Sport

Shefki Kuqi pranon bisedimet me FFK për tu bërë trajner i Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës pritet të bëjë ndryshime sa u përket trajnerëve në grup-moshat e reja të Përfaqësueses së Kosovës.

FFK-ja ka vendosur ta shkarkojë trajnerin Rafet Prekazi nga Kosova U-21, vendin e të cilit e ka zënë gjermani Michael Nees.

Përveç grup-moshës U-21, ndryshime priten edhe te Kosova U-19, ku postin e trajnerit e mban aktualisht Ramiz Krasniqi, i cili me gjasë do ta lërë këtë detyrë.

Shefki Kuqi është njëri prej kandidatëve për ta drejtuar grup-moshën U-19 të Kosovës.

Ish-futbollisti nga Vushtrria në një prononcim për “Zeri.info” ka thënë se është i gatshëm të kontribuojë për Kosovën.

“Kam pasur bisedime, por ende nuk ka diçka konkrete. Unë i kam thënë prej fillimit se nuk jam person që vetëm ta marr një detyrë, e di vlerën time dhe mendoj se jam një person se mund t’i ndihmoj një futbollisti të ri, i kam kaluar këto rrugë dhe e di se si është të arrish te suksesi”, e nis bisedën Shefki Kuqi, duke vazhduar:

“Dëshira ime është që Përfaqësuesja e Kosovës të ketë sukses. Është lavdi kur e udhëheq vendin tënd sesa një të huaj dhe tek unë qëllimi kryesor është që Kosova të ecë përpara dhe lojtarët tanë po luajnë jashtë”.

 

Kuqi fillimisht ishte përmendur edhe për postin e trajnerit te Kosova U-19, derisa ishte raportuar se kushtet financiare ndanë palët nga marrëveshja.

“Nuk është e vërtetë puna e kushteve financiare. Nuk kemi biseduar për këtë aspekt”, tregoi Kuqi.

Tutje, ish-futbollisti i mirënjohur ka thënë se e ndien veten të gatshëm për këtë pozitë.

“Po të mos e ndieja veten i gatshëm, nuk do të aplikoja, e di se çfarë pune duhet dhe çfarë kushte ka dhe e di mentalitetin e popullit tonë kosovar. I mati gjërat para se të hyj diku dhe për këtu është hera e parë që kam shprehur interesim, kushtet kanë ndryshuar dhe potenciali është tjetër”, vlerëson ish-futbollisti i Newcastle Unitedit.

 

Gjithashtu, ai ka edhe një përgjigje për ata që thonë se “Shefkiu ka dështuar”, duke iu referuar punës së tij si trajner në Finlandë.

“Kam dëgjuar fjalë që Shefiu ka dështuar në Finlandë, nuk e di se si njerëzit i vlerësojnë gjërat. Atje kam drejtuar një klub tejet të dobët financiarisht, i cili bankrotoi pas një edicioni.

Pavarësisht atyre vështirësive, unë e mbajta atë skuadër në elitë. Më pas edhe një skuadër e inkuadrova nga liga e parë në elitë. Dhe klubin e fundit që e drejtova ishte Interi, të cilin e mbajta në elitë dhe kur jam larguar unë, kanë qenë në vendin e katërt ose të pestë. Mendoj se kam çfarë t’i ofroj Përfaqësueses”, tregon më tej ai.

Për fund, ai ka treguar edhe për pritshmëritë e tij nga Kosova A në ciklin eliminator për kampionatin botëror “Katar 2022”.

“Duhet të jemi real. Si Përfaqësuese e re nuk mund të zgjedhim dhe natyrisht se do t’i kemi kundërshtarët e vështirë. Shpresoj të arrijmë rezultate pozitive dhe të jemi më të fortë në këtë cikël eliminator”, përfundoi Shefki Kuqi.

Image result for shefki kuqi

Kush është Shefki Kuqi?

Shefki Kuqi është lindur në Vushtrri. Karrierën si futbollist e ka nisur në Finlandë, në vitin 1995. Ka qenë pjesë e skuadrave të njohura angleze, si: Ipswich, Blackburn, Derby County, Swansea, Fulham, Crystal Palace, Newcastle United, Oldham Athletic, Stockport County, Sheffild Wednesday.

Në Finlandë ka luajtur te: MP, HJK, Jokerit, kurse në Gjermani te TUS Koblenz. Kuqi ka bërë karrierë edhe në Skoci te Hibrenian, derisa karrierën si futbollist e ka përfunduar te Lohjan Pallo në Finlandë, në vitin 2016. Në gjithë karrierën ka shënuar 156 gola.

Nga viti 1999 deri më 2010-n e ka përfaqësuar Kombëtaren e Finlandës. Ai njihej për festimet me fluturime si “shqiponjë” pas realizimit të golave.

Si trajner ka drejtuar skuadrat finlandeze si: Honka, Vantaa dhe Inter Turku. Momentalisht nuk është i angazhuar.

Krahas Kuqit, me futboll janë marrë edhe vëllezërit e tij, Njazi dhe Albert Kuqi.

Postime të ngjajshme
Sport

Legjenda e Liverpoolit, favoriti kryesor për ta zëvendësuar Kloppin

Sport

Takime super-derbi në Angli, Itali e Spanjë, këto janë ndeshjet që nuk duhen humbur sot

Sport

Dy duele interesante në Superligë, Llapi – Ballkani transmetohet në dy kanale televizive

Sport

Zekirija Ramadani nuk deklarohet pas ndeshjes, kjo është arsyeja shumë interesante