Lajme

Pacientët kosovarë me covid po e blejenë këtë ilaç deri në 200 euro

Derisa bota po e pret vaksinën kundër COVID-19 nga “Pfizer” dhe “BioNTech”, e cila pritet të dalë në treg shumë shpejt, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë nuk ka arritur të sigurojë as “Remdesivir”-in, një nga ilaçet i cili është aprovuar si trajtues për koronavirusin nga Komisioni Evropian në muajin korrik.
Pacientët që po vuajnë nga COVID-19 në Kosovë janë të detyruar ta blejnë vetë këtë ilaç, i cili në barnatoret private po shitet deri në 200 euro, ndërsa ka raste kur blerja bëhet vetëm me porosi për shkak të kërkesës së madhe dhe furnizimit të vështirë, shkruan “Zeri.info”.

“Zëri” ka kontaktuar disa barnatore në Prishtinë, ndërsa vetëm tri prej tyre kanë thënë se shesin “Remdesivir”, duke konfirmuar se çmimi i tyre shkon nga 150 deri në 200 euro.

Shteti ende nuk ka siguruar asnjë dozë me “Remdesivir”

Në fillim të tetorit Komisioni Evropian kishte bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje me kompaninë farmaceutike “Gilead” për të blerë 500.000 komplete trajtuese të “Remdesivir”-it dhe në mesin e nënshkruesve të kësaj kontrate, veç 27 shteteve anëtare të BE-së dhe të Britanisë së Madhe, ishte edhe Kosova.

Pavarësisht se ka kaluar më shumë se një muaj nga kjo marrëveshje, Kosova nuk ka arritur të sigurojë asnjë dozë të këtij ilaçi, shkruan “Zeri.info”.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për “Zërin” se janë në procedura të blerjes së tij, ndërsa thonë se për të njëjtin janë lehtësuar edhe procedurat e importit, për çka kanë nisur të furnizohen edhe nga sektori privat.

“Ministria e Shëndetësisë ka hapur procedura për blerje të këtij ilaçi. Për të njëjtin janë lehtësuar edhe procedurat e importit, në mënyrë që të mundë të sigurohet edhe nga sektori publik, edhe nga ai privat”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Për mungesën e këtij ilaçi ka pasur ankesa edhe në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve

Kryetari i kësaj Shoqate, Besim Kodra, ka thënë për “Zërin” se që nga fillimi i pandemisë ka pasur disa ankesa në shoqatën që ai drejton. Këto ankesa kanë qenë në fillim për mungesë të “Remdesivir”-it dhe më pas edhe për çmimin e lartë të tij.

“Kanë qenë disa ankesa. Te ne i kemi pasur gjashtë ankesa të ‘Remdesivir’-it saktësisht. Qytetarët janë ankuar më shumë për mungesën e tij në treg, por edhe kur po gjejnë në barnatore private, po kushton shumë shtrenjtë”, ka thënë Kodra.

Trajtimi me “Remdesivir” i pacientëve të prekur nga koronavirusi është aprovuar në shumë shtete të botës, mes tyre edhe në SHBA.

Por tani e tërë bota është në pritje të furnizimit me vaksinën e zhvilluar nga farma-kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech”, e cila pritet të jetë në dispozicion për masën në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. /Zëri

Postime të ngjajshme
Lajme

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë mban mbledhje

Lajme

Sot mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës

Lajme

Parashikimi i motit në Kosovë

Lajme

Këngëtarja shqiptare – Agim Veliut: Eh, l*shi nuk të bën burrë!