
Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një takim me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet të cilin e ka informuar për rrjedhat e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak ka njoftuar se Chollet’in e ka informuar edhe për mbarëvajtjen e takimit të sotshëm ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel.
“Mirë të diskutohet zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor me këshilltarin Chollet në Bruksel. E informova mbi dialogun dhe takimin e sotshëm të kryenegociatorëve. U pajtuam për nevojën e implementimin të menjëhershëm në mirëbesim”, ka shkruar Lajçak.
Ndryshe, gjatë ditës, në Bruksel, me ndërmjetësimin e Lajçak janë takuar kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviq.
Në një prononcim për transmtuesin publik, Bislimi ka thënë se janë diskutuar temat aktuale, siç është ajo e energjisë, çështja e targave si dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura.
Ai, po ashtu, ka paralajmëruar mundësinë e një takimi më 22 prill mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Megjithatë, kjo datë nuk është ende definitive, pasi sipas tij, presidenti serb nuk ka mundur ta konfirmojë me siguri.
Në anën tjetër, Petkoviq ka thënë se në takimin e sotshëm ka pasur përparim konkret drejt themelimit të Asociacionit. Ai, po ashtu ka përmendur edhe arritjen e një marrëveshjeje për trajtimin e të pagjeturve. Por ka thënë se marrëveshja duhet të miratohet një një takim të nivelit të lartë mes dy shteteve.