EURO 2020

Shokë prej 40 vitesh, ‘Binjakët e golit’ që po rikthejnë Italinë në majën e futbollit

Kur arbitri mbylli ndeshjen e 1/8-ave në “Wembley” dhe Italia arriti të fitonte kundër Austrisë “kokëfortë”, përqafimi i dy miqve të vjetër ishte foto kryesore në mediat italiane dhe jo vetëm.

Ata ishin Roberto Mancini, trajneri i skuadrës kombëtare, dhe Gianluca Vialli, shefi i delegacionit italian në Euro 2020. Të dy 56-vjeçarë, Mancini dhe Vialli janë shokë prej 40 vitesh dhe ndikimi i tij në skuadër tejkalon dukshëm atë të postit zyrtar që mban.

Si lojtarë, ata shpartallonin mbrojtjen e Serie A kur luanin të dy bashkë te Sampodoria. Të pagëzuar si “Binjakët e golit”, ata ndihmuan klubin modest të fitonte titullin e parë kampion në Itali. Ata ishin të pandashëm edhe jashtë fushës. Kalonin pushimet bashkë në Portofino dhe frekuentonin një restorant peshku tashmë të mbyllyr, “Te Carmine”.

Miqësia e tyre e ngushtë nisi në “Coverciano”, në qendrën stërvitore të kombëtares italiane, kur të dy ishin adoleshentë. Vëzhguesit menjëherë e dalluan se mes tyre kishte “kimi”.

“Roberto ka qenë heroi im që kur isha 14 vjeç”, tha Vialli në një intervistë për RAI-n. “Njerëzit flisnin për të që kur u takuam për herë të parë. Njihemi prej 40 vitesh. Ai gjithmonë ishte i përfshirë në golat e mi dhe unë të të tijtë”.

Vialli shpërtheu me vonesë. E nisi aventurën për t’u bërë futbollist kur ishte 13 vjeç, kurse Mancini konsiderohej si ylli i të ardhmes që në atë kohë. Ndërkohë që Vialli firmosi me Cremonese-n në Serie C, Mancini kaloi te Bologna. Vialli debutoi si profesionist kur ishte 16 vjeç, ndërsa Mancini një vit më conë, por e bëri këtë në Serie A.

Pas 9 golave në 30 ndeshje, në vitin 1982 u ble nga Sampdoria. Ndërsa Vialli punoi fort te Cremonese dhe arriti pas 4 vitesh ta ngjiste skuadrën për herë të parë pas 50 vitesh në Seria A.

Te kombëtarja U-21 ata po tregonin vazhdimisht çfarë mund të bënin bashkë dhe Mancini gjithmonë ia përmendte shokun e tij drejtuesve të Samp-it. Në vitin 1984, më në fund, presidenti i klubit Mantovani u bind, 19-vjeçari Vialli u bë pjesë e revolucionit të klubit gjenovez.

Ishte fillimi i periudhës më të suksesshme të historisë së Sampdoria-s. Në sezonin e parë, skuadra u rendit mes 4 më të mirave dhe fitoi Kupën e Italisë. E paharrueshme mbetet ndeshja e dytë e finales, kundër Milanit, ku të dy “terrorizuan” atë që konsiderohej mbrojtësi më i mirë i momentit, Franco Baresi.

Nuk do të kalonte shumë kohë para se shtypi italian t’i pagëzonte “Binjakët e golit”. “Miqësia jonë ishte e natyrshme. Kur ke afrimitet gjërat ndodhin dhe kaq, nuk ka xhelozi mes nesh”, tha Vialli për Sky Sports. “Na ndihmoi edhe fakti që ishim miq jashtë fushës. Kishim të njëjtën filozofi për jetën”.

Nën drejtimin e trajnerit Vujadin Boškov, Sampdoria do të fitonte dy herë rresht Kupën e Italisë në vitet 1988 dhe 1989 dhe Kupën e Kupave në vitin 1990. Por në kombëtaren italiane do të luanin vetëm pak ndeshje bashkë, pasi konkurrenca ishte e madhe.

Mancini ka zhvilluar gjithsej 36 ndeshje me skuadrën që sot drejton, ndërsa Vialli 59. Të dy bashkë kanë luajtur për Italinë vetëm në një turne të rëndësishëm, Euro 1988. Por kulmi i partneritetit të tyre ishte viti 1991, kur fituan titullin kampion me Sampdoria-n, ku Vialli u shpall edhe golashënuesi më i mirë, me 19 gola në 26 takime.

Titulli kampion e dërgoi Sampdorian për herë të parë në Kupën e Kampionëve. Skuadra arriti deri në finalen e sezonin 1991-92, por një gol me goditje dënimi nga Ronald Koeman, ia dha titullin Barcelonës, në atë kohë e quajtur “Dream Team”, e drejtuar nga Johan Cruyff.

Ajo ishte ndeshja e fundit që Vialli dhe Mancini luajtën bashkë. Dy muaj më vonë, Sampdoria pranoi një ofertë prej disa miliona eurosh për sulmuesin e saj. Ndërsa Mancini do të qëndronte deri në vitin 1997 te Samp, për të kaluar më pas te Lazio. Të dy e mbyllën në Angli, Vialli te Chelsea ku korri gjithashtu sukses, ndërsa Mancini te Leicester, ku qëndroi pak muaj dhe luajti vetëm 4 ndeshje.

Nëse si lojtarë mund të thuhet që Vialli pati më shumë sukses, Mancini ia ka dalë më mirë si trajner. Pasi fitoi 3 tituj kampion te Inter dhe 1 me Manchester City, 56-vjeçari mori në vitin 2018 drejtimin e kombëtares italiane. Situata e rënduar pas mungesës në Botërorin e atij viti e detyroi Mancini-n të bënte një revolucion. Ndërkohë, shoku i tij po luante ndeshjen më të rëndësishme të jetës, kundër kancerit në pankreas.

Për të fshehur humbjen drastike të peshës për shkak të kimioterapisë, Vialli vishte nga dy palë pantallona dhe bluza, si dhe bënte tualet. Fatmirësisht e fitoi sfidën dhe në vitin 2019 u emërua si shefi i delegacionit të kombëtares italiane dhe të dy miqtë u bashkuan sërish.

“Kam emocione për shkak se punoj me Roberto-n”, tregon Vialli. “Ai ka thënë se po plakemi, por mendoj që kjo punë po na mban të rinj. Roberto është një trajner i madh, nuk e prisja të bëhej i tillë, kur luanim bashkë. Ka krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme te lojtarët të cilët e kuptojnë që trajneri ka besim tek ata. Ne nuk jemi vetëm miq, por vëllezër…”.

Postime të ngjajshme
EURO 2020

Pesë lojtarë që vlera e tyre u rrit dukshëm pas paraqitjeve fantastike në Euro 2020

EURO 2020

Pritja e tij e stolisi Italinë me trofeun e “Euro2020”, Donnarumma tregon pse nuk festoi pritjen e penalltisë

EURO 2020

Jorginho tregon përse zgjodhi Italinë para Brazilit

EURO 2020

Skuadrat dhe lojtarët me statistikat më të mira në Euro 2020