Lajme

Qeveria Hoti drejt “rrëzimit”

Ka pasur luhatje të qëndrime ditëve të fundit në Qeverinë Hoti. Së fundi, Lista Serbe ka kërcënuar me daljen nga Qeveria, në rast se vazhdon të ketë mospërfillje, siç ata e quajnë. Por Isa Mustafa nuk e sheh aq të tensionuar situatën në koalicionin qeverisës.
Si një politikan me përvojë të gjatë, kreu i LDK-së në një deklaratë ka bërë thirrje që të gjendet zgjidhje për tu tejkaluar pengesat.

Mustafa ka përmendur edhe fjalët që qarkullonin se AKR nuk e mbështetë Qeverinë me votat e saj, duke thënë të kundërtën.

“Koalicioni është çështje e vullnetit. Deri tani Lista Serbe ka qenë korrekte si partnere.

Do të diskutojmë që të tejkalohen ankesat e tyre.

Të gjenden zgjidhjet, për aq sa mund të gjenden. Për çdo gjë na nevojitet më shumë komunikim dhe mirëkuptim.

Kishte fjalë se edhe AKR nuk do ta mbështesë Qeverinë. Unë jam informuar nga Pacolli, se deputetët e AKR-së e votojnë Ligjin për Rimëkëmbje ekonomike.

AKR ka qenë shumë konstruktive dhe mbështetëse në këto procese të rënda që po i kalojmë”, ka thënë Mustafa.

Analistet politik vlerësojnë se pas përçarjes së partive të koalicionit qeveritar ku në këtë rast edhe Lista Serbe ka dal kundër Qeverisë Hoti, Qeveria po shkon drejt rrëzimit.

Sipas tyre, nëse partnerët e koalicionit nuk gjejnë zgjidhje rreth numrave, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje.

Të shpallen zgjedhjet e reja

E në lidhje me këtë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka thënë se nuk mund të pritet asgjë prej kryetarit të LDK-së përveç “ftohjes së gjakrave” me Listën Serbe, interesant, sa këmbëngulës e inatçor ishte ndaj veprimeve apo kërkesave politike ndaj LVV-së, për Agim Veliun e gjithë partia e LDK-së u çua në këmbë kundër Albin Kurtit për mos besimin e qeverisjes së tij, e sa i butë ndaj kërkesave kërcënuese të Listës Serbe.

“Mos ndoshta kërcënimet luftarake të Vuçiqit ndaj Kosovës kanë qenë të qëllimshme për “ftohjen e gjakrave” me Listën Serbe të Rakiqit? Shihet qartë se për Isa Mustafën më e rëndësishme është dashuria qeveritare me Listën Serbe sesa kërcënimet e Vuçiqit ndaj territoreve të Kosovës. Dihet se Lista Serbe është nën direktivat e Vuçiqit e veprimet politike të zotëri Isa Mustafës shihen e vërehen hapur se janë në dobi të Serbisë e kurrsesi në dobi të Kosovës. E mira e patjetërsueshme e Kosovës është që zotëri Isa Mustafa të largonte kancerin politik të Vuçiqit, Listën Serbe, nga qeveria për të shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Jashari: Duhet të shkohet në zgjedhje

Ndërsa analisti politik Shemsi Jashari ka thënë se kompleksi për tu treguar i fuqishëm si kryeministër Hoti ka sjellë një situatë që zgjedhjet mbetën zgjidhja e vetme e mundshme.

“Sikundër dihet tashmë, kriza ne koalicionin qeveritar vetëm sa po thellohet dhe duket se nëse nuk ndryshon diçka, kjo qeveri nuk do të mbijetoj gjatë. Qysh nga fillimi kjo qeveri ka qenë improvizim dhe asnjë ditë nuk ka qenë stabile. Kryeministri Hoti dhe LDK nuk kanë arritur të sigurojnë një stabilitet qeveritar për të siguruar as shumicën e thjeshtë për të kaluar ligjet që kërkojnë 61 vota. Tashmë përveç përplasjeve mes partnerëve shqiptar kemi edhe një përplasje me Listen Srpska e cila siç dihet punon për interesa të Serbisë. Është paradoksale por tashmë secili partner koalicioni është duke shantazhuar tjetrin, pasi interesat e njëri tjetrit varen nga mbetja në qeveri”, ka thënë Jashari.

Sipas tij, LDK dëshiron ta vazhdoj mandatin pasi me ketë rënie të mbështetjes nëse shkohet në zgjedhje do të ketë rezultat shumë të dobët.

“AAK dëshiron ta vazhdoj mbetjen në qeveri pasi nëse shkohet në zgjedhje nuk mund ta arrij qëllimin që Ramush Haradinaj të bëhet president. Ndërsa lista Srpska shfrytëzon këtë situatë për ta dëmtuar dhe shantazhuar Kosovën siç ka bërë gjithmonë. E vetmja që mund ta shpëtoj këtë qeveri është PDK-ja, e cila si duket ka vendosur ta respektoj vullnetin e qytetarëve për të mbetur në Opozitë. Kjo situatë nuk mund të zgjas shumë dhe partnerët e koalicionit, nëse nuk gjejnë zgjidhje rreth numrave duhet të shkohet në zgjedhje”, ka thënë analisti politik Shemsi Jashari.

Postime të ngjajshme
Lajme

Rastet e vdekjes nga COVID-19 sipas moshës

Lajme

Rastet e reja me COVID-19, janë nga këto komuna

Lajme

Ky është numri i rasteve të reja me COVID-19

Lajme

Specialja publikon një tjetër dokument, edhe aty thuhet se katolikët konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së