Lajme

SHBA largohet nga bordi i Agjencisë së Krahasimit dhe Vërtetimit të Pronës në Kosovë

-ADVERTISEMENT-
-Advertisement-

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë bëri të ditur të premten se është larguar nga bordi i Agjencisë së Krahasimit dhe Vërtetimit të Pronës në Kosovë, për shkak të siç thuhet se ky institucion udhëhiqet nga një person i pakualifikuar.

Vendimi i Ambasadës amerikane që u bë i ditur nëpërmjet një deklarate të postuar në faqen e Facebook-ut, pason atë të Ambasadës britanike në Prishtinë e cila po ashtu ishte tërhequr nga ky bord.

“Ne nuk do të jemi aty kur udhëheqësi u shërben interesave personale dhe atyre politike, në vend të njerëzve. Përzgjedhja e personave jo adekuatë për pozita qeveritare dëmton imazhin e Kosovës dhe tradhton besimin e publikut,” thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Ditë më parë, Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, kishte kritikuar sërish mbajtjen e pozitës nga siç e ka quajtuar ai, udhëheqësi i pakualifikuar Naser Shala.

“Kreu i pakualifikuar i Agjencisë së Krahasimit dhe Vërtetimit të Pronës në KosovëNaser Shala mbetet në detyrë, duke minuar besimin e qytetarëve për punësimin e bazuar në merita. Rrugë e drejt për të gjithë të emëruarit e pakualifikuar është dorëheqja. Është koha që partitë të propozojnë zgjidhje për t’i dhënë fund korrupsionit dhe nepotizmit”,thuhej në postimin e ambasadorit Kosnett në rrjetin social në Twitter.

Pas vendimit të ambasadës amerikane reaguan edhe ambasadat tjera perëndimore në Kosovë.

Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt tha se Kosova ka njerëz të arsimuar dhe të kualifikuar për këtë pozitë.

“Por për sa kohë që pozicionet publike shihen ekskluzivisht si dhurata, askush nuk duhet të presë nga ata që përpiqen të ndihmojnë dhe mbështesin, që të rrinë si veshje e dritarës”,thuhet në reagimin e ambasadorit gjerman në Kosovë.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha nëpërmjet rrjetit social Facebook se dorëheqja e ambasadës amerikane nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës është lajm i keq për Kosovën dhe alarm për të gjithë.

Gjatë muajve të fundit në disa raste ambasada amerikane por edhe diplomatët tjerë perëndimorë kanë tërhequr vërejtjen për emërime politike në poste të rëndësishme.

-Advertisement-
Postime të ngjajshme
Lajme

Vuçiq s’arrin ta fus ushtrinë në Kosovë, për 30 sekonda bombardohet Beogradi

Lajme

Nuk jam ateist, Valon Syla tregon se në çka beson

Lajme

E pazakontë: Majmuni shijon rrezet e diellit në ballkonin e një banese në Prishtinë

Lajme

‘Eskalon’ deputeti i VV-së, me akuza ndaj Kryeziut: Po mërzitesh që s’po fiton Radoiçiqi, shyqyr që po iu bien maskat