
Shorti i fazës së 1/8 së finales në Kupën e Kosovës ka sjellur disa përballje shumë interesante, e ku veçohet ndeshja ndërmjet FC Prishtinës dhe Dritës që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Përballja tjetër që spikat është edhe ajo që luhet në Podujevë midis Llapit dhe Ballkanit.
SC Gjilanin e Bylbyl Sokolit e pret një duel i lehtë në “letër” me Istogun në “Demush Mavraj”.
Analisti dhe trajneri i mirënjohur kosovar, Arsim Plepolli në një bisedë me “Zeri.info” ka komentuar shortin e 1/8 së finales duke thënë se ndeshjet e Kupës sjellin gjithmonë befasi.
Plepolli ka treguar se cila nga skuadrat do të ketë përparësi në këtë fazë.
“Fokusi do të jetë në këto dy ndeshje, Prishtina – Drita dhe Llapi – Ballkani. Por, Kupa gjithmonë sjell edhe befasi. Nuk do të jetë lehtë për asnjë ekip, por ktu varet tani edhe përgatitja dhe cila ekip do të ketë lojë më shumë kontrolluese, do këtë përparësi ta shoh se çfarë gjendje e ka ekipin”, ka thënë Plepolli të hënën për “Zeri.info”.
I pyetur se cila skuadër ka përparësi në rrugën drejt trofeut të Kupës së Kosovës në futboll, Plepolli ka potencuar se ekipi që kalon tutje nga dy ballafaqimet kryesore të kësaj faze ka më shumë shanse.
“Varet prej rezultatit të dueleve Prishtina – Drita dhe Llapi – Ballkani. Cila prej tyre shkon tutje ka më shumë përparësi”, tregoi Plepolli.
Ndryshe, ndeshjet e fazës së 1/8 së finales në Kupën e Kosovës janë paraparë për t’u zhvilluar më 10 shkurt.