Sport

Rrëfimi i Ramiz Krasniqit: Kosova, vazhdimi i kontratës, problemet e FC Prishtinës dhe lufta për titullin kampion në Superligë

Përzgjedhësi i Kosovës U-9, Ramiz Krasniqi, thotë se Përfaqësuesja e udhëhequr nga ai është goditur me të madhe nga pandemia COVID-19, e cila e ka kapluar botën.

Trajneri nga Prishtina thotë se të gjitha ndeshjet dhe turnetë janë anuluar për shkak të pandemisë.

Krasniqi përgjigjet edhe në pyetjen se a është gati të vazhdojë me Kosovën U-19 edhe pas skadimit të kontratës, si dhe për planet rreth së ardhmes.

Ish-trajneri i FC Prishtinës dhe Feronikelit në një intervistë të gjatë për “Zeri.info” ka folur edhe për Superligën e Kosovës, FC Prishtinën, si dhe Përfaqësuesen A të Kosovës.

62-vjeçari është ndër trajnerët e parë që është pajisur dhe licencuar nga UEFA në Sarajevë “A” në vitin 2002. Ai vlerësohet lart në futbollin e Kosovës.

Jemi në kohën e pandemisë, si është gjendur Përfaqësuesja e Kosovës U-19 gjatë kësaj kohe?

Krasniqi: Me të vërtetë ka qenë një moment jashtëzakonisht i vështirë. Pandemia na zuri gjithë botën, jo vetëm neve, të papërgatitur dhe befasisht, po sidomos neve dhe këtë pjesën e Evropës Juglindore, në veçanti Kosovën. Pas një turneu që kemi pasur në Itali me Përfaqësuesen U-19, pas një suksesi jashtëzakonisht të mirë në muajin shkurt, ku kemi luajtur në finale me Moldavinë dhe kemi fituar me rezultatin 1:0, është ndalur gjithçka. Të mos harrojmë se mundësi të mëdha na ka dhënë Federata e Futbollit e Kosovës, e cila na krijuar kushte dhe vetë fakti tregon se futbollistët tanë kanë qenë mjaft mirë të përgatitur në këtë turne, sepse i kemi luajtur tri ndeshje brenda pesë ditëve. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Kemi treguar një mentalitet me të vërtetë ballkanik. Që nga ajo kohë është stopuar gjithçka. Ne nga muaji shkurt nuk jemi grumbulluar.

Kur pritet t’u riktheheni aktiviteteve?

Krasniqi: Planet e UEFA-s janë siç ishin, që të luhej Liga e Kombeve në shtator dhe në nëntor. Në Ligën e Kombeve është dashur të marrin pjesë lojtarë të vitit 2003 dhe ndoshta pesë ose gjashtë futbollistë që t’u bashkëngjiten futbollistëve të moshës 2002 për kualifikimet e Kampionati Evropian. UEFA ka dhënë një deklaratë se në muajin nëntor skuadrat do të duhet të jenë gati për kualifikim, por në momentin e fundit erdhi lajmi se do të shtyhet për më tutje.

Kontratë e re apo largim?

Në përfundim të këtij cikli përfundon edhe kontrata juaj dhe e të gjithë trajnerëve të përfaqësueseve të reja, a prisni që të vazhdoni?

Krasniqi: Ajo është në dorën e Komunitetit Ekzekutiv dhe të presidentit të Federatës (Agim Ademi), të cilët do të vendosin se kush do të jetë ose kush do të largohet. Unë mendoj se të gjitha gjeneratat, duke filluar nga U-15, U-17, U-19, U-21 dhe Përfaqësuesja A, kanë punuar mirë. Vetë fakti tregon se i kemi shtatë ose tetë futbollistë në Përfaqësuesen A që kanë kaluar nëpër gjenerata të ndryshme. Mendoj se pasuria më e madhe është kjo. Jam i zhgënjyer në dy futbollistë, që pavarësisht nga të gjithë problemet që nuk kanë qenë në Përfaqësuesen A, me Ardian Ismajlin dhe me Ylber Ramadanin. Dy futbollistë që luajnë për Shqipërinë. Kanë qenë dy futbollistët në Përfaqësuesen U-19 të Kosovës. Të dy në kohën e tyre kanë qenë kapitenë. Kemi pritur që do të vazhdojnë me neve, por ata kanë vendosur të shkojnë në Kombëtaren shqiptare. Kam qenë shumë i zhgënjyer, sepse kanë qenë fëmijë të Kosovës dhe të Prishtinës. Të dy lojtarët i kam udhëhequr, por sidoqoftë është vendimi i tyre.

Dihet se pagat, si të trajnerëve, ashtu edhe të lojtarëve, kohëve të fundit janë rritur shumë në klubet kosovare. A mendon se më shumë ia vlen të jesh trajner i përfaqësueseve të reja apo ndonjë klubi? Kemi informata se keni shumë oferta nga klubet.

