Sport

Sezoni i shkarkimeve: Këta janë 19 trajnerët e shkarkuar në Superligë gjatë edicionit 2020/21

Të dielën që lamë pas përfundoi edicioni 2020/21 në Superligën e Kosovës në futboll. FC Prishtina riktheu titullin e kampionit në kryeqytet pas tetë vjetësh pritje. Dhe, bardhekaltrit u kualifikuan në kompeticionin e Champions League.

Pozita e dytë i takoi ish-kampiones, Dritës, e cila do të luajë në kualifikimet e Conference League se bashku me fituesin e Kupës, Llapin, teksa Ballkani mbetet jashtë edhe këtë edicion duke përfunduar në pozitën e tretë.

Në fundin e tabelës, Besa dhe Arbëria kanë rënë nga elita e futbollit, kurse janë inkuadruar Ulpiana dhe Malisheva. Vendi i fundit që merr pjesë në Superligë për edicionin e ardhshëm do të diskutohet mes Trepçës’89 dhe Dukagjinit.

Edhe ky edicion u karakterizua me ndryshimin e shpeshtë të trajnerëve nga skuadrat e Superligës, shkruan Gazeta Express.

Gjithsej 19 trajnerë e “shijuan” Superligën e Kosovës këtë edicion. Në sezonin 2019/20 në Superligë kishin “kaluar” 22 trajnerë, por liga kishte pasur dy ekipe më shumë, 12 gjithsej nga 10 sa janë tani.

Pesë ekipe nuk e ndryshuan fare trajnerin brenda sezonit 2020/21. Bëhet fjalë për Prishtinën, Dritën, Llapin, Arbërinë dhe Trepçën’89 që iu besuan trajnerëve nga xhiroja e parë e deri në xhiron e fundit.

Prishtina

Pasi fituan Kupën e Kosovës me Armend Dallkun edicionin e kaluar, me të cilin luftuan deri në fund për titull, të cilin nuk e kishin arritur pak edhe padrejtësisht, dhe e vlerësonin veten “kampionë moral”, kryeqytetasit befasisht e bënë ndryshimin. Edhe pse me Armend Dallkun i kryen të gjitha përgatitjet për kampionatin e ri, bardhekaltrit pak para fillimit të edicionit 2020-2021 e kishin shkarkuar atë për ta zëvendësuar me Zekirija Ramadanin, i cili kishte fituar tituj me Trepçën ’89 e Feronikelin. Trajneri nga Maqedonia nuk e kishte nisur mirë kampionatin me ekipin e tij të ri dhe ishin shtuar pritjet e një ndarjeje në mes tyre. Por, Prishtina kishte vendosur t’i besojë deri në fund, me ç’rast me Ramadanin, me të cilin e fituan titullin e shumëpritur.

Drita

Ekipi që fitoi titullin në edicionin 2019/20 ia besoi stolin Ardian Nuhiut edhe për sezonin pasues duke pasur synimin e njëjtë – vendin e parë dhe kompeticionin e Ligës së Kampionëve. Në një konkurrencë të fortë nga rivalët e titullit, gjilanasit ishin të durueshëm, duke e mbajtur deri në fund Nuhiun, me të cilin nuk arritën ta mbrojnë titullin. Por, përfunduan në vendin e dytë duke shkuar në Conference League.

Ballkani

Pas një sezoni fantastik me Ballkanin, Ismet Munishi e nisi tjetrin me objektivin e qartë, titullin kampion. Por, pas përfundimit të stinorit pranveror, suharekasit gjendeshin në vendin e dytë, tri pikë larg Dritës, e që ishte e mjaftueshme për klubin ta shkarkonte Munishin dhe në vend të tij ta sillnin Bledi Shkëmbin. Ai u përpoq të bënte diferencën, por nuk arriti që të bënte ndonjë impakt dhe u largua tri xhiro para fundit, pas rezultateve jo të mira. Vendin e tij për tri xhirot e mbetura e mori Ardian Basha, që nuk arriti as ta kualifikonte Ballkanin në garat evropiane.

