EkonomiLajme

Pezullimi i pagesave të kredive, shoqëria civile ka një kërkesë për bankat

Katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile në vend kanë reaguar pas gjendjes me koronavirus duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të zvogëluar efektet e prekjes nga kjo sëmundje e rrezikshme.

Në një komunikatë për media, organizatat në fjalë thonë se paralajmërimet për pezullim të kredisë janë një hap i mirë, por i pamjaftueshëm në raport me situatën, pasi nga rreth 300,000 qytetarë me kredi aktive, shumë prej tyre hyjnë në kategorinë e atyre që ndikohen nga kriza të tilla dhe do ta kenë të vështirë të dëshmojnë vështirësitë financiare si rezultat i rënies së të hyrave.

Për të dalë nga kjo gjendje, organizatat e shoqërisë civile u bëjnë thirrje bankave komerciale dhe institucioneve tjera financiare të pezullojnë pagesën e kredive si rregull të përgjithshëm, ndërsa pagesat e kredive të kryhen vetëm nga ata që kanë mundësi, si dhe të bëhet zgjatja e afatit të pezullimit të pagesave për të paktën tre muaj.

“Me qëllim të zbatimit të këtyre masave, kërkojmë që Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) si rregullator, të hyjë në dialog urgjent me sektorin bankar në Kosovë për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për të gjitha palët”, thuhet në komunikatën e këtyre 14 organizatave të shoqërisë civile, D4D, Demokracia Plus, KCSF, GLPS, KDI, GAP, IKD, EPIK, KIPRED, INDEP, Lëvizja FOL dhe Organizata Çohu!

Në bazë të një vendimi të Bordit të BQK-së, Bordit Ekzekutiv të BQK-së dhe në dakordim me Shoqatën e Bankave të Kosovës, gjithnjë bazuar në situatën e krijuar në vend si rezultat i pandemisë me virusin Covid-19, BQK-ja ka njoftuar se kredimarrësit që janë në pamundësi për pagesë të këstit të kredisë do të mund të mos e paguajnë këstin e tyre nga data 16 mars 2020 deri më datë 30 prill 2020.

“Secili kredimarrës që është në pamundësi për pagesë të këstit në periudhën si më sipër duhet të bëjë kërkesë te kredidhënësi për një gjë të tillë përmes adresës elektronike apo përmes telefonit, dhe kërkesat e tilla do të aprovohen. Këstet e papaguara do të jenë subjekt i pagesës pas kalimit të situatës së krijuar, që nënkupton që afati i maturimit të kredisë do të shtyhet gjithashtu për një muaj”, ka thënë BQK-ja në një njoftim për media.

Ky institucion ka inkurajuar të gjithë kredimarrësit që këtë të drejtë ta shfrytëzojnë në mënyrë racionale meqë “funksionimi efikas i sistemit financiar është jetik dhe esencial në rrethanat të cilat po kalon vendi”.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rreth gjysma e familjeve kosovare nuk munden të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 euro. //gazetaexpress

 

Postime të ngjajshme
Lajme

Haradinaj flet për qeverinë e udhëhequr nga Kurti

Lajme

Infektologu Valbon Krasniqi jep disa këshilla për shtatzënat për t’u mbrojtur nga koronavirusi

Lajme

Gjermania shkon drejt rrafshimit të kurbës me më pak se 1,500 vdekje

Lajme

Lladrovci: Pa panik, ende nuk kemi informacion zyrtar se i infektuari është banor i Drenasit