Krasniqi: Është e vërtetë se kam shumë oferta. Jam i privilegjuar dhe i respektuar, më vjen shumë mirë. Diferenca është shumë e madhe me klubet. Në një skuadër ku ti je i ftuar ose je pjesë e një skuadre ke shumë probleme. Me kushte, me futbollistë, me kryesi të klubit. Financat në disa klube nuk janë të mira. Këtë problem nuk e kemi në Përfaqësuese. Përfaqësuesja është shumë mirë e organizuar ,pasi një trajner mendon vetëm për punën e tij profesionale dhe ngritjen e futbollistëve të skuadrës në nivel më të lartë. Nga viti 2016, prejse jemi të pranuar në UEFA dhe FIFA, organizimi ka qenë fantastik në Përfaqësuese. Nga koha e të ndjerit Fadil Vokrrit dhe vazhdimësia te presidenti i tashëm Agim Ademi ka funksionuar jashtëzakonisht mirë. Nuk mund të imagjinoni se si funksionon një klub dhe si funksionon Përfaqësuesja e një grup-moshe. Shembull, kam qenë me FC Prishtinën në Gjibraltar dhe kam parë se çfarë diference është një organizim i një klubi dhe një Përfaqësueseje. Aty e kam parë se dallimi është shumë i madh që ende klubet tona duhet të punojnë rreth organizimit dhe menaxhmentit. Ka përmirësime, por jo në atë masë që unë kam dëshiruar.

“Disa Shkolla të Futbollit duhet të ndihmohen”

Vendi ynë në vitet e fundit është pushtuar nga shkollat private të futbollit. A keni informata si punohet në këto shkolla?

Krasniqi: I kam parë tri ose katër shkolla të futbollit dhe e them me plot përgjegjësi se njëra nga shkollat e futbollit më të mira është shkolla e futbollit “Kurda”. Nuk dua t’i bëj askujt marketing, por puna e tij është dëshmuar, pasi ka nxjerrë futbollistë, të cilët kanë qenë në Përfaqësuesen e Kosovës në disa grup-mosha. Për mua trajner i madh është ai që i nxjerr dy ose tre futbollistë, të cilët bëhen emra të mëdhenj nga ajo shkollë. Një trajner tregohet i respektueshëm dhe i çmuar kur në mesin e 30 futbollistëve i dalin dy ose tre lojtarë cilësorë. Unë kam pasur shumë futbollistë të shkollës “Kurda”. Unë mendoj se secila shkollë e futbollit duhet të jetë nën ombrellën e Lidhjes Rajonale të Futbollit. Kjo e fundit duhet të ketë mbikëqyrës të shkollave të futbollit, pasi vetëm në këtë mënyrë mundemi ta ngremë kualitetin. Në Prishtinë janë dy, tri ose katër shkolla të futbollit, të cilat shihen se kanë kualitet. Normalisht se atyre duhet t’u jepet mbështetje.

Si e vlerësoni këtë sezon në Superligën e Kosovës, pasi shumë klube po luftojnë për titull të kampionit, cili është mendimi juaj?

Krasniqi: Të them të drejtën, në këtë situatë ku gjendemi është jashtëzakonisht mirë për shkak se me të vërtetë klubet kanë shpenzime të mëdha. Kanë ngarkesa të mëdha, pasi ndeshjet luhen në fundjavë dhe mesjavë. Kujdesi është mjaft i mirë. E vetmja gjë që më pengon janë kritikat për gjyqtarët. Nuk mundet gjithmonë të kritikohen gjyqtarët. Unë i shikoj ndeshjet dhe i përcjell vazhdimisht. Trajnerët kanë të drejtë, t’i potencoj një ose dy referë, të cilët mund të thonë se nuk janë në nivelin e duhur. Unë mendoj se në 80 për qind të ndeshjeve referimi është i jashtëzakonshëm. Në këtë situatë niveli i ngritjes së referëve është shumë i mirë. Gjyqtarët tanë e kanë parë se vetëm përmes referimit të mirë mund ta shohin veten duke ndarë drejtësinë në Evropë. Gjyqtarët tanë mund të gabojnë. Por nëse një gjyqtar gabon një herë, dy ose tri herë, atëherë diçka nuk është në rregull.

Problemet e Prishtinës

Ish-klubi juaj si trajner dhe si ish-futbollist, FC Prishtina, po shkon në vitin e tetë pa titull të kampionit. Çka po ndodh në ekipin e Prishtinës?

