Sport

Një ‘Ibra’ i ri po lind në Skandinavi, njihuni me ‘bomberin’ e ardhshëm të “Dardanëve”

Ibrahimovic është një, por histori sikurse të tij ka shumë. Luftërat e zhvilluara në gadishullin Ballkanik kanë detyruar popujt e këtij vendi të shpërngulen gjithandej Evropës, teksa historia po vazhdon edhe me pasardhësit e tyre. Një të ngjajshme e ka edhe Agon Sadiku, i cili megjithëse është lindur dhe rritur në Finlandë, zemra e tij ‘rrah’ për Kosovën dhe ëndrrat për të veshur fanellën e të parëve të tij do të vazhdon deri sa të jetësohet.

Agoni tashmë 17 vjeç ka lindur dhe është rritur në Finlandë, mirëpo prindërit e tij vijnë nga Kosova dhe ishin të detyruar ta braktisin vendin e tyre për shkak të situatës politike dhe regjimit jugosllav në vitet e 90-ta, mirëpo asnjëherë nuk kanë ndarë mendjen nga kjo tokë, derisa janë të gatshëm për t’i ofruar edhe ardhmërinë e fëmijëve të tyre.

Djali i tyre Agoni është një shpresë premtuese për Kosovën që mund të ketë një ‘Ibrahimovic’ në radhët e tyre dhe për më tepër të zgjidh ‘hallin’ e sulmit për shumë vite, pasi që është një futbollist i cili zotëron topin mjaft mirë dhe ka potencën e njejtë me dy këmbët.

Ai luan në rolin e sulmuesit të qendrës dhe është pjesë e skuadrës së njohur finlandeze HJK Helsink dhe njëherit anëtar i rregullt i moshave të Përfaqësueses së Finlandës, tashmë saktësisht të 17 vjeçarëve.

‘Shtatëlartësia’ e tij (183 cm) dhe potenca që ka, i ka mundësuar atij të jetë një ‘bomber’ i vërtetë pranë portës, derisa fakti që është graduar më shpejtë se çdo moshatar i tij në Finlandë, atëherë tregon më së miri se për çfarë profili të futbollistit kemi të bëjmë.

Pasioni tij për futbollin është i hershëm që nga mosha katër vjeçare, teksa jo rrallë herë kthehej në shtëpi me këmbët e gjakosura duke mos e përfillur fare dhimbjen, vetëm e vetëm sepse dëshira e flaktë e Agonit për futbollin sfumonte të gjitha dhimbjet që i kishte.

Në një rrëfim ekskluziv për Gazetën “Sheshi” ai rrëfen hapat e para të karrierës, historinë interesante të transferimit te HJK Helsink, paraqitjet me përfaqësuesen finlandeze dhe të ardhmen e tij, e cila është e lidhur shumë për tokën e ‘Dardanisë’ dhe stemën që pret një ditë ta mbroj me dashuri dhe krenarinë më të madhe.

Intervistoi: Drilon SYLEJMANI

Ai është aktualisht është nën kontratë me klubin HJK Helsink, derisa po paraqitet me shumë sukses te ekipi i dytë i kësaj skuadre “HJK Klubi 04 Helsinki”, teksa në pesë ndeshjet që ka zhvilluar këtë edicion ka realizuar katër gola.

Si e ka nisur karrierën Agoni?!

“E kam nisur në moshën 6 vjeçare. Hapat e parë i kam marrë me babain tim, i cili ka qenë ‘mentori’ im që nga hapat e parë. Më pas jam angazhuar te skuadra Hamenlinna, ekipi i qytetit ku kam lindur, teksa është paraqitur një menaxher në kampin e talentëve që kemi patur për të vazhduar më pas dhe te Helsink, ekip me të cilin tashmë kam kontratë”.

Cilat ishin vështirësitë në fillimin e karrierës tuaj?!

“Natyrisht se çdo rrugë ka pengesa dhe asnjëherë nuk është e lehtë për të arritur majat. Falë punës së madhe që kam bërë vazhdimisht dhe mbështetjes së familjarëve të mi kam arritur t’i përballoj të gjithë këto sfida. Kur kam mbushur 10 vjeç kam marrë ftesën për të luajtur me skuadrën e 12 vjeçarëve dhe ky ishte një hap i madh në karrierë për mua, pasi që moshatarët e mi nuk ishin shumë sfidues”

Kalimi juaj te Helsink?

