
Nga Franca mbërrin një tjetër seri përditësimesh në lidhje me çështjen e Neymar dhe shanseve të brazilianit për të lënë PSG, në kërkim të rikthimit të tij te Barcelona. Në fakt është media sportive më e famshme në Francë, “L’Equipe”, ajo që jep lajmin e bujshëm.
“Paris Saint-Germain është gati të pranojë disa futbollistë nga Barcelona, si kundërpeshë për të mundësuar transferimin e Neymar te katalanasit. Gjithsesi, pretendimet e parisienëve mund të konsiderohen ende shumë të larta për klubin balugrana”, citon “L’Equipe”.
Sipas “L’Equipe”, PSG kërkon dy futbollistë të Barcelonës dhe jo më pak se 100 milionë euro në dorë, në këmbim të Neymar. Një marrëveshje huazimi potenciale, me detyrimin blerjen e brazilianit, është tërësisht e përjashtuar nga ana e parisienëve, të cilëve u duhen para për të blerë zëvendësuesine Neymar.
Cilët futbollistë do të tundohej PSG të merrte nga Barça? Referuar aludimeve të “L’Equipe”, 3 janë kandidaturat e parapëlqyera: Philippe Coutinho, Nelson Semedo dhe Ousmane Dembele. Nga ana tjetër është refuzuar Ivan Rakitic, pasi roli i kroatit është mëse i mbuluar te skuadra aktuale e PSG.