
Dukagjini është skuadra e fundit që siguron kualifikimin në fazën e çerekfinales së Kupës së Kosovës. Skuadra e Armend Dallkut e ka eliminuar 2 Korrikun, pasi që e ka mposhtur me rezultat 3-1, shkruan Gazetasheshi.com
Mark Milicaj, Labinot Osmani dhe Altin Merlaku me një tjetër ndihmuan “Hithat” për të marrë ‘biletën’ drejt fazës së çerekfinales. Ndërkohë, Euron Leci realizoi golin e vetëm për skuadrën e 2 Korrikut.
“Bomberi” i skuadrës së Dukagjinit, Labinot Osmani, ka folur për Gazetën “Sheshi”.
Sipas Osmanit, fitorja ndaj 2 Korrikut ka qenë e pritshme për shkak të angazhimit dhe punës.
“Realisht kemi punuar për kualifikimin tutje në kuadër të Kupës së Kosovës dhe si rrjedhojë e punës kemi pritë të kualifikohemi”, potencoi Osmani.
Pas kalimit në çerekfinale, sulmuesi i mirënjohur kosovar shpreson që me skuadrën e Dukagjinit të shkojë sa më lartë në garën e Kupës.
“Ne do të punojmë për objektivat e klubit dhe arritjen e atyre objektivave, sigurisht ne do të provojmë që të shkojmë sa më lartë në Kupën e Kosovës”, shtoi më tej Osmani.
35-vjeçari ka folur edhe për objektivin kryesor që ka me skuadrën e Dukagjinit.
“Objektivi në sezonin pranveror është që të jemi të suksesshëm si në kampionat ashtu edhe në Kupë. Synojmë inkuadrimin në Superligën e Kosovës, por e përsërisë përsëri të shkojmë sa më lartë në Kupën e Kosovës”, vazhdoi sulmuesi.
Për fund sulmues vushtrrias ka edhe një mesazh të qartë për tifozët e Dukagjinit.
“Mesazhi për tifozë është që do të punojmë dhe do të angazhohemi në maksimum në realizimin e objektivave të klubit”, përfundoi Osmani.
Dukagjini zë vendin e parë në ‘Grupin A’ të Ligës së Parë ku ka mbledhur 26 pikë, aq sa ka edhe përcjellësi, Malisheva.