Sport

Nuhiu flet para sfidës ndaj Prishtinës dhe shfaq hapur qëllimin për këtë ndeshje!

Pas pauzës së detyrueshme në vikendin e fundit si pasojë e karantinimit të disa qyteteve me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe vendimit të Qeverisë për pezullim të sportit, Superliga e Kosovës në futboll vazhdon të martën (sot).

Vikendin e shkuar nuk u zhvillua asnjë aktivitet sportiv në Kosovë, me përjashtim të ndeshjes së hendbollit ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.

Në elitën e futbollit kosovar do të luhen tri ndeshje të martën dhe një të mërkurën.

Megjithatë, të martën, në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës do të zhvillohet një derbi, ai ndërmjet kampiones në fuqi, Dritës, dhe fitueses së Kupës, Prishtinës. Kjo ndeshje nis prej orës 13:30 dhe zhvillohet në Gjilan. Është dueli i parë i këtyre skuadrave këtë edicion pasi ndeshja e xhiros së tretë nuk është zhvilluar ende për shkak të angazhimeve të Dritës në gara evropiane.

“Do të jetë një përballje e vështirë pasi takohen dy skuadra me shumë cilësi brenda. Prishtina ka bërë mjaft lëvizje para fillimit të kampionatit, duke transferuar futbollistë të mirë dhe për këtë arsye nuk do të jetë aspak lehtë për ne. Megjithatë e kemi analizuar mirë dhe do të kemi kujdes të madh në pikat e tyre të forta”, ka thënë trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.

“Duhet të japim maksimumin, të tregohemi të disiplinuar dhe të shfrytëzojmë vlerat tona për të arritur qëllimin – fitoren”.

Drita zë vendin e dytë në tabelë me 22 pikë të mbledhura, katër më pak se Ballkani që është lider. Por kampionia ka dy ndeshje më pak të luajtura.

Prishtina është e pesta me 14 pikë dhe një ndeshje më shumë të luajtur se Drita.

Postime të ngjajshme
Sport

Ish-futbollisti i Dritës triumfon në Kupën e Lituanisë, thotë se është koha për një aventurë të re

Sport

Trajneri shqiptar harron Koronavirusin, rikthehet në stërvitje me skuadrën e tij

Sport

Rrëfimi special i shqiptarit: Si u futa në suitën e Maradonës, vinte në Tiranë për 100 mijë euro

Sport

Batatina mbështet delegimin e gjyqtarëve të rinj në Superligë