Krasniqi: Prishtina ka probleme të brendshme. Nuk ka probleme të jashtme. Deri ditën e sotme nuk i ka zgjidhur ato probleme. Ndryshimi i madh i trajnerëve dhe ndryshimi i lojtarëve në klub ndikon dhe ajo ndërlidhet shumë edhe me menaxhmentin e klubit. Për të qenë klub i madh duhet të bësh strategji. Aty bëhen drejtorë sportivë që nuk kanë asnjë kompetencë. Drejtori sportiv duhet të bashkëpunojë ngushtë me shefin e shtabit teknik. Kërkesat e trajnerit duhet të bëjë çmos drejtori sportiv që t’i plotësojë. Me disa fjalë, Prishtina nuk ka menaxhment të duhur. Ata kanë bërë një gabim të madh me Armend Dallkun. Nuk e kanë lënë atë të punojë. Armendi nuk mundet menjëherë të bëhet Roberto Mancini. Ai ka kërkuar këshilla nga unë dhe kolegë të tjerë. Ai është një djalosh që dëshiron të bëhet trajner i madh. Dikush po harron se te FC Prishtina nuk ka barazim, nuk duhet të gëzohet me barazime, për humbje nuk bëhet fjalë. Në Prishtinë kërkohet vetëm fitore. Ky mentalitet nuk duhet harruar.

Cila skuadër të ka befasuar për të mirë dhe cila për të keq?

Krasniqi: Ballkani më ka befasuar për të mirë. Edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit e ka vazhduar vrullshëm jashtëzakonisht mirë. Ismet Munishin e respektoj dhe e dua shumë. Ai ka bërë një gabim të madh nga mospërvoja. Nuk është dashur të merrej shumë me referimin. Normalisht se edhe trajneri eksplodon pas ndeshjeve, është normale, por pas përfundimit të saj duhet të qetësohet automatikisht. Ismeti ka mundur të bëhet edhe kampion, edhe fitues i Kupës së Kosovës vitin e kaluar, sepse e ka merituar, pasi Ballkani ka treguar ndeshje të mira. Forma e mirë e Ballkanit po vazhdon edhe këtë vit. Shpresoj dhe besoj se do të jetë më ndryshe se sezonin e kaluar. Problemi kryesor i një skuadre është pasi përfundon gjysmëstinori. Duhet me qenë mjeshtër për të menaxhuar vazhdimin e sezonit tjetër.

Vlerësimet e Ramiz Krasniqit për Përfaqësuan A

Një mendim për Përfaqësuesen A të Kosovës?

Krasniqi: Ne e kemi një grup prej 20 futbollistëve që janë jashtëzakonisht cilësorë. E kam parë ndeshjen Shqipëri – Kosovë, Hekuran Kryeziu nuk ka luajtur në disa ndeshje dhe unë si trajner e kam parë një lojtar fantastik (Kryeziu). Shihen lëvizjet e tij, pozicionimi, kthimi, vendosja e tij. Imagjinojeni pas dy muajve ai ngjitet edhe më shumë me përgatitje. Në të gjithë Evropën pandemia ka goditur e më së shumti Përfaqësuesen tonë. Shikoni edhe përfaqësueset e tjera, janë me të njëjtin problem. Për mua është primare dhe për t’u mburrur, është se kemi një grup të lojtarëve që po zhvillohen shumë. Po luajnë në klube të mira. Shpresojmë se edhe kjo krizë të kalojë sa më shpejt.

Së fundmi në Përfaqësuesen A është ftuar sulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku. A mendoni se duhet ftuar më shumë futbollistë të Superligës së Kosovës?

Krasniqi: Herën e kaluar kur kanë qenë disa ndeshje miqësore janë ftuar disa futbollistë në Përfaqësuesen A dhe kanë qenë jashtëzakonisht mirë. Kanë qenë Jetmir Topalli, Arbër Hoxha, Blend Baftiu e disa të tjerë. Në ndeshje të caktuara duhet të ftohen disa futbollistë për t’u aktivizuar dhe jo për të qëndruar në bankën rezervë. Në këtë gjendje të pandemisë në Superligën e Kosovës përgatitja e lojtarëve ka mundur të jetë 60 për qind e ku kërkohet të luajmë kundër një përfaqësueseje të huaj, duhet të jemi të përgatitur maksimalisht. Ideja është shkëlqyeshme, por duhet gjetur kohën dhe momentin e duhur. Ka shumë lojtarë të mirë në grup-moshën U-19, por nuk mundesh t’i ftosh të gjithë. Jetmir Topallin e kam pasur në Përfaqësuese, ka qenë fantastik. Atë e dua sepse ka një karakter fantastik. Arbër Hoxhën e kam pasur, Blend Baftiun e kam pasur lojtar. Blend Baftiu ka qenë lojtar fantastik, por unë e zgjedh Topallin para Baftiut për shkak të karakterit që ka, nëse do të më jepej mundësia të zgjedhja. Ani se Blend Baftiu është më i mirë se Topalli, kërkohet karakteri i lojtarit në të gjithë Evropën. /Zeri.info

Postime të ngjajshme
Sport

Morina i përlotur për ndarjen nga jeta të Sinanit: “Më nuk ka kush më thërret pas ndeshjes të më pyes se si shkoi ndeshja”

Sport

Renditja tabelore në Superligën e Kosovës pas dy ndeshjeve të sotme

Sport

Rastet e reja me COVID-19, janë nga këto komuna

Sport

Trepça ’89 vazhdon ‘leksionet’ ndaj Gjilanit, Arbëria fiton në ‘frymën e fundit’ ndaj Drenicës