Lajme

Partitë politike garojnë të vetme në zgjedhje lokale, ka vetëm një koalicion të deklaruar

Partitë politike shqiptare parlamentare do të garojnë të vetme në zgjedhjet lokale që mbahen më 17 tetor 2021. Kjo ndodh pasi LVV, PDK, LDK dhe AAK, nuk kanë shprehur vullnet për të garuar si pjesë e ndonjë koalicioni.

Gjatë afatit 15 ditor të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (16 – 30 qershor) vetëm dy parti politike nga radhët e komunitetit boshnjak kanë shprehur dëshirën për të garuar si koalicion, ndërsa partitë nga radhët e komuniteteve tjera do të garojnë të vetme në zgjedhje.

Kështu tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Kosovapress.

“Partitë politike të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë pasur mundësinë që të deklarohen nëse në zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, pra jo si të vetme. Është detyrim ligjor që partia politike të njoftojë se do të kërkojë certifikim përmes koalicionit. Gjatë afatit për deklarim të koalicioneve, KQZ-ja ka pranuar vetëm një deklaratë për koalicion zgjedhor të nënshkruar mes dy partive politike nga radhët e komunitetit boshnjak, Demokratska Stranka Bosnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, me emrin Koalicija VAKAT”, tha Elezi përmes një përgjigje me shkrim.

Sipas tij, partitë politike që duan të garojnë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet t’i kenë parasysh disa obligime ligjore.

“Janë disa detyrime për partitë politike që kërkojnë certifikim përmes koalicionit. Partitë politike që deklarohen se do të garojnë në emër të koalicionit, nuk do të mund të garojnë si të vetme në zgjedhje. Po ashtu, partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër, ndërsa pjesa tjetër e atij koalicioni mund të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Elezi.

Elezi sqaroi se ky afat ka qenë vetëm për deklarim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit dhe se periudha për dorëzimin e aplikimit për certifikim dhe listës së kandidatëve për kryetarë komunash dhe për kuvende komunale, do të përfundojë më 16 gusht.

Edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2017 vetëm një koalicion ishte deklaruar dhe pikërisht Koalicioni VAKAT nga këto dy parti boshnjake, ndërsa KQZ-ja kishte certifikuar edhe 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur, për kryetar komune apo për kuvende komunale, në komuna të ndryshme.

Postime të ngjajshme
Lajme

Mërgimtari në shesh ia dhuron 200 euro Valon Sylës

LajmeShow Bizz

Nikoll Nikprelaj humb personin më të dashur të familjes

Lajme

Uran Ismaili bun në Tophane – Ja çfarë ndreqën këtë herë

Lajme

Parashikimi i motit në Kosovë, këto temperatura na presin javën e ardhshme