Të pasurit në gjithë botën po përgatiten për luhatje në tregjet financiare për vitin 2020, sipas bankës zvicerane UBS.
Shumica e investitorëve të pasur presin një rënie të madhe në tregje për vitin e ardhshëm dhe 25% e aktiveve të tyre është në para cash (para të thata), sipas sondazhit të UBS ndaj mbi 3,400 të pasurve.
Konflikti midis SHBA-së dhe Kinës është shqetësimi më i madh gjeopolitik i tyre, ndërsa zgjedhjet e ardhshme në SHBA përbëjnë një tjetër kërcënim për portofolet e investitorëve, transmeton Scan.
Thuajse 80% e të të anketuarve thonë se luhatjet në tregje pritet të vazhdojnë dhe 55% presin një shitje të madhe në bursa në fund të 2020-s.
Sipas UBS-së, investitorët po konsiderojnë rritjen e mëtejshme të parasë cash dhe diversifikimin në klasa të ndryshme të aktiveve.
Megjithatë, alarmi i investitorëve është kufizuar vetëm në afatshkurtër, ndërkohë që 70% e tyre janë optimistë për kthimet nga investimet në 10 vjetët e ardhshme.