Sport

Rrëfimi i ish-donatorit të futbollit kosovar, Ilir Bojku

Përpara se Federata e Futbollit e Kosovës të pranohet me të drejta të plota në arenën ndërkombëtare futbollin e Kosovës e kanë mbajtur gjallë njerëzit e vullnetit të mirë.

Në futbollin tonë janë derdhur mjete të mëdha financiare për të dëshmuar edhe një herë dashurinë e madhe që e kanë shqiptarët për sportin më të dashur në botë.

Një ndër donatorët që ka dhënë shumë për futbollin kosovar e në veçanti atë mitrovicas është edhe Ilir Bojku.

Ai për vite të tëra ka dhënë shuma të mëdha parash nga xhepi i tij në ekipet nga Mitrovica, Trepça ’89 dhe Trepça.

Bojku, i njohur si “Gogi”, tash e disa vjet është larguar nga futbolli, derisa në një intervistë për “Zeri.info” rrëfehet për rrjedhat e futbollit kosovar, duke lëshuar kritika edhe për punën e FFK-së, e drejtuar nga kryetari Agim Ademi.

“Nuk jam i kënaqur me punën e Federatës së Futbollit të Kosovës, posaçërisht kur bëhet fjalë për demokraci, sepse kur janë zgjedhjet, nuk lejojnë që të konkurrojnë shumë kandidatë. Mendoj se duhet të ndryshohet statuti i FFK-së, që në të ardhmen të aplikojnë tre e më shumë kandidatë dhe t’i shpalosin programet e tyre”, ka deklaruar Ilir Bojku të mërkurën për “Zeri.info”.

Bojku ka qenë drejtor kur klubi Trepça ’89 e ka arritur suksesin e vet më të madh, është shpallur kampion i Kosovës në vitin 2017 dhe ka qenë në kryesi edhe në kohën kur ky klub garoi në parakualifikime për garat evropiane.

Bojku në klub ka qenë pjesë e një udhheqësie me kryetar Abedin Zekën, i njohur si ‘Beki” dhe donatorë të tjerë.

“Nuk ia ka vlejtur që kam investuar, por nuk jam penduar, sepse futbollin e kam pasion”

Në pyetjen se a ia ka vlejtur që të investohet në futbollin e Kosovës, Ilir Bojku deklaroi: “Futbollin e kam pasion, mirëpo në aspektin financiar nuk ia ka vlejtur që të investohet, pasi investimet nuk mund të kthehen prapa. Megjithatë, nuk jam penduar, sepse ka qenë një përvojë e mirë”, sqaroi Ilir Bojku.

Ai ishte i shkurtër kur u pyet për mundësinë e rikthimit në futboll.

“Jo”, ishte përgjigja e tij.

“Trepça ’89 po punon me maturi, ekipet e tjera po bëjnë shpenzime enorme”

Tutje, Bojku foli edhe për punën që po bëhet tashmë në ish-skuadrën e tij, Trepça ’89.

“Sa i përket skuadrës sime të zemrës, mendoj që janë duke punuar me shumë maturi. Momentalisht po merren me lojtarë të rinj, që vijnë kryesisht nga akademia e futbollit. Nëse arrijnë që të mbijetojnë në këtë vit, në edicionin e ardhshëm do të jenë arrë e fortë për Superligën e Kosovës. Duhet theksuar se Trepça ’89 vitin e kaluar i ka shitur tre lojtarë cilësorë jashtë vendit”, vlerësoi Ilir Bojku, për ta komentuar më pas edhe punën e ekipeve të tjera.

“Ekipet e tjera po bëjnë shpenzime enorme pa nevojë. Dihet se vetëm tri skuadra garojnë në Evropë dhe është e pamundur që të nxirren mjetet financiare që po shpenzohen”, pohoi Bojku.

“Drita dhe Prishtina janë më afër titullit”

Në këtë edicion në Kosovë po bëhet luftë e madhe për titullin kampion në mes të tri skuadrave, Dritës, Ballkanit dhe Prishtinës.

“Janë Drita, Ballkani dhe Prishtina në luftë për titull. Më favorite i shikoj Dritën dhe Prishtinën”, përfundoi Ilir Bojku.

Postime të ngjajshme
Sport

UEFA ia uron ditëlindjen Zenelit me një video nga het-triku ndaj Azerbejxhanit

Sport

Dhjetë transferimet më të shtrenjta ta dala nga Shqipëria: Skënderbeu ‘mbret’, Tirana ka mbetur prapa

Sport

Dy ndeshje interesante në Superligë, vëmendja në Drenicë

Sport

Shpëtim Idrizi tregon si e mposhti Llapin