Sport

Nga Superliga deri te Liga e Dytë, këto janë skuadrat qe u promovuan dhe ato që nuk e siguruan mbijetesën në edicionin 2020/21

Futbolli kosovar në edicionin 2020/21, padyshim se ishte shumë interesant në tri ligat kryesore të vendit.

Nga Superliga e deri te Liga e Dytë, lufta për titull, promovim dhe mbijetesë ishte e hapur deri në xhirot e fundit, shkruan Gazeta Olle.

Prishtina u shpall kampione në Superligë, duke arritur një rikthim senzacional në pjesën e dytë të sezonit. Kryeqytetasit e mbyllën sezonin me 78 pikë, duke lënë prapa Dritën me 76 sosh.

Ndërkohë, në prezantimin e Kosovës në garat Evropiane, dy skuadrave të para në tabelë i bashkohet edhe Llapi, pasi fitoi Kupën e Kosovës ndaj Dukagjinit, pas ekzekutimit të penalltive.

Nga Superliga këtë sezon u larguan plot tri skuadra. Besa dhe Arbëria, të cilat përfunduan në fund të tabelës dhe Trepça ’89 e cila u mposht në barazh nga Dukagjini.

Besa e Pejës ishte e fundit në tabelë me vetëm 15 pikë të tubuara, ndërsa Arbëria u mbeti në vendin e nëntë me 40 sosh. Mitrovicasit në anën tjetër tubuan 42 pikë, por që nuk mjaftuan për t’i ikur barazhit.

Me largimin e këtyre tri skuadrave nga Superliga, tri nga Liga e Parë zënë vendim e tyre.

Nga Grupi A i Ligës së Parë në krye të tabelës përfundoi Malisheva, ndërsa nga Grupi B skuadra e Ulpianës.

Dukagjini nga Grupi A dhe Flamurtari nga Grupi B, u përballën në barazh, pasi përfunduan në vendet e dyta në grupe.

Klinasit ishin më të suksesshëm, duke e fituar ndeshjen e barazhit me rezultat 2-1, pastaj e mposhtën edhe Trepçën ’89 në barazhin e Superligës, pas ekzekutimit të penalltive.

Kujtojmë se Malisheva e kishte mbyllur sezonin me 60 pikë në maje të tabelës në Grupin A, duke lënë prapa Dukagjinin me 58 sosh, shkruan Gazeta Olle.

Sa i përket Grupit B, Ulpiana kishte mbledhur 53 pikë në krye të tabelës, e me vetëm një pikë më pak kishte lënë mbrapa skuadrën e Flamurtarit.

Nga Liga e Parë u përshëndetën dy skuadrat me traditë në futbollin kosovar, Vushtrria nga Grupi A, që mblodhi vetëm 20 pikë dhe Kek-u nga Grupi B, që kishte 28 pikë të tubuara në fund të tabelës.

Vendin e këtyre dy skuadrave e zunë Fushë Kosova dhe Rahoveci, të cilat përfunduan në dy vendet e para të Ligës së Dytë.

Fushë Kosova u shpall kampion, me 75 pikë në 30 ndeshje kampionale.

Rahoveci iu bashkua Fushë Kosovës duke siguruar në xhiron e fundit biletën drejt Ligës së Parë. ‘Vreshtarët’ mposhtën Bashkimin me rezultat 2-0 dhe ia rrëmbyen vendin e dytë, duke tubuar 70 pikë gjithsej.

Nga Liga e Dytë u përshëndetën Galaksia dhe Dukagjini, skuadra të cilat mbetën në dy vendet e fundit.

Galaksia mblodhi vetëm 11 pikë gjatë këtij edicioni, ndërsa Dukagjini mbeti e parafundit me 25 sosh.

Vendin e këtyre dy skuadrave nga edicioni i ardhshëm e zënë Prizreni dhe Shkëndija.

Padyshim se edhe edicioni 2021/22 pritet të jetë shumë interesant, në tri ligat kryesore të futbollit në vendin tonë.

 

Postime të ngjajshme
Sport

Zbulohet shuma e transferimit të Rashicës në Premierligë, kjo është shuma që përfiton ish-klubi i tij, Vushtrria

Sport

Mesazhi emocional i Rashicës drejtuar tifozëve të Werder Bremenit pas transferimit në Premierligë

Sport

Lajmi i fundit: Milot Rashica i bashkohet klubit të Premier Leagues

Sport

“Bomba” nga Spanja: Gjiganti evropian arrin marrëveshje me Haalandin, paga e tij javore është e “çmendur”