Gjilani

Gentjan Mezani e arriti objektivin me Gjilanin në sezonin 2019/20 duke e dërguar në kualifikimet e Evropa League si nënkampion i Kosovës. Por edicioni pasues nuk ishte aspak i njëjtë. Gjilani shumë shpejt doli jashtë garës për titull, kurse Mezanit i përfundoi aventura aty. Para se të largohej zyrtarisht, ai kishte munguar një kohë në punë duke e marrë drejtimin e skuadrës Sallah Sherifi. Pastaj ekipin e kishte marrë Bylbyl Sokoli, i cili nuk arriti assesi ta këndellte klubin nga kriza që e kishte kapluar. Pas Sokolit, në stolin e Gjilanit erdhi trajneri i njohur, Ismet Munishi, me të cilin Gjilani gjithsesi se pritet ta nis stinorin e radhës.

Llapi

Tahir Batatina e nisi sezonin me ëndrrën ta bëjë Llapin Evropian. Këtë nuk e arriti përmes kampionatit, por ia doli ta dërgonte Llapin në Evropë përmes Kupës, duke fituar në finale ndaj Dukagjinit pas ekzekutimit të penalltive. Llapi bashkë me Dritën do të luajnë në kualifikimet për Conference League. Llapi nuk konsiderohet si mundësi punësimi i trajnerëve pasi Batatina me vëllezërit e tij janë vetë donatorë të klubit.

Drenica

Drenica e nisi edicionin me të vetmin qëllim, mbijetesën për një tjetër edicion në elitën e futbollit kosovar. Fadil Rama e vazhdoi aventurën si trajner i drenicakëve, për ta vazhduar më pas Bledar Devolli për periudhën më të gjatë brenda këtij edicioni. Pas rezultateve jo të mira Devolli u shkarkua për t’ia lënë vendin trajnerit Sami Sermaxhaj, i cili ia doli t’ia siguronte mbijetesën klubit edhe pse gjendej në pozitë mjaft të vështirë.

Feronikeli

“Industrialistët” patën një nga sezonet më të këqija. Afrim Tovërlani e nisi si trajner, por trajneri i trofeve nuk arriti ta bënte një ekip konkurrues duke dhënë dorëheqje më pas. Vendin e tij e mori Klodian Duro, i cili nuk ia doli të tregonte rezultate pozitive, madje duke e rrezikuar edhe rënien nga Superliga Para se të largohej, Duro u përballë edhe me presion nga klubi nga Drenasi. Ai u shkarkua duke u zëvendësuar nga Faruk Elshani që ia siguroi mbijetesën klubit në xhiron e fundit.

Trepça’89

Shpëtim Idrizi e pati besimin e Trepçës’89 për të vazhduar edhe për sezonin 2020/21. Me pak transfere Trepça’89 synonte mbijetesën në elitë dhe këtë e arriti tek në xhiron e fundit, por mitrovicasit duhet të ndeshen në barazh me Dukagjinin për të siguruar mbetjen përfundimisht. Ndeshja mes tyre zhvillohet të premten.

Arbëria

Ekipi nga Dobraja e Madhe e Lipjanit ishte befasia e stinorit pranveror duke treguar paraqitje fantastike. Megjithatë, në kohën kur përqendrimi nevojitej më së shumti, Arbëria nuk e kishte duke u larguar nga Superliga në xhiron e fundit. Arbnor Morina e udhëhoqi ekipin nga xhiroja e parë e deri në fund të sezonit.

Besa

Besa nuk arriti të tregonte shumë në Superligë duke u renditur në vendin e fundit me vetëm 15 pikë të grumbulluara nga 36 ndeshje. Pejanët e emëruan trajnerin francez Jerome Klein në stol, por pas rezultateve negative të njëpasnjëshme u detyruan ta largonin. Vendin e tij e mori Leotrim Krasniqi që u bë trajneri më i ri në Superligë si 30-vjeç.

Postime të ngjajshme
Sport

Ja çfarë kishte thënë Eriksen për Kosovën kur ishte në Prishtinë

Sport

Ish-mjeku i Eriksen, jep detajet tmerruese lidhur me futbollistin dhe tregon çfarë mund t’i ketë ndodhur

Sport

ZYRTARE: A&N përforcohet me ish-futbollistin e Lirisë

Sport

Mourinho i çmend tifozët e Romës, po e transferon yllin nga Real Madridi!