Sport

Selmani: Të shpërthej te klubi i Ibrahimovic dhe të transferohem në ndonje ligë të madhe evropiane

Njëri prej sulmuesve më eksplozivë në edicionin e fundit të Allsvenska të Suedisë, Astrit Selmani, kurrë nuk ka pasur një ekip në Evropë që e ka dashur me zemër. Mirëpo Selmani ka përcjellë dhe ka pëlqyer çdo klub për të cilin ka luajtur sulmuesi i njohur i Suedisë, Zlatan Ibrahimoviq.

Në një intervistë për “Expressen”, të hënën, Selmani ka pranuar se Ibrahimoviqi ishte dhe mbetet lojtari i pëlqyer i tij, ndërsa tani është i nderuar që do të luajë për klubin e sulmuesit të Milanit.

Ibrahimoviqi e ka telefonuar Selmanin duke i uruar mirëseardhje dhe suksese me fanellën e Hammarbyt, klub në të cilin sulmuesi i famshëm i ka 23,5 për qind të aksioneve.

Selmani, 23-vjeçar, me të përfunduar sezoni i kaluar në elitën e futbollit të Suedisë, u largua nga Varbergsi për t’iu bashkuar Hammarbyt, ekip me të cilin firmosi kontratë të vlefshme deri në fund të vitit 2024. Selmani në edicionin e vitit 2020 ishte i jashtëzakonshëm, duke shënuar 15 gola dhe duke asistuar gjashtë herë në 24 ndeshje kampionale. Ai me fanellën e Varbergsit ka realizuar 17 gola dhe ka bërë tetë asistime në 28 paraqitje në të gjitha garat. Ofertat nuk i mungonin, madje edhe jashtë Suedisë, por Selmani zgjodhi që të luajë për ekipin e idhullit të tij.

Ibrahimoviqi në fund të vitit 2019 bleu një pjesë të konsiderueshme të aksioneve të Hammbaryt për t’u bërë bashkëpronar i klubit për të cilin tashmë do të luajë sulmuesi kosovar. Hammarby pagoi rreth një milion euro dëmshpërblim për të siguruar shërbimet e Selmanit.

“Natyrisht që presioni te Hammarby do të jetë më i madh, por unë iu kam bashkuar këtij ekipi për të pasur sukses dhe jam i gatshëm për këtë sfidë. Mendoj se Hammarby tashmë ka fituar rreth 60 tifozë të rinj, kryesisht familjarë dhe shokë nga Suedia, Kosova, Gjermania e Austria. Ngjyrat e ekipit të Hammarbyt kanë filluar të shpërndahen në familjen time dhe për këtë jam krenar”, tha Selmani.

Selmani ka zbuluar se Ibrahimoviqi ishte personi i parë nga Hammarby që e përgëzoi për transferimin. Për Selmanin kjo ishte hera e parë që bisedoi në telefon me idhullin e tij, me të cilin “është rritur” dhe e ka përcjellë në çdo klub që ka luajtur.

“Ishte një bisedë normale pak para se të firmosja kontratën. Biseduam pak në telefon pasi Ibrahimoviqi është bashkëpronar te Hammarby. Pas Ibrës më përgëzuan edhe gjithë të tjerët që ishin në klub”, ka thënë Selmani. “Unë jam rritur në Malmo, ku është rritur edhe Ibrahimoviqi. Është e qartë që ai ishte shembulli për të ndjekur dhe idhull i imi që nga fëmijëria. Ai ka arritur shumë, sukseset e tij flasin vetë, kështu që jam i nderuar shumë me thirrjen e tij”.

Edhe pse ka firmosur për katër vjet me Hammarbyn, Selmani nuk beson se do të mbetet pjesë e këtij klubi për një periudhë kaq të gjatë. Ai është i bindur se brenda një periudhe të shkurtër do të mund të vazhdojë karrierën diku tjetër në Evropë.

“Nëse shkojnë gjërat mirë, besoj se Hammarby do të më shesë për një shumë të majme. Mirëpo shpresoj që edhe te Hammarby të vazhdoj me paraqitje të mira”, tha Selmani, i cili nuk ka ndonjë preferencë se ku do të vazhdojë karrierën pas Hammarbyt. “Nuk kam klub të preferuar pasi unë e kam përcjellë vetëm Zlatanin në çdo ekip që ka luajtur. Te Juventusi, Interi, Barcelona, PSG-ja, Manchester Unitedi e Milani. Pra, në momentin që Zlatani e ka ndërruar klubin, e kam ndërruar edhe unë, pasi kam qenë me ekipin ku ka luajtur ai”.

Këtë vit Selmani po shpreson që të debutojë edhe në futbollin ndërkombëtar. Edhe pse ende nuk e ka zgjedhur se cilin vend do ta përfaqësoj, Selmani thotë se ka tri opsione: Kosovën, Shqipërinë dhe Suedinë.

“Ditët e fundit kam pasur kontakte me Kosovën, që ka treguar interesim për mua dhe do të shoh se çfarë do të ndodhë në vazhdim”, shtoi Selmani. “Ndërkohë, Shqipëria nuk më ka kontaktuar e as Suedia nuk ka treguar interesim ende. Fokusi im është te Hammarby, për shkak se ende asgjë nuk ka konkrete në tavolinë për të zgjedhur”.

Postime të ngjajshme
Sport

”Gjilani është favorit për të triumfuar në Kupën e Kosovës”

Sport

Barcelona në krizë, Milan synon t’ia “rrëmbejë” dy yjet

Sport

Shikoni gjashtë super golat nga ndeshja Gjilani – Struga

Sport

Konfirmohet nga të dyja klubet, Superkupa në dyshim për tu luajtur, kjo është arsyeja