Sport

Rishfaqet Munishi: Nuk e di a ka vozitur “Ferrari” më herët Bledi Shkëmbi, le ta shijojë vozitjen, por le të ketë kujdes nga kthesat!

“Ballkani e shkarkon Ismet Munishin”. Ky ishte lajmi që bërë bujë të madhe në futbollin e Kosovës pas përfundimit të edicionit vjeshtor në Superligën e Kosovën në futboll.

Buja ishte e natyrshme për fakton se Ismet Munishi bëri punë të jashtëzakonshme te Ballkani për një vit e gjysmë sa e drejtoi ekipin nga Suhareka.

Në këtë edicion e la skuadrën në pozitën e dytë në tabelë me 39 pikë të mbledhura, tri më pak se lideri Drita dhe në garë për Kupën e Kosovës, derisa në edicionin e kaluar, deri dy xhiro para fundit ishte pretendent për titullin kampion teksa ishte edhe finalist i Kupës së Kosovës për herë të parë në histori të klubit.

Misteret e shkarkimit të Munishit janë të shumta.

“Zeri.info” e ka realizuar një intervistë me trajnerin Munishi, i cili ka folur për shumë çështje.Image

Kaluan disa ditë që jeni larguar nga Ballkani, si po ndjeheni?

Munishi: Sigurisht se nuk e kam përjetuar mirë ndarjen. Nuk ka qenë e lehtë.

Keni folur shumë pak për ndarjen, si erdhi ky vendim?

Munishi: Më duhet të ruaj procesin në të cilin ndodhet klubi. Nuk kam dashur që të bëhet temë e gjatë kjo punë.

Ditët e fundit është bërë debat në opinion madje edhe në studio televizive çështja e largimit tuaj. A jeni shkarkuar apo dorëhequr?

Munishi: Jam shkarkuar.

Ballkani para se të emëroheshit ju trajner, nuk ishte as në “hartën” e klubeve që e pretendonin titullin. A e keni merituar shkarkimin?

Munishi: Më vjen mirë që opinioni më kanë përkrahur jashtë mase duke mos e atakuar askënd. Më ka ardhur shumë mirë kur jam vlerësuar nga qytetarët e Suharekës dhe më gjerë si dhe tifozët “Xhebraliat” për punën që e kam bërë aty.

Kur jemi te shkarkimi, është thënë e shkruar shumë se presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi, është ndikuar nga njerëz që e rrethojnë në klub për shkarkimi tuaj, pra nuk ka qenë vendim ekskluzivisht i tij. Cili është vlerësimi juaj?

Munishi: Ai (Arsim Kabashi) e di më së miri. Nuk merrem me spekulime.Image

A kishit kontratë me Ballkanin dhe deri në qershor dhe a do të zbatohet ajo deri në fund pasi që jeni shkarkuar?

Munishi: Çështjen e kontratën e kemi zgjedhur me presidentin. Mund të them lirisht se e kemi zgjedhur në mënyrë xhentëlmene.

A do të jeni tifoz me Ballkanin në këtë edicion dhe a mendoni se mund ta fitojë titullin?

Munishi: Po, do të jem tifoz i Ballkanit. Shpresoj shumë që të paktën të fitojë trofe ose ta arrijë Evropën pasi që një gjë e tillë është reale në raport me kundërshtarët.

Si pasardhës tuaj ishin përmendur trajnerët nga Shqipëria, Bledi Shkëmbi dhe Orges Shehi. U vendos për të parin kurse Shehi tha se nëse emërohet trajner te Ballkani, fillimisht do të drekojë me ju. A e ka bërë Ballkani zgjedhjen e duhur?

Munishi: Me Shehin do ta hajmë drekën. E respektojë shumë. Shkëmbit i dëshirojë suksese dhe punë të mbarë. Nuk e di se a ka vozitur “Ferrari” më herët, le ta shijojë vozitjen, por le të ketë kujdes nga kthesat.Image

Keni paralajmëruar se do të punoni si analist televiziv. Pse ky vendim, pse jo si trajner?

Munishi: Më duhet që të këndellem paksa deri në qershor. Nuk mund të luaj kundër skuadrës (Ballkanit) që e kam ndërtuar me shumë sakrificë dhe djersë. Në një nga televizionet tona na pret një projekt shumë i mirë, një emision fantastik për të cilin kemi shumë nevojë. Konsideroj se edhe si analist do ta jap kontributin tim të çmuar në zhvillimin e futbollit dhe luftimin e dukurive negative në futbollin kosovar.

Po flitet se keni ofertë nga Drenica. A ka diçka të vërtet?

Munishi: Jo, Drenica e ka një trajner shumë të mirë si Bledar Devolli të cilin e kam mik. Devolli është trajner fantastik dhe më pëlqen shumë profesionalisht.

Postime të ngjajshme
Sport

Milani nuk ndalet, këto janë planet për merkaton dimërore

Sport

Edhe një tjetër futbollist i Kategorisë Superiore po vjen në Superligën e Kosovës

Sport

Zbulohet shuma marramendëse që McGregor do të fitojë nga UFC

Sport

Çfarë ndodhi me 12-vjeçarin që ishte bërë futbollisti më i ri profesionist në vitin 2009?