Sport

Ragip Xhaka i shkruan letër emocionuese të birit dhe Kombëtares zvicerane

Ragip Xhaka iu është drejtuar me një letër emocionuese ekipit kombëtar të Zvicrës dhe të birit të vet kapiten, Granit Xhaka, pas arritjes historike të helvetikëve në Kampionatin Evropian 2020.

Si kapiten dhe lider, Granit Xhaka e udhëhoqi Zvicrën drejt çerekfinales së parë në një turne të madh, ku ecuria e mrekullueshme e saj u ndërpre nga Spanja, raporton Gazeta Express.

Pasi e rrëzoi kampionen e botës Francën në 1/8 e finales për ta siguruar çerekfinalen e parë në Euro, Zvicra luftoi trimërisht me 10 futbollistë për ta çuar në penallti ndeshjen me Spanjën, ku mposht 3:1.

Mesfushori i Arsenalit, me prejardhje nga Podujeva, përjetoi një Euro të paharrueshëm, pasi përfundoi si hero në Zvicër, pavarësisht kritikave të shumta në fillim të turneut.

Në një letër drejtuar atij dhe lojtarëve të tjerë të Zvicrës, e publikuar në Blick, Ragip Xhaka është shprehur krenar me djalin e vet dhe gjithë kombëtaren helvetike.

“I dashuri Granit, e dashura Kombëtare zvicerane,

Zor se mund ta parafytyroni sa kam vuajtur unë. Në Romë, unë ju përkraha nga vendi i ngjarjes. Ndeshjet e tjera i shikova nga Zvicra. Të gjithë ishin të lumtur që ju panë kudo.

Nuk ka qenë e lehtë pas dy ndeshjeve të para dhe kritikave. Por ju, si ekip, nuk lejuat që kjo t’ju shpërqendrojë aspak dhe u ngritët lart përsëri pas kritikave. Mënyra sesi ju e bëtë vendin tuaj t’ju mbështesë në javët e fundit ishte gjë shumë e mirë për ta parë. Ju jeni rritur së bashku në javët e fundit.

Natyrisht, unë u zemërova me mediat që e kritikuan Granitin për ngjyrosjen e flokëve. Është e natyrshme ta mbrosh të birin.

Kur e pashë tërë ekipin duke i rezistuar Francës, u ndjeva jashtëzakonisht krenar. Çfarë kolektivi, çfarë grupi i bashkuar. Nga jashtë, e admiroj mënyrën sesi trajneri Vladimir Petkovic komunikoi me ekipin.

Kur e shoh Granitin, më vjen të qaj. Unë jam babai i tij, miku i tij dhe përkrahësi i tij nga mosha e hershme. Dhe, njëlloj sikur me Taulantin, kemi lidhje tejet të ngushtë.

Dhe mund të them se kur dy vëllezër bisedojnë, biseda është e nxehtë. Për gabimet e futbollit flitet me gjuhë të thjeshtë. Nuk ka tallje, ata i bëjnë njëri-tjetrit kritika, po ashtu. Taulanti nuk fshihet nëse nuk i pëlqen diçka që ka bërë Graniti. E ëma e tyre, Eli, është e rëndësishme për të dy ata, po ashtu. Ajo është përkrahëse e madhe në familje dhe kur ata dy kanë nevojë për këshilla humane, ajo është gjithmonë aty për ta.

Në përgjithësi, muajt dhe vitet e fundit kanë qenë shumë të mira për ne si prindër. Graniti i ka dy vajza tani, Taulanti e ka një djalë të vogël. Është një kapitull i ri në jetë me nipër e mbesa. Na plotëson neve kur i shohim fëmijët tanë që janë bërë baballarë tani. Dhe kur i shohim se me sa dashuri i trajtojnë ata fëmijët e tyre zemrat tona hapen.

A e kam ditur gjithmonë se Graniti është lider? Gjithmonë e kam ditur se biri im kërkon të jetë i pari. Ai nuk ka frikë nga asgjë. Por mënyra sesi ai i nxiti dhe shtyu lojtarët e tjerë kundër Francës ishte diçka e re. Mënyra sesi ai dha gjithçka nga vetja dhe në të njëjtën kohë i nxiti të tjerët t’i tejkalojnë limitet e tyre, është madhështore.

Ishte shumë keq që Graniti mungoi kundër Spanjës, natyrisht. Por kjo tregon karakterin e tij, mënyra sesi e përballoi këtë. Kur diçka ndodh, Graniti e pranon, nuk e vajton, por shikon përpara. Asnjë diskutim.

I dashuri Granit, të dashur lojtarë – unë jam thjesht krenar me ju!”

Postime të ngjajshme
Sport

Drita shpërthen ‘bombën’, zyrtarizon transferimin e radhes

Sport

Munishi e uron emërimin e Begollit si trajneri i Vëllaznimit

Sport

Ja në sa ora do të parakalojnë në sheshin “Nënta Tereza” xhudistet kosovare

Sport

Ballkani sot luan miqësoren e radhës, ja me kë takohet