“Në vitin 2011 kam arritur te Helsink edhe pse nuk isha objektiv i këtij ekipi. Dy menaxherë kishin ardhur për ta shikuar një futbollist tjetër, mirëpo falë paraqitjeve të mia i kam bindur që jam një futbollist potencial dhe premtues për këtë skuadër, prandaj edhe më kanë përzgjedhur që të jem pjesë e tyre. Në vitin 2017 jam bërë anëtar i rregullt i moshave të klubit pas disa paraqitjeve në turne që i kam realizuar me këtë ekip, ndërkohë që një vit më pas (2018) edhe kam nënshkruar kontratën e parë me klubin”.

Si shkoi edicioni i fundit me skuadrën aktuale?!

“Edhe pse jam vetëm 17 vjeç kam pranuar të jem pjesë e ekipit HJK Klubi 04 Helsinki, i cili llogaritet si ekipi i dytë i HJK Helsink. Kemi arritur të ngjitemi në Ykkönen League. Trajnerët ishin të kënaqur me paraqitjet dhe formën time dhe kjo ka rëndësi për mua”.

Cilat janë arritjet e Agonit më të mëdha të momentit?

“Kam qenë golashënuesi më i mirë i kampionatit të 17 vjeçarëve dhe jam zgjedhur gjithashtu lojtari më i mirë i turneut në Bjellorusi për moshatarët e mi. Mendoj se të arritura më të mëdha janë duke ardhur, prandaj duhet pritur edhe pak. Po ashtu edhe në turnetë e zhvilluar në Francë, Suedi dhe Danimarkë kam realizuar gola të shumtë dhe ndoshta këto do t’i veçoja”.

Jeni anëtar i rregullt i moshave të Finlandës dhe po vazhdoni të përfaqësoni këtë përfaqësuese. Cilat janë kontaktet që ke me Përfaqësuesen e Kosovës dhe cilat janë planet tuaja për të ardhmen?!

“Unë kam lindur, jam rritur dhe jam zhvilluar këtu. Jam pjesë e Përfaqësueses së Finlandës dhe vazhdimisht në kontakte me trajnerët e moshave për të vijuar edhe më tej të jem anëtar i kësaj përfaqësuese. Nuk jam kontaktuar asnjëherë nga zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, qoftë nga ndonjë menaxher, apo edhe nga ndonjë trajner. Mirëpo, zemra ime rrah për Kosovën, pasi aty është e kaluara e prindërve të mi dhe pasardhësve të mi dhe natyrisht që nëse një ditë do të kem ftesë për të mbrojtur ngjyrat e vendit tim, unë natyrisht se do ta pranoj atë. Pres që një ditë të ftohem pse jo edhe në Kombëtaren A. Mirëpo, siç e thash edhe më parë, jam i fokusuar momentalisht te ekipi i Finlandës”.

Cila do të jetë e ardhmja e Agonit?!

“Aktualisht jam i fokusuar te ekipi im. Kam kontratë deri në verën e vitit 2021, ndërkohë që interesimi i klubeve nuk ka munguar për asnjë moment. Por, siç e thash edhe më parë, unë e kam ndarë mendjen vetëm te puna dhe me përkushtim besoj që do të arrijnë të gjitha. Nuk do të ndalem asnjëherë, përderisa të arrij të marr ftesën për ta përfaqësuar Kosovën, ëndrrën për të cilën jam duke jetuar”.

Postime të ngjajshme
Sport

Me gjasë nuk e njihni, por ky është sulmuesi kosovar të cilin Bylbyl Sokoli e cilëson si kalibër të veçantë

Sport

Nizhny – Drita, ky është rezultati aktual

Sport

Ballkani merr një tjetër fitore, triumfon ndaj ekipit bullgar

Sport

Ekskluzive: Nga ky vit ndryshon dizajni i trofeut që do ta marrë kampioni i Kosovës