
Prishtina dhe Llapi zhvillojnë nesër (e shtunë) derbin e javës së 23-të në Superligën e Kosovës në futboll, shkruan Zeri.info.
Tre pikët për të dyja skuadrat janë të rëndësishme. Kryeqytetasit po luftojnë për titull, teksa llapjanët për pozicionim më të lartë në tabelë.
Nesër do jetë përballja e 30-të mes këtyre dy skuadrave pas luftës. 16 fitore deri më tani i kanë takuar Prishtinës, tetë Llapit dhe pesë ndeshje kanë përfunduar baras.
Nesër do jetë ndeshje e tretë e këtij sezoni mes Prishtinës dhe Llapit. Ndeshja e parë e zhvilluar në kryeqytet kishte përfunduar 0-0, kurse në Podujevë kishte triumfuar Prishtina me rezultatin 0-2.
Prishtina deri më tani ka regjistruar 16 ndeshje radhazi pa humbje në të gjitha garat, prej tyre 13 kampionale, teksa vlen të theksohet se në katër ndeshjet e fundit ka regjistruar vetëm fitore.
Në anën tjetër, Llapi në pesë ndeshjet e fundit ka arkëtuar nëntë pikë, duke regjistruar tri fitore në shtëpi dhe dy humbje si mysafirë.
Kujtojmë se ndeshja e nesërme mes Prishtinës dhe Llapit zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 13:00.