamë talentin e tij”

Bylbyl Sokoli, që aso kohe drejtonte Drenicën, klubin nga Skënderaj, kishte vendosur që ta transferonte Rrahmanin nga Ramiz Sadiku.

Ai ishte i mahnitur me talentin e mbrojtësit qëndror.

“Amiri ka ardhur kur unë shkova në Drenicë. Pas një testimi që ka pasur te Prishtina me trajnerin gjerman, Jerat, dhe Amiri nuk është zgjedhur te grupi”, ka thënë Sokoli për FrontOnline, duke vazhduar:

“Ne e kemi parë talentin e Amir Rrahmanit, përkundër moshës së re shihej gjithçka. Kishte përceptim të hatashëm. Në Drenicë e pati një edicion të mirë dhe kishte disiplinë dhe çasje profesionale”.

“Profa” thotë se fotoreporteri drenicas, Hilli Veliu i kishte thënë se e ardhmja e Rrahmanit do të ishte e ndritur.

“Reporteri Veliu më kishte thënë se ky djalosh ka talent dhe se do të bëjë karrierë të madhe”, përfundoi Sokoli të enjten për FrontOnline.

Reporteri që ishte i bindur për të ardhmen e ndritur të Rrahmanit

Hilli Veliu, foto-reporteri i mirënjohur drenicas, e kishte parë menjëherë talentin e jashtëzakonshëm të Amirit.

Madje, ai ishte insistues te trajneri Bylbyl Sokoli që t’i jepej atij më shumë hapësirë.

“Së bashku me trajnerin Sokoli e kemi marrë Amirin te Drenica nga Ramiz Sadiku pasi i njejti nuk i kishte kaluar provat te Prishtina. Kjo kishte ndodhur në fund të vitit 2011”, e nis bisedën me FrontOnline Hilli Veliu, duke vazhduar:

“E kishim një ndeshje miqësore në Kishnicë (ndaj Hajvalisë) dhe Rrahmani bëri një paraqitje të mirë. Pas ndeshjes, në autobus, i thash trajnerit Sokoli se nëse një futbollist arrin shumë nga Kosova, atëherë është Amiri. Ka qenë i jashtëzakonshëm”.

Tutje, Veliu tregon bisedën me Sokolin.

“I kërkova Sokolit që t’i jepej më shumë hapësirë nëse ka mundësi pasi që i ka të gjitha aftësitë e nevojshme. Kam biseduar edhe me Amirin dhe i kam thënë se si është serioz dhe punëtor në stërvitje të jetë edhe në fushën e lojës. Dhe ja tani ku ka arritur”, përfundoi Hilli Veliu.

Ngritja e Amir Rrahmanit

Pas aventurës së suksesshme te Drenica, Amir Rrahmani u transferua te Partizani i Tiranës në vitin 2013, klub ky që u bë “urë lidhëse” për transferimin e tij në Evropë.

Në verën e vitit 2015, Rrahmani bëri hapin e madh duke u transferuar te klubi kroat, Split, e një vit më pas te Dinamo Zagrebi e më pas edhe te Lokomotiva e Zagrebit.

Pas paraqitjeve fantastike në futbollin kroat, mbrojtësi shqiptar u transferua në klubin italian, Hellas Verona në verën e vitit 2019.

Paraqitjet fenomenale te Verona nën drejtimin e Ivan Juriq e bindën Napolin për ta transferuar futbollistin në verën e vitit 2020.

Te Napoli, Rrahmani kishte ngecje në edicionin e tij të parë, por me ardhjen e Luciano Spalletit në “Diego Armando Maradona Stadium” këtë vit, ai është shndërruar në titullar të padiskutueshëm te klubi napolitan.

Related posts
Sport

Këto janë skuadrat e kualifikuara në raundin eliminues në Ligën e Kampionëve

Sport

Barcelona nuk ia del në “Allianz Arena”, mposhtet nga Barcelona

Sport

Futbollisti i Dritës pritet të operohet, luajti 60 minuta me dorë të thyer ndaj Prishtinës

Sport

Barcelona pëson edhe golin e tretë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *