Lajme

Rexhepi, Qeveria në ardhje duhet ta ketë prioritet marrëveshjen e Washingtonit

Qeveria në ardhje duhet ta ketë prioritet marrëveshjen e Washingtonit të arritur më 4 shtator ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu tha kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi.

Por, Rexhepi ka potencuar që qeveria e ardhshme duhet të jetë më konstruktive në kërkesat ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm të presë detyra nga të tjerët.

“Ne duhet të jemi të qartë edhe me kërkesat dhe dëshirat tona. Veprimet tona duhet të jenë konform momentit. Nëse ne do t’i bëjmë veprimet e duhura apo nëse ju paraprijmë veprimeve me kërkesa të caktuara dhe jo të presim që të na servohen ato detyra me siguri ne do të arrijmë t’i kanalizojmë. Ne duhet ta kemi prioritet pasi që Biden i dërgoi presidentit të Serbisë letrën e njëjtë”, ka thënë ai për EO.

“Qeveria e ardhshme veprimet do t’i bëjë ndoshta edhe shumë më të mira se sa herën e kaluar sepse ndoshta e ka marr një përvojë më të mirë, e posaçërisht do të apeloja te qeveria në ardhje që kërkesat karshi ShBA-së të jenë deçisive”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij nuk pritet ndryshim i madh në qasjen e ShBA-së karshi Kosovës dhe dialogut me Serbinë.

“Politika amerikane karshi Kosovës asnjëherë nuk ka ndryshuar pavarësisht kush ka qenë president apo kush do të jetë, mundet me pasë lëvizje të caktuar mirëpo qenësoret janë ato politikat nacionale që e krijojnë ShBA-ja për 50 vjeçarin e ardhshëm. Qeveria e ardhshme do të jetë shumë konstruktive dhe do të dijë si t’i vlerësojë veprimet me deklarata por edhe me veprime konkrete”.

Rexhepi ka thënë se presidenti Joe Biden dhe administrata e tij do të bëjnë shumë punë në arritjen e njohjes së ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Dëshira jonë është që ky problem të përfundon sa më shpejtë mirëpo një element tjetër është që duhet ta kemi parasysh që nuk janë vetëm interesa të SHBA-së këto. Besoj fuqishëm që presidenti Biden do ta shtyjë shumë këtë proces përpara mirëpo për aq sa lejojnë edhe momentet politike”, u shpreh ai.

Rexhepi ka komentuar edhe letrën e presidentit Biden drejtuar u.d së presidentes, Vjosa Osmanit. Ai tha se letra ishte e fuqishme ku u tregua mbështetja për institucionet e vendit.

“Ajo është një veprim shumë domethënës i dërgimit të letrës një përfaqësueses faktikisht ushtrueses së detyrës së presidentit në detyrë, mirëpo unë do të kisha dëshirë që në atë letër të ishte i potencuar edhe emri i zonjës Vjosa, ndoshta është çështje teknike mirëpo për ata që bëjnë analiza. Letra ishte e fuqishme dhe përmbajtjesore, njëkohësisht në këtë mënyrë u tregu gatishmëria e përkrahjes institucionale. Në letër ka shumë përmbajtje dhe shumë mesazhe dhe elemente që institucionet aktuale dhe ato që do të vinë duhet të kenë shumë kujdes në elementet që janë potencuar në të”, përfundoi ai.

Postime të ngjajshme
LajmeZgjedhjet 2021

Ku u votua më shumë Vjosa Osmani?

Lajme

Ish-deputetët e LDK’së që nuk arritën të bëhen deputetë në këtë legjislaturë

LajmeZgjedhjet 2021

Kaq vota mori Behgjet Pacolli në zgjedhje

Lajme

Vetëvendosja i arrin 61 ulëse në Kuvend